Kërko

Kardinali Robert Walter McElroy, Kryeipeshkëv Metropolit i Uashingtonit Kardinali Robert Walter McElroy, Kryeipeshkëv Metropolit i Uashingtonit

Kardinali McElroy:lufta në Iran "moralisht e paligjshme". Të ruhet armëpushimi

Gjatë Meshës së Vigjiljes për Paqen të kremtuar dje, më 11 prill, në katedralen e Shën Mateut Apostull, kardinali metropolitan kryeipeshkëv i Uashingtonit, D.C., i ftoi besimtarët të luten që ndërprerja e luftimeve të bëhet një themel i fortë për paqen në Lindjen e Mesme.

R.Sh. Vatikan

"Ne i përgjërohemi me ngut Zotit tonë, Princit të Paqes, të hapë mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që janë në pushtet që të shohin përtej interesave të tyre dhe të kërkojnë të mirën e atyre që janë përfshirë në këtë konflikt të hidhur dhe të pakuptimtë." Kardinali Robert Walter McElroy, kryeipeshkëv metropolitan i Uashingtonit, D.C., bëri këtë thirrje duke pasur parasysh luftën në Lindjen e Mesme, gjatë Meshës së Vigjiljes për Paqen që kremtoi dje, më 11 prill, në katedralen e Shën Mateut Apostull, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Thirrja e Papa Leonit XIV

Disa orë më parë, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë Papa Leoni XIV kryesor lutjen e rruzares së shenjtë për dhuratën e paqes. Në reflektimin e tij, Papa i ftoi politikanët të uleshin në tryezat e dialogut dhe ndërmjetësimit, dhe jo në ato "ku planifikohet riarmatimi dhe merren masa që shkaktojnë vdekjen!" Ai gjithashtu këmbënguli se Kisha do të vazhdojë të nxisë paqen "edhe kur refuzimi i logjikës së luftës mund t'i kushtojë asaj moskuptim dhe përbuzje", duke i mësuar njerëzit t'i binden "Zotit e jo njerëzve".

Refuzimi i rrugës së luftës

Duke pranuar ftesën e Papës, kardinali kremtoi një Meshë për Paqen. Predikimi i tij fillimisht u përqendrua në harmoninë që Zoti na jep nëpërmjet Ringjalljes. Kjo ofron "busullën e vetme thelbësore që na nevojitet për jetën tonë në këtë tokë", por gjithashtu nënkupton një përgjegjësi, si dishepuj të Zotit, "që të jemi paqebërës në botën ku jetojmë". Kjo barrë, "refuzimi i rrugës së luftës që na shpie drejt fundit të qytetërimit dhe na bën të kërkojmë sundimin mbi të tjerët në vend të paqes së vërtetë", është ajo çka rëndon më shumë mbi çdo besimtar në këtë çast historik.

"Një luftë e pamoralshme"

"Gjendemi në mes të një lufte të pamoralshme", pranoi McElroy. "Ne hymë në këtë konflikt jo nga nevoja por sepse kështu zgjodhëm. Ne nuk ndoqëm rrugën e negociatave me angazhim të mjaftueshëm deri në fund përpara se të përdornim armët." Ai më pas pranoi mungesën e objektivave të qarta, duke theksuar kalimin "nga ideja e dorëzimit pa kushte te ndryshimi i regjimit; nga shkatërrimi i armëve konvencionale deri te heqja e lëndëve bërthamore". Ndër pasojat që u panë gjatë kësaj lufte, u përmend: "zgjerimi i konfliktit përtej Iranit, destabilizimi i ekonomisë botërore dhe humbja e jetëve njerëzore". "Secili prej këtyre dështimeve politike", shtoi kryepeshkopi metropolitan, "është gjithashtu një dështim moral i cili, sipas parimeve katolike të luftës së drejtë, e bën si fillimin e këtij konflikti ashtu edhe çdo vazhdim të tij moralisht të paligjshëm".

"Drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme"

Kardinali më pas përmendi fjalët e Papës Leonit XIV, i cili tregoi "kthimin e zemrave dhe shpirtrave" si "rrugën e vetme të vërtetë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme". Një lutje e thekshme u ngrit nga Uashingtoni drejt Qiellit që "armëpushimi të ruhet dhe të çojë drejt paqes në Lindjen e Mesme". Po ashtu, kardinali pranoi "natyrën barbare të regjimit iranian" dhe "rrënimin e madh" të shkaktuar nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

"Jo në emrin tonë"

"Nuk mjafton të themi se u lutëm", ​​paralajmëroi në fund kardinali McElroy. "Ne duhet edhe të veprojmë. Si qytetarë dhe besimtarë në këtë demokraci që e duam thellësisht, ne duhet të nxisim paqen me përfaqësuesit dhe udhëheqësit tanë. Është me të vërtetë mjaft e mundur që bisedimet të dështojnë për shkak të kokëfortësisë së njërës ose të të dyja palëve dhe që presidenti ynë të vendosë të futet prap në këtë luftë të pamoralshme." "Në këtë moment kritik, si dishepuj të Jezu Krishtit, të thirrur që të jemi paqebërës në botë", përfundoi kardinali, "ne duhet të përgjigjemi me zë të lartë dhe të gjithë së bashku: «Jo. Jo në emrin tonë. Jo tashti. Jo me vendin tonë!»”

12 prill 2026, 17:57