Kërko

SCATTIDELGIORNO: Israel launches wide-scale air attacks on Beirut and multiple areas throughout Lebanon

Atë Toni Elias: "Duam një Liban që jeton në paqe"

Dëshmia e famullitarit libanez maronit në Rmeich, fshati i fundit në jug të vendit në kufi me Izraelin: "Ne nuk dorëzohemi; përkundrazi, kemi besim në Zotin. Pikërisht kjo na bën vërtet popull të qëndrueshëm, në mes të kësaj vale lufte dhe të konfliktit, që na rrethon".

R.SH. / Vatikan

"Duam një Liban që jeton në paqe, në qetësi; duam të gjejmë punë për të rinjtë tanë; duam që familjet të mos mendojnë kurrë më të largohen nga fshati i tyre". Sepse "Zoti na mësoi t’i duam të gjithë! Unë i dua të gjithë: madje edhe shiitët, sunitët, druzët, të gjithë, të gjithë. Por ka ardhur koha të ngremë zërin edhe më shumë: nuk duam më luftë".

Kjo është gjegjja që Atë Toni Elias, meshtar maronit e famullitar i Shën Gjergjit në Rmeich, i jep lajmit sipas të cilit armëpushimi i shpallur brenda natës nga Irani, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, nuk do të ndikojë fare në Liban.

Rezistenca e Rmeich-ut

"E prisnim këtë - pohon Atë Toni - "Rmeich është fshati i fundit i krishterë para kufirit me Izraelin. Ne nuk jemi afër kufirit. Jemi në kufi. E jemi të vetmit, së bashku me dy fshatra të tjerë, që ende po rezistojmë në zonën Bint Jbeil. Këtu të gjithë e kuptuan menjëherë se armëpushimi në Libanin jugor ishte i pamundur, thjesht sepse ushtria izraelite na kishte kaluar tashmë përmes si dhe për shkak të angazhimit që po bën në këtë fushatë".

Kremtimi i Pashkëve

Pavarësisht nga kjo, Atë Toni na tregon se bashkësia e tij arriti t’i kremtonte Pashkët.

"E e falënderojmë Zotin për këtë, edhe pse na u desh të hiqnim dorë nga Nata e Pashkëve të këtij viti, ne prapë e kremtuam Javën Shenjte me pjesëmarrje të madhe. Kjo është pika kryesore e qëndresës sonë: feja! Besimi në Zotin! Jo dorëzimi. E kjo na bën vërtet popull të qëndrueshëm në mes të kësaj vale lufte e këtij konflikti, që na rrethon.

Afërsia e Kishës dhe nevojat kryesore

Një besim që reflektohet edhe në faktin që, vazhdon Atë Toni, "ndërsa  bëmë që zëri ynë të dëgjohet, Kisha nuk dështoi kurrë nga dëshira për të qenë pranë nesh. Si në luftën e fundit, ashtu edhe në këtë luftë, pati afërsi të madhe.

Ne i vlerësojmë shumë lutjet e Papës Leoni XIV. Pastaj, pikërisht këtë mëngjes, nunci apostolik, Imzot Paolo Borgia, na pyeti se si jemi dhe cilat janë nevojat tona. Këto ditë, po bëj një listë ilaçesh. Ka njerëz që kanë kancer ose po i nënshtrohen trajtimeve të mëdha. Ka njerëz që marrin ilaçe shumë specifike, ose shumë të shtrenjta, që kushtojnë shumë, ose që nuk janë më në dispozicion. "Kemi nevojë për këto mallra e, mbi të gjitha, për ndihmë humanitare".

Atë Toni përfundon duke shpjeguar se po përpiqet t'ia dërgojë këtë listë Urdhrit të Maltës, i cili punon së bashku me Caritas në këtë zonë. "Ne - përfundon Atë Toni Elias – e mbajmë të gjithë barrën këtu, në famulli, ndaj po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të pasur mbështetje. Mbetemi gjithnjë në rezistencën tonë paqësore".

09 prill 2026, 11:17