Festa e Shën Ritës: Papa Leoni XIV do të bekojë pishtarin e paqes më 20 maj

Papa do të bekojë më 20 maj, në Sheshin e Shën Pjetrit, pishtarin e paqes të Shën Ritës, ndezur më 14 mars në Çikago, vendlindje e Leonit XIV

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV do të bekojë më 20 maj, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, pishtarin e faljes dhe të paqes të Shën Ritës, ndezur më 14 marsin e kaluar, në Çikago.

Ndërsa Motër Maria Grazia Cossu, Abatesha Amë e Manastirit të Cascias pohon: "Ky pishtar është shumë më tepër se një shenjë! Është  thirrje që i tejkalon kufijtë dhe e sfidon ndërgjegjen e çdo njeriu. Në harmoni me thirrjen e fortë të Papës Leoni XIV për paqen, duam të përsërisim se nuk mund të mësohemi me luftën, as t’i dorëzohemi përçarjes. Shën Ritës ia besojmë britmën për paqe, që lartohet drejt qiellit nga popujt dhe familjet, në mënyrë që të shndërrohet në gjeste dialogu, pranimi dhe vëllazërie.

Kjo është detyra që na është besuar: të jemi, secili në jetën tonë të përditshme, ndërtues të paqes", shton Abatesha. Kështu tingëllon edhe thirrja e Atit Joseph L. Farrell, Epror i përgjithshëm i Urdhërit augustinian, i cili më 21 maj, në orën 16:30, do të kryesojë Meshën për familjen augustiniane:   "Të kremtojmë Shën Ritën, do të thotë të ripërtërijmë angazhimin tonë për të qenë ndërtues të paqes, në Kishë e në botë"- thekson.

Më 22 maj, ditë e lindjes – dhe e festës liturgjike e shën Ritës, Mesha solemne, në orën 11:00, në Sallën e Paqes, do të kryesohet nga Kardinali Stanisław Dziwisz, Kryeipeshkëv Nderi i Krakovisë. Do të pasohet nga një lutje drejtuar Shën Ritës e edhe nga bekimi i trëndafilave. Është dita e trëndafilave çdo vit, kjo ditë feste, që na kujton Shenjten, e cila vuajti shumë në jetë.

Rita, e lindur Margherita Lotti (Roccaporena, 1381 - Cascia, 22 maj 1457), ishte murgeshë italiane nga manastiri Augustinian i Shën Maria Madalenës.  Shpallur e Lume nga Papa Urbani VIII në vitin 1626,  u kanonizua nga Papa Leoni XIII, në vitin 1900. Rita është shenjtja e trëndafilave e, sidomos, e ndërmjetësimit për ta shpëtuar njeriun nga rreziqet, që nuk mungojnë kurrë në shtegtimin e jetës!

28 prill 2026, 14:58