Comece, në Qipro Asambleja plenare, për një Evropë më humane e gjithëpërfshirëse
R.SH. - Vatikan
"Mjaft më me dhunën, me shkeljen e dinjitetit e të drejtësisë!". Këto ishin fjalët që tha dje kryepeshkvi maronit i Qipros, Selim Jean Sfeir, para ipeshkvijve të Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (COMECE), në hapjen e Asamblesë së tyre Plenare të mërkurën, më 23 prill. Me rastin e presidencës qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian, ipeshkvijtë e BE-së vendosën të takohen në Nikosia, për sesionin e pranverës 2026. Në qendër do të jetë situata aktuale në Tokën e Shenjtë dhe në Lindjen e Mesme, me vëmendje të veçantë në gjendjen e të krishterëve, si dhe me sfidat me të cilat përballen Kisha dhe bashkësitë e krishtera në rajon.
Të favorizohen pajtimi dhe paqja
"Mjaft më, vazhdoi Sfeir, me indiferencën përballë vuajtjeve njerëzore; mjaft me logjikën e pushtetit, që shkel të drejtat themelore. Ne jemi të thirrur të ndriçojmë ndërgjegjet, të nxisim dialogun dhe të mbështesim çdo nismë që nxit pajtimin dhe paqen". Zgjedhja e Qipros për ngjarjen, organizuar nga Arkiparkia Maronite, ka rëndësi të veçantë në një kohë të ngarkuar me tensione, konflikte dhe transformime të thella politike e shoqërore, që vazhdojnë të krijojnë tensione dhe përçarje" - shpjegoi Kryeipeshkvi Sfeir. Një ishull që ka qenë gjithmonë urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe nuk është kursyer nga konflikti, duke qenë ende i ndarë më dysh, ndërsa vetë qyteti i Nikozisë vijon të përshkohet nga telat me gjemba. "Detyra jonë si dishepuj të Krishtit është të jemi zë, që bërtet në shkretëtirën e kësaj bote. Kisha në Evropë – vazhdoi kryeipeshkvi Sfeir - duhet të pohojë pa ngurrim se dinjiteti njerëzor është themel i bashkëjetesës së vërtetë, se drejtësia është kusht për paqen dhe se dashuria ungjillore është e vetmja forcë e aftë ta shndërrojë historinë".
Thirrja për protagonizëm më të madh të BE-së
Ipeshkvi Mariano Crociata, president i COMECE, gjatë fjalimit lexuar në hapje të asamblesë, foli për "një botë të tronditur nga nisma ushtarake, moskuptimi i të cilave është vështirë të mohohet, vetëm nëse duam t'i japim kuptim dëshirës ekspansioniste dhe grabitqare të një shteti kundër një tjetri, në shpërfillje të të gjitha të drejtave ndërkombëtare dhe të njeriut". "Skenari global paraqitet si i panjohur", duke pasur parasysh frontet që variojnë nga Ukraina - deri te "ndërmarrja e ligë kundër Iranit dhe Libanit", më e fundmja, për të mos përmendur Gazën. Bashkimi Evropian "hyri në mënyrë dramatike në vorbullën e çrregullimit global në rritje", por "mungesa e tij, ose më saktë, përjashtimi i tij, nga diskutimet formale ku flitet për ngjarjet dramatike që po zhvillohen, nxorën në pah prej kohësh një dobësi shumë serioze institucionale, që ndikon në identitetin dhe dinjitetin, si entitet mbikombëtar", deklaroi imzot Crociata. "Evropa na përket ne" dhe "fati i saj na sfidon dhe na vë në rrezik". Prandaj, Crociata bëri thirrje që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh.
Një ftesë për bashkëpunim
Dje në mëngjes folën edhe Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit (nëpërmjet lidhjes video), si dhe Ipeshkvi Bruno Varriano, Vikar Apostolik i Latinëve në Qipro. Sot ipeshkvijtë e COMECE-së u takuan me Zëvendësministren e Kulturës, Vasiliki Kassianidou, e cila foli për ndarjen e Qipros, duke e quajtur "plagë e hapur në zemër të vendit tonë dhe të Evropës".
Kassianidou u përshkroi ipeshkvijve jetën e Kishave dhe të krishterëve në pjesën veriore të ishullit, duke vënë në pah vështirësitë që lidhen me pamundësinë për të hyrë në vendet e adhurimit dhe dëmet që pësuan gjatë dekadave. Zëvendësministrja e përfundoi fjalimin e saj me ftesën "që të bashkëpunohet për një Evropë më humane, gjithëpërfshirëse elastike".
Ipeshkvijtë u takuan më pas edhe me Komisioneren Evropiane për Mesdheun, Dubravka Šuica, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin rajonal, zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë në Mesdhe.
Sot, 24 prill, ditën e fundit të Asamblesë, COMECE do t'i kushtojë një seancë temës së migracionit dhe azilit.