Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprimi baritor i Kishës në sferën shoqërore
R.SH. - Vatikan
Kisha Katolike e përdor Doktrinën e saj Shoqërore si një kornizë të qëndrueshme për të interpretuar e për të orientuar realitetet njerëzore. Ajo “formulon një doktrinë të vërtetë… që të japë orientime për zgjidhjen e drejtë të problemeve” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 5), duke i dhënë kështu vetes një rol aktiv në jetën publike. Në qendër të saj është dinjiteti i njeriut dhe një vizion i gjithanshëm antropologjik, që shndrit me Ungjillin ekonominë, politikën dhe kulturën. Ky s’është tjerër, veçse inkulturimi i Ungjillit në çdo situatë, me synimin për ta kapërcyer “frakturën ndërmjet Ungjillit dhe kulturës”, duke e bërë Kishën “më të kuptueshme… dhe më të përshtatshme për misionin”, siç thoshte Papa shenjt Gjon Pali II, në enciklikën Redemptoris missio (11).
Doktrina shoqërore dhe baritorja shoqërore
Baritorja shoqërore e Kishës, pra, veprimi i saj në shoqëri, është zbatimi konkret i këtij mësimi: një ungjillëzim, që ndërvepron me historinë dhe sfidat e përditshme të saj. Kjo kërkon dëshmi praktike, sepse “mesazhi shoqëror i Kishës… bëhet i besueshëm përmes dëshmisë së veprave” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 57). Misioni i saj është i dyfishtë: të shndrisë ndërgjegjen e njerëzve dhe të nxisë veprimin. Baza është, pa dyshim, shpallja e Ungjillit si çelës interpretimi për shoqërinë, duke pranuar se çdo realizim historik mbetet i kufizuar në krahasim me planin më të gjithanshëm, që është ai i Hyjit.
Doktrina shoqërore dhe formimi
Për këtë arsye, është i nevojshëm formimi i të krishterëve me parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës, gjë që ka rëndësi sidomos për laikët, të cilët jetojnë e punojnë pikërisht në shoqërinë, ku duhet të hedhin farën e Ungjillit. Mësimi shoqëror është “një burim i jashtëzakonshëm formativ”, por shpesh mbetet i panjohur dhe i pazbatuar. Katekeza synon jo vetëm njohjen, por bashkimin me Krishtin dhe angazhimin për drejtësi e paqe. Ideale do të ishte formimi i njerëzve që “t’i gjykojnë gjërat në dritën e të vërtetës” dhe të veprojnë me përgjegjësi në jetën publike (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 75).
Nxitja e dialogut
Doktrina shoqërore shërben si platformë dialogu me shoqërinë civile, me politikën dhe me fetë e tjera. Ajo favorizon bashkëpunimin për paqe dhe drejtësi, duke theksuar se fetë kanë rol kyç në zhvillimin njerëzor. Ky dialog ndërtohet mbi vlera të përbashkëta dhe synon kapërcimin e ndasive (Gjon Pali II, enc. Sollicitudo rei socialis, 32).
Subjektet e baritores shoqërore
Misioni për ta përhapur analizën ungjillore të shoqërisë në të gjithë botën e për ta përdorur atë në veprimtarinë e përditshme është i gjithë Kishës: “misioni u përket gjithë të krishterëve”, siç nënvizonte Papa shenjt Gjon Pali II, në enciklikën Redemptoris missio (2). Ipeshkvijtë, meshtarët, laikët dhe rregulltarët bashkëpunojnë për ta zbatuar në jetë Doktrinën Shoqërore. Por, siç thekson shpesh Kisha, janë veçanërisht laikët ata, që e kanë për detyrë të ndikojnë mbi strukturat shoqërore, ndërsa dëshmia e jetës së kushtuar Zotit, siç është ajo e murgeshave, e meshtarëve dhe e rregulltarëve, mbetet shenjë profetike e “njerëzimit të ri”, që Kisha synon të ndërtojë, si edhe u kujton të gjithëve vlerën e shenjtërisë e të shërbimit për të afërmin.