Kërko

Patriarku Pizzaballa në Bazilikën e Varrit të Shenjtë (foto: Patriarkana Latine e Jerusalemit) Patriarku Pizzaballa në Bazilikën e Varrit të Shenjtë (foto: Patriarkana Latine e Jerusalemit)

Kard. Pizzaballa: Jerusalemi është i thirrur për të shëruar plagët e botës

Në një letër baritore drejtuar dioqezës - e cila do të botohet në një vëllim që do të dalë më 8 maj ̵ Patriarku Latin i Jerusalemit reflekton mbi kontekstin e luftës dhe rolin e Kishës në Tokën Shenjte: "Në mes të shkretimit, bashkësitë e krishtera mbeten shenjë e prekshme shprese dhe përvojash të guximshme gjallërie dhe vëllazërie, falë edhe afërsisë së vazhdueshme shpirtërore e aktive të Kishës universale".

R.SH. / Vatikan

A mund të jetojmë si të krishterë, në konfliktin me të cilin ndeshet Toka Shenjte? Kjo është pyetja që i drejtohet dioqezës në letrën e Patriarkut Latin të Jerusalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, publikuar dje, e hënë,  27 prill, nën titullin "U kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Propozim për ta jetuar thirrjen e Kishës në Tokën Shenjte".

Në librari, nga 8 maji

"Thirrja e Jeruzalemit", vëren në tekst Kardinali Pizzaballa, është të shërojë botën nga plagët e saj. T'i shërojë plagët me butësinë dhe guximin e faljes: ky është misioni sublim i Jeruzalemit, ku të krishterët janë kripë, dritë dhe maja brenda shoqërive, të cilave u përkasin plotësisht".

Fjalët e Kardinalit Pizzaballa përmbahen në dokumentin e gjatë, që përfaqëson "një propozim fillestar për reflektim", i cili do të zhvillohet "përmes diskutimit", "me kusht që dikush të jetë i motivuar nga dëshira e sinqertë për të kërkuar të kuptojë vullnetin e Zotit për secilin prej nesh". Teksti do të jetë edhe në librari, duke nisur të hënën, 8 maj, në një vëllim të botuar nga Libreria Editrice Vaticana në italisht, e është në studim për t`u botuar edhe në gjuhë të tjera, aktualisht në shqyrtim.

Një vizion për komunitetin

Letra ndahet në tri pjesë: e para fillon me "një vlerësim të gjendjes aktuale të çrregullimit", për të "ankoruar fort veten në realitetin ashtu siç është, duke njohur njëkohësisht praninë aktive të Zotit përbrenda”. Në të dytën, Patriarku ndan "një vizion për bashkësinë, të frymëzuar dhe të ankoruar në Shkrimin Shenjt, në lidhje të saktë me Jeruzalemin"; në të tretën, analizohen nënkuptimet  baritore të këtyre reflektimeve, për t'u zbatuar në famulli, familje, shkolla dhe institucione.

Kardinali Pizzaballa thekson se letra nuk përmban konsiderata dhe analiza thjesht politike: "Është 'politike' vetëm në kuptimin më të gjerë, në atë që ka të bëjë me qëndrimin tonë, si të krishterë, në polis, domethënë në botën tonë reale dhe në qytetin tonë të Jeruyalemit, megjithëse gjithnjë e orientuar drejt Polisit të vërtetë dhe përfundimtar, Jerusalemit qiellor". Ikona biblike rreth së cilës sillet reflektimi i Patriarkut është qyteti i Jerusalemit, i cili "bashkëjeton e ka marrëdhënie civile dhe fetare". "Ne  ̵ pohon Pizzaballa  ̵ jemi Kisha e Jerusalemit, e Qyteti Shenjt nuk është vetëm zemra gjeografike, por edhe zemra shpirtërore e komunitetit tonë kishtar". Kisha me fytyrë shumëplanëshe, "e shumtë nga vetë natyra e saj, duke pasur parasysh se Jerusalemi është nëna e të gjithë popujve", megjithatë "për shumë shekuj është zhytur kryesisht në një kontekst arab". Ky kuadër i saktë ofron një pikënisje për vështrimin tonë mbi të tashmen, vështrim që "aspiron t`i përqafojë dhe t`i përfshijë të gjithë banorët e saj".

Ngjarje spartiake

Nuk mund të mos i nisim nga 7 tetori dhe nga lufta në Gaza, "ngjarjet spartiake që, në mënyrën më të keqe të mundshme, mbyllën një epokë dhe hapën një tjetër". "Ajo që po jetojmë, vëren Patriarku, nuk është vetëm  konflikt lokal, por edhe simptoma e një ndryshimi paradigme në nivel global". Për dekada të tëra, bashkësia ndërkombëtare besonte në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, traktate dhe multilateralizëm, ndërsa sot të gjithëve "u duket se i kanë hapur sytë për të parë dobësisë së tyre". "Po dëshmojmë kthimin e forcës si mjeti vendimtar për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje", shton Kardinali. "Lufta është bërë objekt i një kulti idhujtar". Civilët nuk konsiderohen më viktima anësore, por dëme që fajësohen për dështimin për t'iu dorëzuar armikut ose instrumente të përdorura për të arritur qëllimet e tyre, ndërsa disa fuqi botërore zgjedhin nga cila anë të qëndrojnë jo në bazë të drejtësisë, por në bazë të interesave të tyre strategjike dhe ekonomike.

