2025.05.10 Papa Leone XIV Genazzano Santuario Madre del Buon Consiglio

Gjenacan: kremtohet të mbërriturit e Nanës së Këshillit të Mirë, nga Shkodra, më 25 prill 1467

U zhvillua dje, 25 prill, në Gjenacan, kremtimi i të mbërriturit të afreskut të Nanës së Këshillit të Mirë, më 25 prill të vitit 1467.

R.Sh. / Vatikan

Kremtimet i kryesoi ipeshkvi i Tivolit-Palestrinës imz. Mauro Parmeggiani, bashkë me imz. Angelo Massafrën, arqipeshkëv nderit i kryedioqezës Shkodër-Pult si dhe rektori augustinian i Bazilikës së Gjenacanit, Atë Ludovico Maria Centra.

Në orën 17.15, çasti kur simbas kronikave të kohës u pa afresku që zbriti nga qielli dhe u ngjit në murin ndërtuar përgjysëm të kishës, u zbulua afresku i Nanës së Këshillit të Mirë i cili ishte mbuluar përkohësisht me një kapak argjendit. Në atë çast ranë për 15 minuta këmbanat e të gjitha kishave të Gjenacanit, pikërisht ashtu sikurse rrëfen kronika e Atë Ambrogio da Cori, historian i atyre ndodhive. Siç dihet, pak ditë pasi u shfaq afresku, në Gjenacan mbërritën edhe dy shkodranët, emrat e plot të të cilëve janë: Pal Ndoc Gjergji dhe Pjetër Shkjau (Paolo Antonio Giorgi et Petrus de Sclavis), të cilët dëshmuan se kishin kaluar detin në këmbë, pa u lagur dhe kishin mbërritur në Gjenacan (I. Sarro, La Madonna del Buon Consiglio, storia di un Viaggio straordinario)

Në fillim, mbrëmë, në kapelën e afreskut të mrekullive u këndua himni i lashtë «Akathistos», cili siç thotë emri i tij, këndohet në këmbë nga besimtarët, e që i kushtohet Virgjërës Mari, nënës së Zotit.

Më pas, në orën 18.00 vijoi kremtimi i Meshës Papnore. Gjatë homelisë, pas përshëndetjes të rektorit të Bazilikës, Atë Ludovico-s, të cilin të gjithë shqiptarët e njohin mirë për bujarinë dhe dashurinë që tregon kundrejt shtegtarëve, foli edhe ipeshkvi i Tivolit imz. Mauro Parmeggiani, i cili falenderoi imz. Angelo Massafrën si arqipeshkëv nderi i Shkodrës, tashmë në pension dhe të gjithë pjesëmarrësit që kishin mbushur plot e përplot bazilikën dhe madje, një numër i madh, kishte zënë vend edhe jashtë. Mes tjerash, imz. Parmeggiano, pasi falenderoi kryetarin e bashkisë dhe autoritetet e rendit në Gjenacan, tha se kujtonte fare mirë se si e kishte shoqëruar Gjon Palin II në vizitën e tij në Tiranë dhe Shkodër, kur u patën shuguruar të parët ipeshkvij mbas regjimit komunist si edhe vizitën dhe bekimin e gurit të themelit të Bazilikës së re të Nanës së Këshillit të Mirë, në Shkodër.

Sidoqoftë, tha imz. Parmeggiano, kësaj herë, me kërkesë të kryeipeshkvit të ri të Shkodrës, imz. Giovanni Peragine, me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore të Shqipërisë,  edhe Bazilika e Gjenacanit shpallet kishë jubilare ku mund të merret Ndjesa e Plotë nga shtegtarët, njëlloj sikur të ishin në Shkodër.

Në fund, imz. Parmeggiano tha, duke buzëqeshur «Ne, me etërit e tjerë që kremtuam këtu, po shpresonim se mos do të vinte papritmas edhe Papa Leoni, sikurse ia pati behur një ditë pasi u zgjodh Papë».

Përveç se në Brazil  dhe në Argjentinë, ku kultit i Nanës së Këshillit të Mirë është shumë i përhapur, dy vende ku njihet mirë historia e ardhjes së saj nga Shqipëria, Zoja e Këshillit të Mirë, kohët e fundit është bërë mjaft e njohur edhe në Letoni.

E në të vërtetë, në qytetin Pasiene, në Letoni, është ndërtuar një bazilikë kushtuar Nanës së Këshillit të Mirë. Vitin që shkoi, me kërkesë të autoriteve kishtare letone, u realizua një kopje e afreskut të Gjenacanit, me autorizimin e Ministrisë italiane të së Mirave Kulturore, dhe pasi u bekua nga Papa Leoni XIV tani ky afresk, kopje e origjinalit, gjendet në këtë bazilikë të Letonisë. Kjo është hera e parë që kopja është një afresk dhe jo kanavacë.

Krahas historisë së afreskut të Gjenacanit në këto shtete po njihet gjithnjë e më shumë edhe historia e Shqipërisë.

Kujtojmë se kjo festë, në Shkodër kremtohet një ditë pas Gjenacanit, më 26 prill. Duke filluar nga kjo datë, në Shqipëri nis edhe viti jubilar (26 prill 2026-26 prill 2027) kushtuar 130-vjetorit të shpalljes së Nanës së Këshillit të Mirë, Pajtore të Shqipërisë.

Viti 2026 përkon edhe me 35-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shejtë qe z. Willy Kamsi, stërnip i ipeshkëvit të Shkodrës, imz. Pal Kamsit, pikërisht atij që hartoi edhe një nga relacionet e para (1757) rreth mrekullive të Zojës së Këshillit të Mirë.

Mbi bazën e rrëfimeve të tij, u realizua edhe piktura-hartë e Shkodrës që gjendet në murin e korridorit të kuvendit augustinian, me një legjendë, në këndin majtas, poshtë, që përshkruan ndodhitë e kohës.

Me këtë rasë, etërit augustinianë shfaqën para besimtarëve edhe sendet e arta dhe xhevahiret që përgjatë shekujve i janë ofruar Virgjërës së Gjenacanit si peng nderimi.

26 prill 2026, 10:19