Kërko

Papa midis besimtarëve të Kamerunit Papa midis besimtarëve të Kamerunit

Imzot Ramolo, ipeshkëv i Çadit: çdo vizitë e Papës në Afrikë i bën mirë Kishës Universale

Drejton Dioqezën e Goré-së që nga viti 1999, në Afrikë që 44 vjet, Imzot Ramolo ndodhet në Kamerun për ardhjen e Leonit XIV: "Ardhja e një Pape është shtysë për të forcuar besimin dhe respektin për njerëzimin e natyrën. Kisha Afrikane ndonjëherë ndjehet paksi e lënë mënjanë; tani është autonome dhe e ka inkulturuar Ungjillin, pa kopjuar atë që është bërë diku tjetër". Ipeshkvi rrëfen sfidat me të cilat përballet vendi i tij: nga të rinjtë, te konfliktet ndërmjet pastorëve myslimanë dhe fermerëve

R.SH. / Vatikan

Imzot Rosario Pio Ramolo, italian, shtatëdhjetë e tre vjeçar, nga viti 1999 ipeshkëv i Dioqezës së Gorè-së, në skajin jugor të Çadit, në kufi me Kamerunin dhe Republikën Qendrore Afrikane, e jetoi pothuajse gjysmën e jetës së tij në Afrikën Sub-Sahariane, rrëfe ngjarjet që lidhen me udhëtimin e Papës Leoni XIV në Afrikë. Në Çad, pashë vërtet të gjithë udhëtimin që këta njerëz e kanë ndërmarrë gjithmonë", 

Imzot Ramolo është aktualisht në Yaoundé, kryeqytet i Kamerunit, për ta jetuar vizitën e Pasardhësit të Pjetrit nga afër. "Ky është Papa i tretë që kam parë këtu", shpjegoi ipeshkvi për mediat e Vatikanit, të cilëve u ofroi  panoramikën e realitetit të kontinentit afrikan dhe të vendit ku është bari.

Çfarë kuptimi ka vizita e Papës për kontinentin?

Mbërritja e Papëve është vërtet nxitje e madhe për Kishën afrikane ngaqë, edhe pse e jeton thellësisht fenë, ndonjëherë ndihet disi e përjashtuar nga Kisha në tërësi. Afrika tani është bërë Kishë e pavarur, pak nga pak, dhe për këtë arsye duhet t'u tregojë edhe kontinenteve të tjera, Kishave të tjera, atë që jeton dhe si e jeton, sepse ka kërkuar ta inkulturojë Ungjillin, në vend që të kopjojë çka është bërë diku tjetër. Për shembull, këngët dhe vallet gjatë festimeve janë të natyrshme për popullin afrikan. Gjë që, sipas një mendësie të caktuar, mund të duket mungesë respekti... Ajo që përpiqemi të mësojmë, një mënyrë të caktuar e të jetuarit e fesë, e edhe të festuarit në mënyrën evropiane, janë gjëra që nuk korrespondojnë këtu. Dhe kështu, pak nga pak, ata po e inkulturojnë veten dhe po vihen "më shumë nën kontroll" të Kishës së tyre, të aftë ta shprehin fenë  e krishterë në mënyrën e vet.

Cila është situata e të rinjve në Afrikë? Çfarë lloj lëvizjeje shihni ndërmjet brezave të rinj?

Për të rinjtë tani, ekziston një periudhë që e përjetuam vite më parë në Itali: kalimi nga qytetet e vogla, në qytet. Për shembull, kur bëhet fjalë për punën: ata duan të braktisin fushat ose punët më të kërkuara, për të kërkuar punë ku ka një vend, në të cilin mund të ulen. Shkurt, kjo frymë ka depërtuar edhe tek të rinjtë e sotëm afrikanë, kështu që po përpiqemi t'u japim atyre që nuk kanë mjete për të studiuar, ose atyre që nuk kanë të afërm në qytetin e madh, mundësinë për të përqafuar aktivitete që ua plotësojnë nevojat. Vështirësia për të rinjtë është se ata nuk kanë mjete dhe, për këtë arsye, nuk mund të jenë të pavarur. Pra, sfida që po marrim përsipër është pikërisht kjo: t’i ndihmojmë të rinjtë dhe të rejat të gjejnë paratë dhe burimet që u nevojiten, të paktën pjesërisht, për t'i dhënë kuptim jetës së tyre.

E gjithashtu për të parandaluar edhe valën e migrimit, apo jo?

Eh, po, edhe kjo! Edhe pse është situatë e çuditshme në Çad... Jemi një vend shumë më i varfër se Kameruni dhe kombet e tjera, e po, për fat të keq, edhe të rinjtë tanë largohen, por jo në numër të madh. Shumë pak shkojnë në Evropë. Në vend të kësaj, janë të tjerë që vijnë, për shembull, nga Senegali dhe guxojnë të shkelin në shkretëtirën e Çadit, për të shkuar në Libi, e pastaj gjetiu. Vështirësia në Çad, megjithatë, është se shumë të rinj nga jugu përpiqen të shkojnë në veri, ku kanë gjetur ar dhe janë të punësuar në nxjerrjen e lëndëve të para. Nuk është ndërmarrje shtetërore... Kështu që këta të rinj shpesh përfundojnë në burg, të dëbuar. Vuajnë, por prapë se prapë e provojnë aventurën.

Shkëlqesi, në një vend si Çadi, ku po jetohen këto vështirësi, si jetohet kjo kohë lufte, kërcënimesh dhe dhune në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të botës?

Epo, shumica e njerëzve as nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, e për kë po flasim. Tashmë atje ka shumë vështirësi, veçanërisht ndërmjet  barinjve dhe fermerëve, me barinj që i vendosin qetë e tyre në fushat e fermerëve dhe i shkatërrojnë ato. Ndaj ne përpiqemi ta zgjerojmë pak perspektivën e vështirësive, të "krahasojmë" vuajtjet, duke shpjeguar se çfarë ndodh diku, me vendet që sulmojnë tokat e vendeve të tjera. Por, e përsëris, ka shumë vështirësi në Çad. Disa janë vërtet stërgjyshore... Shkretëtira tani po përparon, barinjtë nuk kanë më tokë të mjaftueshme për të kullotur bagëtinë dhe po përpiqen me çdo kusht të pushtojnë të tjerët. Pastaj, shtoni faktin se barinjtë janë myslimanë, ndërsa fermerët, të krishterë... Ne përpiqemi t'i ndihmojmë,  që ta parandalojnë marrjen e tokave të tyre. Ne, si Kishë, po luftojmë gjithashtu me këto ligje qeveritare, që nuk i sjellin dobi të gjithë popullsisë, por vetëm një pjese.

Cilat janë pritjet nga kjo vizitë e Leonit XIV në Afrikë?

Çdo vizitë papnore është shtytje për ta forcuar fenë, respektin për njerëzimin dhe për natyrën. Ky është rezultat i çdo vizite papnore në Afrikë, që i sjell dobi Kishës universale sepse vetë Papa, duke zbuluar gjërat e bukura këtu në Afrikë, mund t'i ndajë ato me Kishat diku tjetër, në vizita të tjera, në udhëtime të tjera. E, në këtë drejtim, mund ta kuptojë më mirë shprehjen e fesë afrikane, e cila nuk është identike me atë që përjetohet dikund tjetër, por është plot me pasuri.

17 prill 2026, 13:31