Kërko

Kard. Pizzaballa: profanimi i kryqit në Liban, fyerje e rëndë për besimin e krishterë

Në një komunikatë të nënshkruar nga Patriarku Latin i Jerusalemit, Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë dënon ngjarjen e ndodhur në një fshat libanez dhe kërkon masa disiplinore të menjëhershme ndaj përgjegjësve, si dhe garanci që ky akt të mos tolerohet e as të mos përsëritet. Nga kardinali Pizzaballa vjen një thirrje e re për fundin e luftës.

R.SH. – Vatikan

Asnjë tolerancë ndaj gjestit mizor të një ushtari të IDF-së (forcave mbrojtëse izraelite), i filmuar dhe i bërë viral në rrjetet sociale, teksa godet vazhdimisht me një çekiç kokën e një shtatoreje të Jezusit të kryqëzuar. Profanimi i ndodhur në fshatin e krishterë Debl, në jug të Libanit, ka ngjallur dënimin dhe indinjatën e komunitetit ndërkombëtar. Indinjatë e thellë dhe dënim është shprehur edhe nga Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë (AOCTS) në një komunikatë të nënshkruar nga kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit dhe kryetari i këtij organizmi që bashkon ipeshkvijtë, eparkët, ekzarkët dhe krerët fetarë të ritit latin, melkit, maronit, armen, siro-katolik dhe kaldeas, si dhe koordinon aktivitetin baritor në Izrael, Palestinë, Jordani dhe Qipro, duke promovuar dialogun dhe duke trajtuar çështje që lidhen me të mirën e përbashkët dhe mbrojtjen e pakicave.

Veprim disiplinor i menjëhershëm

“Ky akt – lexohet në tekst – përbën një fyerje të rëndë për fenë e krishterë dhe i shtohet episodeve të tjera të raportuara të profanimit të simboleve të krishtera nga ushtarët e IDF-së në jug të Libanit”. Jo vetëm aq, “ai tregon gjithashtu edhe një mungesë shqetësuese në formimin moral dhe njerëzor, ku edhe respekti më elementar për të shenjtën dhe për dinjitetin e tjetrit është komprometuar rëndë”. Prandaj, Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë (AOCTS) kërkon “një veprim disiplinor të menjëhershëm dhe vendimtar, një proces të besueshëm llogaridhënieje dhe garanci të qarta se një sjellje e tillë nuk do të tolerohet dhe as nuk do të përsëritet”.

Kryqi, burim dinjiteti dhe shprese

Përballë këtij akti të radhës të dhunës dhe fyerjes, kardinali Pizzaballa, në emër të të gjithë anëtarëve të Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë (AOCTS), rikonfirmon domethënien “e paprekshme” të kryqit – dje, sot, nesër dhe përgjithmonë – si dhe paralajmërimin që vjen nga ai simbol mes bombave dhe rrënojave. “Siç deklaron Shën Pali Apostull: ‘Larg qoftë prej meje të mburrem me tjetër gjë, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht’ (Gal 6,14). Për besimtarët, Kryqi mbetet burim dinjiteti, shprese dhe shëlbimi, si dhe një ftesë për të mposhtur dhunën përmes dashurisë flijuese. Është pikërisht në këtë dritë që Kisha vazhdon të shpallë se paqja e vërtetë nuk mund të lindë nga dhuna, por duhet të mbetet, sipas fjalëve të Papa Leonit XIV, e çarmatosur. Një paqe që fton për ta kthyer shpatën në mill”.

Mjaft me luftë

Nga këtu vjen edhe një apel i ri për ndërprerjen e armiqësive dhe të luftës në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë Lindjen e Mesme, rajon tashmë i rrënuar dhe i shkatërruar nga një konflikt çnjerëzor, “dhe të ndërmerret një rrugëtim ku paqja të manifestohet përmes moderimit, dialogut, përgjegjësisë dhe respektit për të shenjtën dhe për çdo jetë njerëzore”.

20 prill 2026, 18:39