Kërko

COMECE - Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian COMECE - Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian

COMECE në BE: të veprojmë së bashku për të ndërtuar paqen dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor

Në përfundim të sesionit pranveror, Komisioni i Konferencave ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, që do të mblidhet në Nikozi deri më 24 prill, kujton konfliktet dhe vuajtjet e shumta të një mori popujsh në mbarë botën. Ipeshkvijtë evropianë janë thellësisht të trishtuar nga tragjeditë që shkaktojnë humbjen e jetëve të panumërta njerëzore, shkatërrimin e përhapur dhe krizat humanitare, të cilat prekin kaq shumë familje.

R.SH. / Vatikan

Bashkimi evropian dhe Shtetet e tij anëtare duhet të vazhdojnë "të veprojnë të bashkuar e me vendosmëri, duke intensifikuar angazhimin e tyre diplomatik, politik dhe humanitar për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare dhe iniciativat gjithëpërfshirëse të ndërtimit të paqes, duke siguruar që zërat e të gjithëve, përfshirë bashkësitë fetare, të dëgjohen, e të drejtat e tyre të respektohen". Kjo është nxitja e COMECE - (Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian), në përfundim të asamblesë së saj plenare të pranverës, mbajtur në Qipro nga 22 deri më 24 prill. Ipeshkvijtë e deleguar, në një deklaratë titulluar "Thirrje urgjente për të kërkuar dhe për të ndjekur paqen", shprehën shqetësimin e thellë për fatin e "të gjithë atyre që vuajnë nga dhuna shkatërruese, paqëndrueshmëria dhe padrejtësia në Tokën Shenjte, Liban, Iran dhe në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme".

E keqja e luftës dhe e dhunës

Ipeshkvijtë e Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian i drejtuan mendimet e tyre në zona të tjera gjeografike të prekura nga luftërat, që vazhduan për disa vite. "Ne kemi në zemrat dhe mendjet tona, në një mënyrë të veçantë, Ukrainën, Sudanin, si dhe pjesë të tjera të botës, që vuajnë nga e keqja e luftës dhe e dhunës. Jemi thellësisht të trishtuar nga këto tragjedi - shkruhet në deklaratë - "të cilat shkaktojnë humbjen e jetëve të panumërta njerëzore, rrënimin e përhapur dhe krizat humanitare që prekin kaq shumë familje". Nga Qiproja, tokë e karakterizuar nga trashëgimia e pasur kulturore dhe fetare, por edhe nga  historia që vazhdon të ketë plagët e përçarjes, "na kujtohet rëndësia e përpjekjeve të vazhdueshme drejt ndërtimit të besimit dhe të pajtimit. U prekëm thellësisht nga dëshmia e bashkësive maronite në pjesën veriore të ishullit, prania e vazhdueshme e të cilave është e rëndësishme për zhvillimin e dialogut dhe kontributin në kulturën e takimit.

Takim, dialog, pajtim

COMECE kujtoi se Mesdheu është një nga përmasat themelore të identitetit evropian, duke theksuar se duhet të ketë vëmendje më të madhe nga BE-ja dhe të formohet "jo nga mosbesimi dhe konfrontimi, por nga politikat që nxisin  takimin, dialogun, pajtimin, zhvillimin dhe paqen". Më pas i bëri thirrje BE-së të luajë rol më të madh në fushën e diplomacisë dhe të negociatave. "Bashkimi Evropian, theksuan ipeshkvijtë, i lindur si  projekt paqeje, ka përgjegjësinë e veçantë për të vepruar si forcë e besueshme për paqen dhe si promovues aktiv i stabilitetit dhe dialogut në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, duke kontribuar njëkohësisht edhe në sigurinë detare dhe energjetike si dhe në përpjekjet për mospërhapjen bërthamore brenda procesit global të paqes.

Në të njëjtën kohë, shtuan ata, BE-ja është e thirrur të tregojë solidaritet me Shtetet anëtare të prekura nga paqëndrueshmëria rajonale dhe të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme për pasojat e këtyre konflikteve brenda shoqërive evropiane, veçanërisht në lidhje me nxitjen e kohezionit social dhe menaxhimin e kostos të jetesës në rritje. Në Nikosia, si pjesë e Presidencës Qipriote e Këshillit të BE-së, ipeshkvijtë patën mundësinë të dialogojnë me zëvendës-ministren e Kulturës, Vasiliki Kassianidou. Me të folën për sfidat kryesore që përballon Qiproja, siç janë ndarja e vazhdueshme e ishullit, hyrja në vendet e kultit të krishterë dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

29 prill 2026, 15:10