Kërko

Kryeipeshkvi i Algjerit,  kardinali  Jean-Paul Vesco më 7 dhjetor 2024, kur u shpall kardinal nga Papa Françesku Kryeipeshkvi i Algjerit, kardinali Jean-Paul Vesco më 7 dhjetor 2024, kur u shpall kardinal nga Papa Françesku

Kardinali Vesco: algjerianët do të preken thellësisht nga Leoni XIV

Kryeipeshkvi i Algjerit po përgatitet të mirëpresë Papën për pjesën e parë të udhëtimit të tij apostolik në Afrikë. Do të jetë takim me një Kishë të vogël, por edhe me një popull mikpritës, të etur për ta kuptuar më mirë këtë "bir të Shën Augustinit".

R.SH. / Vatikan

Duke shkelur në tokën algjeriane për herë të parë si Ipeshkv i Romës, Papa Leoni XIV do ta kujtojë  Algjerinë në historinë e saj të gjatë, histori që e lidh me Perandorinë Romake dhe me mësuesin e saj shpirtëror, Agustinin,  lindur në mesin e shekullit IV në Taghaste, Souk Ahras-i i sotëm. Papa Leoni XIV pritet me padurim sidomos për takimin me popullin algjerian, me  frymë dialogu e vëllazërie e pikërisht  kësaj atmosfere i përshtatet ky udhëtim apostolik.

"Papa, ky në veçanti, është me të vërtetë i pritur", thekson Kardinali Jean-Paul Vesco, Kryeipeshkëv i Algjerit. "E pati këtë çast të madh që nga fillimi i papnisë, kur pohoi 'Unë jam bir i Shën Augustinit'," shpjegon kryeipeshkvi dominikan, "e kjo bijësi shpirtërore u mor fjalë për fjalë nga shumë algjerianë. Është shenjë e bukur, sepse ai është Papa 'ynë'. Mendoj se në fund të udhëtimit ai do të jetë vërtet Papa 'i tyre'".

Shën Augustini, në gjurmët e të cilit Prevosti vizitoi dy herë vendin kur ishte Epror i Përgjithshëm i urdhrit të tij rregulltar augustinian, është pra i ngulitur në kujtesën kolektive të algjerianëve. "Historia e krishterë e atij veriu Afrike, që shtrihej deri në Kartagjenë, qendër shumë e gjallë e krishterimit, përshtatet në këtë thellësi historike" kujton Kryeipeshkvi Vesco.

Gjatë zbulimit të një "Kishe modeste e afrikane"

Përtej kësaj kujtese të gjatë historike, Papa shkon edhe për të takuar një Kishë, një kope të vogël, që ka ndryshuar thellësisht gjatë tri dekadave të fundit dhe karakterizohet nga martirizimi i 19 të lumve, duke përfshirë edhe shtatë murgjërit e manastirit të Tibhirine-s, vrarë në vitin 1996 në kulmin e "dekadës së zezë", gjatë së cilës terrorizmi islamist shkatërroi dhjetëra mijëra algjerianë. "Kisha jonë do ta tregojë veten për atë që është" - thekson Kardinali Vesco - "Kishë modeste dhe afrikane. Fytyrë që ka ndryshuar shumë që nga fillimi i luftës së pavarësisë dhe epoka e Kardinalit Léon-Étienne Duval," një nga paraardhësit e tij në Kryeipeshkvninë e Algjerit.

"Jemi dërguar te një popull algjerian kryesisht mysliman, por që ka edhe disa të krishterë: ky është populli ynë". Për Kardinalin Vesco, të mos e konsiderosh këtë dimension afrikan "do të thotë të humbasësh nga sytë shpirtin e kësaj Kishe".

Një udhëtim drejt Mesdheut, pellg vëllazërie

Ky udhëtim do të ndjekë gjurmët e Papës Françesku, i lidhur thellësisht me këtë Mare Nostrum, kuptuar si pellg i përbashkët qytetërimi, vëllazërie dhe dialogu. "Është e gjithë puna që Kisha kryen brenda këtij perimetri mesdhetar - shpjegon Kardinali Vesco - ky Mesdhe që nuk ishte menduar të ishte kufi, u bë i tillë pavarësisht gjithçkaje, madje edhe varr për një mori njerëzish në migrim". Kjo kulturë mesdhetare - vazhdon Kryeipeshkvi i Algjerit – i kapërcen dallimet fetare dhe kulturore, “ndaj është mirë që po bëhet ky udhëtim".

"Salam aleikoum. Është përshëndetja e njeriut të paqes, që vjen".

Duke folur për një botë të shkatërruar nga dhuna

Ky udhëtim i Leonit XIV drejt Algjerisë përfshihet  gjithashtu në një kontekst, ku lufta vazhdon të përhapet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, pa i harruar konfliktet e diskutuara rrallë herë në kontinentin afrikan. Fjalët e Leonit XIV, i cili nuk pushon kurrë së kujtuari paqen "e çarmatosur dhe çarmatosëse", të frymëzuar nga Zoti, do të jenë kështu objekt vëmendjeje të veçantë në dritën e kësaj spiraleje vdekjeprurëse.

"Paqja qoftë me ju",  që tingëllon si jehonë e fjalëve të para të Papës amerikan në Lozhën e Shën Pjetrit më 8 maj 2025, është motoja e këtij udhëtimi. E është edhe përshëndetja që algjerianët e shkëmbejnë arabisht: "Salam aleikoum". "Është përshëndetja e një njeriu të paqes, që vjen - kujton Kryeipeshkvi Vesco - e në botën e sotme, ku janë njerëzit e paqes?" - pyet ai.

Prandaj, kryeipeshkvi dominikan beson thellësisht "se Papa Leoni është  bartës i paqes, në këtë botë që po shkon gjithnjë e më shumë drejt luftës së përgjithësuar", duke shprehur urimin se Leoni XIV "nuk do të jetë Papa i luftës së tretë botërore".

Zemra e ndjeshme e algjerianëve

Kardinali Vesco, ipeshkëv i Oranit për nëntë vjet para se të emërohej në Algjer, flet në emër të shumë miqve algjerianë që presin Pasardhësin e Pjetrit me mirënjohje e kureshtje. "Për ta, çka ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër është personaliteti, shikimi. E pikërisht kjo i prek zemrat. Algjerianët janë thellësisht të ndjeshëm, e kjo është cilësia e tyre e jashtëzakonshme. Nuk kam kurrfarë dyshimi se ata që e shikojnë, e shikimi që Papa do ta drejtojë drejt tyre dhe vendit tonë, do t'i prekë thellësisht të dyja palët, jam krejt i sigurt për këtë".

11 prill 2026, 14:26