Çelësi i fjalëve të Kishës: angazhimi i besimtarëve laikë
R.SH. - Vatikan
Në emisionin e sotëm, në kuadrin e ciklit mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës, do të fillojmë të flasim për besimtarët laikë dhe për rolin e tyre në Kishë e në shoqëri. Në një mënyrë të ndryshme nga meshtarët e rregulltarët, ata impenjohen njësoj për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit mbi tokë, prandaj, Kisha i konsideron bashkëpunëtorë të saj në gjithë veprimtarinë baritore dhe ua njeh rolin e tyre të veçantë.
Identiteti dhe misioni i besimtarëve laikë
Besimtarët laikë janë të pranishëm në botë dhe mund ta kërkojnë Mbretërinë e Hyjit përmes realiteteve të përkohshme. Siç shkruhet në Kushtetutën dogmatike “Lumen gentium” të Koncilit II të Vatikanit: "Është detyrë e laikëve të kërkojnë Mbretërinë e Hyjit, duke i trajtuar e duke i renditur gjërat e kësaj bote sipas Zotit" (31). Përmes Pagëzimit, laikët bëhen një gjë e vetme me Krishtin dhe marrin pjesë në misionin e Tij, duke marrë përgjegjësi personale të veçanta në Kishë dhe në botë. “Lumen gentium” e përcakton edhe kuptimin e termit “laikë”, që për Kishën janë “të gjithë besimtarët, me përjashtim të anëtarëve të Urdhrit të Shenjtë dhe të atyre, që kanë një status fetar... që përbëjnë Popullin e Zotit dhe që, në mënyrën e tyre, janë pjesëmarrës në dinjitetin meshtarak, profetik dhe mbretëror të Krishtit" (po aty, 31).
Identiteti i besimtarëve laikë ushqehet nga sakramentet: Pagëzimi i bën të ngjashëm me Krishtin, Krezmimi dikon mbi ta Shpirtin Shenjt dhe Eukaristia i bën pjesëmarrës në flijimin shëlbues. Nga këto sakramente lind "munus" (funksioni) i trefishtë i profetit, meshtarit dhe mbretit. Laiku e shpall Ungjillin nëpërmjet një jete koherente me fenë, në realitetin e përditshëm – në familje, në punë, përmes kulturës e politikës - si shprehje konkrete e dashurisë: “Për besimtarët laikë, të qenit dhe të vepruarit në botë janë një realitet teologjik dhe kishtar” (Gjon Pali II, Nxitja ap. Christifideles laici, 15). Horizonti i Mbretërisë së Hyjit e udhëheq veprimin e laikut, duke e dalluar atë nga aktivizmi thjesht njerëzor dhe duke theksuar thirrjen e përjetshme të njeriut: “Njeriu nuk kufizohet vetëm në rendin kohor...” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. bar. Gaudium et spes, 76).
Përshpirtëria e besimtarëve laikë
Përshpirtëria e vërtetë laike i përtërin besimtarët dhe i bën ata shenjtorë dhe shenjtërues, të aftë për të ndërtuar botën sipas Shpirtit të Jezusit. Ajo i shmanget si përshpirtërisë intimiste, ashtu edhe aktivizmit të tepruar shoqëror, duke e bashkuar e duke i dhënë kuptim jetës së fragmentuar të botës së sotme. Kjo përshpirtëri u jep mundësinë laikëve ta bëjnë të dukshëm Krishtin përmes dëshmisë së tyre: "si tharm për shenjtërimin e botës gati nga brenda... t’ua tregojnë Krishtin të tjerëve, para së gjithash, me dëshminë personale të jetës së tyre", kërkon gjithnjë Kisha, siç nënvizohet në “Lumen gentium” (31).
Kjo dëshmi ka nevojë për formim të vazhdueshëm, duke e harmonizuar jetën me fenë e duke shmangur ndarjen ndërmjet përmasës shpirtërore dhe asaj shekullare, që është tipike e kësaj bote: "nuk mund të ketë dy jetë paralele: nga njëra anë, e ashtuquajtura jetë 'shpirtërore'... dhe nga ana tjetër, e ashtuquajtura jetë 'laike'", thoshte Papa shenjt Gjon Pali II, në Nxitjen apostolike “Christifideles laici” (59). Udha shpirtërore e çdo laiku, mëson Kisha, duhet të përmbajë pa dyshim, dëgjimin e Fjalës së Zotit, kremtimin liturgjik, lutjen personale, pjesëmarrjen në jetën kishtare, ushtrimin e virtyteve shoqërore dhe formimin kulturor e profesional.
Të veprohet me maturi
Maturia është virtyti, që e udhëheq laikun në dallimin e së mirës së vërtetë dhe në zgjedhjen e mjeteve të përshtatshme. Ajo kalon nëpër tri faza: sqarimi i situatës dhe konsultimi, vlerësimi dhe gjykimi në dritën e planit të Zotit dhe vendimi bazuar në fazat e mëparshme. Maturia mundëson vendime koherente, realiste dhe të përgjegjshme e është krejtësisht e ndryshme nga mendjemprehtësia, ose nga pavendosmëria: "Është, në fund të fundit, një virtyt që kërkon ushtrimin e pjekur të mendimit dhe të përgjegjësisë...", siç shpjegon Shën Toma i Akuinit, në veprën e tij të njohur “Summa theologiae”. Maturia bëhet kështu masa e virtyteve të tjera dhe një udhëzues konkret për sjelljen morale, duke siguruar realizimin e drejtë të rolit të laikut në shoqëri.