Pasojat e kaosit

"Është luftë që zhvillohet me fjalë dhe me figura", vëren Patriarku Latin i Jeruzalemit. "Gjithnjë e më e vështirë të dallosh lajmet nga propaganda, ndërsa po bëhen pyetje se sa njerëz në këto luftëra të fundit kanë vdekur për shkak të vendimit të një algoritmi". Jeta e dioqezës i përjetoi "pasojat e këtij kaosi", siç është shpërbërja e marrëdhënieve të helmuara nga urrejtja dhe mosbesimi, copëzimi në enklava dhe flluska identiteti, amplifikuar nga algoritmet e mediave sociale, humbja e kuptimit dhe erozioni i fjalëve "bashkëjetesë", "dialog", "drejtësi" dhe "e mirë e përbashkët".

Ndër efektet negative është kriza e dialogut ndërfetar, "e goditur nga kujtimet kontradiktore dhe shfrytëzimi i identitetit". "Vendet e Shenjta, të cilat duhet të jenë hapësira lutjeje", pohon Kardinali Pizzaballa, "bëhen fushëbeteja për identitetin, ndërsa tekstet e shenjta po përdoren për të justifikuar dhunën, pushtimin dhe terrorizmin. Ky abuzim i emrit të Zotit është mëkati më i rëndë i kohës sonë".

Një paralajmërim për institucionet fetare

Ky është një paralajmërim themelor për institucionet fetare të Jeruzalemit: "Pa e lejuar veten të ndriçohen vazhdimisht nga marrëdhënia e tyre me Zotin, ato atrofizohen, duke u bërë fortesa të pathyeshme të mbyllura për botën". Kardinali Pizzaballa pohon më tej se "synimi për pushtimin e hapësirës dhe pronës është bërë një nga kriteret kryesore për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare të Jerusalemit, duke shkaktuar përçarje dhe dhunë", por në vend të kësaj "na duhet guximi për të ndërtuar modele të reja marrëdhëniesh,  ku besimi i përbashkët në Zot bëhet një mundësi për takim dhe jo për përjashtim".

Në fund të fundit, ajo që nevojitet është "një mënyrë e re për të parë në dritën e Qengjit të Pashkëve", Krishtit të Ngjallur, e cila merr formë në "një stil jetese për qytetin me dyer të hapura dhe me kujtesë të pastruar". Në të vërtetë, është e nevojshme të "pastrohet kujtesa, duke rimenduar kategoritë e historisë dhe, për arsye të fajit, drejtësisë dhe faljes, për të krijuar një të ardhme të ndryshme". Pastaj duhet të punojmë për të siguruar që Jeruzalemi të jetë i arritshëm për të gjithë, sepse "nuk i përket askujt ekskluzivisht, por është trashëgimia e njerëzimit".

Implikime baritore

Në nivelin pastoral, duhet të mbahet mend përparësia e liturgjisë dhe e lutjes. Themelor është edhe roli i familjeve si laboratorë për edukimin në bashkëjetesë dhe respekt, ku e kaluara mund t'u rrëfehet fëmijëve me dhimbje dhe vërtetësi, por pa mbjellë ndjenja urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Shkollat ​​e krishtera, për më tepër, duhet të kuptohen si "punëtori i  njerëzimit të ri, ku transmetohet ndërgjegjja e krishterë dhe na mësohet të rilexojmë historinë me sy të lirë nga pakënaqësia".

Spitalet dhe institucionet sociale, vende ku pranimi, dialogu dhe shërimi janë realitete të jetuara tashmë, duhet të mbështeten. Një rol i rëndësishëm u takon edhe të moshuarve, të cilët janë kujtesa e gjallë, të rinjve - profecia - dhe meshtarëve e rregulltarëve, të cilët janë pika referimi besnike për komunitetin dhe modele të bashkëjetesës së mundshme. "Mbartja e kryqit të ndarjeve ndërmjet Kishave, është pjesë e misionit tonë", shton Pizzaballa, duke iu referuar marrëdhënieve me të krishterët e tjerë, "dhe për këtë arsye është e rëndësishme të nxisim mundësi konkrete për mirëkuptim të ndërsjellë dhe të flasim me një zë, sepse dëshmitari i parë është uniteti ndërmjet komuniteteve".

Si dishepujt, pas Ngjitjes së Jezusit në Qiell

Dialogu ndërfetar mbetet gjithashtu "domosdoshmëri jetësore". Së fundmi, është themelore që të mos tolerojmë kurrë "asnjë bashkëpunim me kulturën e dhunës", duke i dhënë hapësirë​​besimit. "Si është e mundur t`i bëjmë të gjitha këto?". Përgjigja e Patriarkut Pizzaballa është e thjeshtë: "Nuk mund t`i bëjmë vetëm. Por nuk jemi vetëm. Jezusi na pret në famullitë tona, në bashkësitë tona të besimit, në grupet dhe lëvizjet tona kishtare. Në fund të fundit, ajo që na mbështet nuk është forca jonë, por gëzimi i Ungjillit". "Edhe ne dëshirojmë të kthehemi në Jerusalemin tonë të përditshëm, si dishepujt pas Ngjitjes së Jezusit në Qiell. Le të kthehemi në jetën tonë me pasion. Ta mbajmë në zemrat tona ëndrrën e Zotit për qytetin e tij", përfundon Kardinali Pizzaballa, "dhe ta lejojmë atë ëndërr të bëhet, hap pas hapi, ditë pas dite, vetë jeta jonë".

28 prill 2026, 08:59