Kërko

SLOVAKIA-RELIGION-EASTER-VIGIL

Në Bratislavë, takimi i Konferencës Evropiane për Fëmijërinë Misionare

"Krijimtari në ungjillëzimin e Ri": nga e diela, 12 prill, e deri të enjten, 16 prill, Bratislava mirëpret përfaqësues të Shoqërisë Papnore të Fëmijërisë Misionare nga e gjithë Evropa, në takimin e "Konferencës Evropiane për Fëmijërinë Misionare" (e njohur si CEME, akronimi francez për "Conférence de l'Enfance Missionnaire Européenne").

R.SH. / Vatikan

Nisma mbahet çdo dy vjet. Edicioni i fundit ishte ai i Rumanisë, ndërsa vendi pritës i këtij viti do të jetë Sllovakia. Tema kryesore e konferencës së këtij viti është "Kreativiteti në Ungjillizimin e Ri", temë që thekson nevojën e kërkimit të mënyrave të reja, autentike dhe krijuese, për të shpallur Ungjillin në botën e sotme, veçanërisht ndër fëmijët dhe të rinjtë.

"Pres me padurim të marr pjesë, jo vetëm për t'u takuar personalisht dhe për të falënderuar njerëzit që punojnë për fëmijët, por edhe për të ofruar disa njohuri mbi qëllimet e Shoqërisë sonë Papnore të Fëmijërisë Misionare", shpjegon Motër Inês Paulo Albino, Sekretare e Përgjithshme e Shoqërisë Papnore të Fëmijërisë Misionare, e cila merr pjesë në takimin e CEME për herë të parë, si Sekretare e Përgjithshme.

"Tema e zgjedhur, kreativiteti në ungjillëzimin e ri, e dashur për Shën Gjon Palin II, e më vonë e ndjekur nga Papa Françesku në Evangelii Gaudium, na fton të ripërtërijmë metodën tonë. Jezusi është gjithmonë i njëjti, por brezat janë të ndryshëm; atëherë duhet ta përdorim krijimtarinë në mënyrë të përshtatshme, për të arritur fëmijët dhe adoleshentët e sotëm.

Pjesëmarrësit në takimin e planifikuar për në Bratislavë vijnë nga vende të shumta evropiane, duke përfshirë Skocinë, Luksemburgun, Irlandën, Republikën Çeke, Kroacinë, Zvicrën, Belgjikën, Monakon, Gjermaninë, Maltën, Hungarinë, Italinë, Francën, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Letoninë dhe Sllovakinë. Konferenca e këtij viti pasurohet më tej nga prania e pjesëmarrësve nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga Bostoni. Hapësirat e kushtuara për përshpirtërinë do të alternohen me veprimtari të tjera dhe me mundësi për njohjen e përvojave.

Në ditën e parë të konferencës, më 13 prill, ngjarjet kryesore përfshijnë një leksion nga Atë Andrew Recepcion mbi kreativitetin në ungjillëzim dhe një seminar me këngëtarin Miro Jilo, i cili do të ofrojë një perspektivë praktike mbi krijimtarinë në shërbim të shpalljes së krishterë.

Të nesërmen pasdite, do të ketë një kremtim Eukaristik në Katedralen e Shën Martinit, në Bratislavë, kryesuar nga Ipeshkvi Ndihmës imzot Jozef Halko.

Seminari me Andrea Recepcion kushtuar përdorimit të përgjegjshëm dhe krijues të inteligjencës artificiale në animacionin misionar, zhvillohet paraditen e së njëjtës ditë.

Dita e fundit e takimit do të përfshijë një fjalim nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqërisë Papnore të Fëmijërisë Misionare, i cili më pas do të shpallë takimin e ardhshëm të CEME dhe konferencën e Nuncit Apostolik në Sllovaki, Nicola Girasoli.

"Sot më shumë se kurrë," përfundon Motër Albino, "ne duhet t’i shoqërojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë e, mbi të gjitha, t'i dëgjojmë ata; duke filluar prej tyre dhe me ta, mund ta ndërtojmë botën së bashku; ata do ta ndiejnë se ajo botë është e tyre dhe do ta jetojnë atë më mirë. Ëndrra ime është t'i shoh të gjithë fëmijët të lumtur, jo sepse kanë diçka, por sepse janë realizuar brenda si fëmijë; në këtë mënyrë, si të rritur, ata do të jenë në gjendje të japin shumë më tepër".

(nga Agenzia Fides, 11/04/2026)

13 prill 2026, 10:03