2025.09.16 Pontificio Istituto Teologico Giovanni Paolo II, Loreto_2025, foto Dicastero Laici Famiglia e vita

Çelësi i fjalëve të Kishës: Doktrina Shoqërore e Kishës dhe shërbimi i laikëve

Doktrina Shoqërore e Kishës është mjet themelor për formimin e laikëve, për të cilin këshillon si vend të privilegjuar shoqatat dhe lëvizjet kishtare. Këto kontekste mundësojnë një formim, që nuk është abstrakt, por thellësisht i lidhur me jetën konkrete, pasi ofrojnë një formim të rrënjosur thellë në vetë përvojën e jetës apostolike

R.SH. – Vatikan

Javës së kaluar folëm për angazhimin e besimtarëve laikë në Kishë, ashtu siç parashikohet nga Doktrina Shoqërore e saj, e cila nuk është grumbull i thjeshtë parimesh, por udhërrëfyes i gjallë, që orienton veprimin konkret të besimtarëve laikë. Ajo gjen shprehjen e saj të plotë jo vetëm në studim, por mbi të gjitha në jetën komunitare dhe në shërbimin e përditshëm, ku takohen feja dhe përgjegjësia shoqërore. Përvoja kishtare tregon se formimi dhe dëshmia ushqejnë reciprokisht njëra-tjetrën, duke i dhënë formë një pranie të krishterë, të aftë për të ndikuar në histori.

Formimi nëpërmjet përvojës së shoqatës

Doktrina Shoqërore e Kishës është mjet themelor për formimin e laikëve, për të cilin këshillon si vend të privilegjuar shoqatat dhe lëvizjet kishtare. Këto kontekste mundësojnë një formim, që nuk është abstrakt, por thellësisht i lidhur me jetën konkrete, pasi “ofrojnë një formim të rrënjosur thellë në vetë përvojën e jetës apostolike" (Gjon Pali II, Nxitja ap. Christifideles laici, 62).

Veprimi në shoqatë nuk është thjesht çështje organizative, por shprehje autentike e bashkësisë kishtare, që shfaqet në përgjegjësinë e përbashkët për misionin e Kishës: "veprim solidar... në pjesëmarrjen me përgjegjësi në jetën dhe në misionin e Kishës" (Gjon Pali II, Nxitja ap. Christifideles laici, 29). Në këtë kuptim, Doktrina Shoqërore e shndrit dhe e mbështet angazhimin e laikëve në sfera të ndryshme të jetës së botës.

Kisha u jep rëndësi të veçantë shoqatave profesionale, ku takohen feja dhe aftësitë profesionale. Mjekët, mësuesit, juristët dhe punëtorët janë të thirrur t’i jetojnë me shoshitje të krishterë sfidat e ambientit të tyre të punës, duke kontribuar kështu në rritjen e ndërgjegjes personale dhe në transformimin e kulturës.

Shërbimi si dëshmi në shoqëri

Tipari dallues i pranisë së besimtarëve laikë në botë është shërbimi, shprehje konkrete e bamirësisë dhe e dashurisë së krishterë në sferat e ndryshme të jetës: familje, punë, kulturë, ekonomi dhe politikë. Feja bëhet e dukshme pikërisht në angazhimin e përditshëm, ku Doktrina Shoqërore realizohet plotësisht: ajo gjen plotësinë e saj "kur jetohet konkretisht e përdoret për zgjidhjen e problemeve sociale" (Gjoni XXIII, enc. Mater et magistra, 454).

Vetë besueshmëria e Doktrinës Shoqërore varet jo vetëm nga koherenca e saj teorike, por edhe nga dëshmia e veprave. Vetëm në jetën konkrete Ungjilli bëhet forcë transformuese. Në një botë të karakterizuar nga sfida të thella, besimtarët laikë janë të thirrur të hapen ndaj të gjithëve, besimtarëve dhe jobesimtarëve, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më vëllazërore. Horizonti është universal: të ndihmohet çdo njeri ta njohë dinjitetin e vet dhe të kontribuojë në një botë më humane, "duke iu përgjigjur, me një përpjekje bujare dhe të përbashkët, thirrjeve më urgjente të kohës sonë" (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 91).

Primati i shërbimit për njeriun

Në zemër të angazhimit shoqëror të Kishës – pra, edhe të besimtarëve laikë - është njeriu, dinjiteti i të cilit përfaqëson të mirën më të çmuar. Promovimi i njeriut është "detyra qendrore dhe unifikuese" e shërbimit kishtar (Gjon Pali II, Nxitja ap. Christifideles laici, 37). Ky angazhim lind para së gjithash nga një ripërtëritje e brendshme: nuk janë strukturat ato, që e ndryshojnë historinë, por njerëzit. Për këtë arsye, "ripërtëritja e brendshme e shpirtit të krishterë" (Piu XI, enc. Quadragesimo anno, 218) i paraprin çdo transformimi të vërtetë shoqëror. Nga kthesa e zemrës buron angazhimi për të përmirësuar institucionet dhe kushtet e jetesës, në mënyrë që ato të respektojnë dinjitetin e të gjithëve.

Ndër shtyllat e këtij dinjiteti janë e drejta për jetë, që nga embrioni deri në vdekjen natyrore, si edhe liria fetare, e rrënjosur në vetë natyrën e njeriut: "nuk është thjesht një kërkesë 'fetare'", siç shkruante Papa shenjt Gjon Pali II, në Nxitjen apostolike Christifideles laici (39). Krahas këtyre, ka një urgjencë të veçantë mbrojtja e familjes, një realitet themelor për zhvillimin e vërtetë të shoqërisë.

Siç shihet pra, edhe përsa i përket shërbimit të laikëve në Kishë e shoqëri, për të cilin do të flasim edhe në emisionet e ardhshme, Doktrina Shoqërore e Kishës përvijon një udhë uniteti ndërmjet fesë dhe jetës, formimit dhe veprimit, përshpirtërisë dhe angazhimit shoqëror. Ajo fton çdo besimtar të bëhet një dëshmitar i besueshëm, i aftë ta transformojë botën duke filluar nga zemra e njeriut.

23 prill 2026, 09:41