Angola, ipeshkvi Sumbelelo: T’i lartojmë zemrat për Papën
R.Sh. Vatikan
«Është hir, është bekim. Vetëm Zoti e di pse» thotë ipeshkvi Emilio Sumbelelo i cili shton se Papa, lajmëtar i paqes, do të forcojë besimin e të gjithë angolezëve. Ky është një hir i madh për mbarë Angolën, vendin e parë në Afrikën Nën-Sahariane që mirëpriti mesazhin e Ungjillit. Ishte viti 1489, më shumë se 500 vjet më parë. Vendi ka pasur në histori privilegjin të ketë ipeshkvin e parë me ngjyrë të Afrikës dhe ambasadorin e parë afrikan në Selinë e Shenjtë: António Manuel Nsaku Ne Vunda, i cili mbërriti në Romë në vitin 1608 me një mesazh nga Mbretëria e atëhershme e Kongos, për Papën Pali V dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë.
Duke drejtuar një dioqezë me katër milionë katolikë, më shumë se gjysma e shtatë milionë banorëve të territorit të Vianës, imzot Emílio Sumbelelo fton t’i hapim zemrat tona për të mirëpritur mesazhin e Pasardhësit të Pjetrit, i cili do të sjellë fjalë ngushëllimi, kaq të nevojshme për angolezët gjatë këtij momenti kritik shoqëror që po përjeton vendi. Të gjithë janë të angazhuar dhe po përgatiten pareshtur, kryesisht për punët e shpirtit: lutje, katekizëm, takime në nivel dioqezan, famullie, shkollash katolike dhe mediatike. E gjithë kjo, që vizita të korrë sukses dhe që mesazhi i Krishtit, nëpërmjet Papës, të gjejë tokë pjellore dhe të kthejë zemrat e njerëzve nga Krishti, e të sjellë ndryshim në jetë.
Dy qendra shpirtërore të dioqezës
Dioqeza krenohet me dy bazilikat kushtuar Shën Jozefit në Kalumbo dhe Zonjës Sonë të Muximës, të cilat Papa do t'i vizitojë. E dyta konsiderohet një bazilikë kombëtare dhe mirëpret shtegtime të rëndësishme çdo vit. Sipas prelatit Sumbelelo, këto janë dy qendra shpirtërore, vende ungjillizimi që, përveçse shenjtnore ku shkojnë shtegtarë, kanë qenë në qendër të vëmendjes që të kthehen në vende konvertimi dhe ungjillizimi. "Kushdo që shkon atje duhet të kthehet i lumtur dhe i bekuar nga Zoti", shton ipeshkvi.
Afërsisht 160 kilometra nga Kilamba, Bazilika e Muximës tashmë po përgatitet për të mirëpritur Papa Leonin XIV i cili do të përurojë Sheshin e Shtegarëve ku po punohet që prej vitit 2022 për ndërtimin e Bazilikës, përfundimi i së cilës do të kërkojë edhe pak kohë. Ashtu si Bazilika e Muximës, edhe qendra e Kilambës po përgatitet të mirëpresë afërsisht 400,000-500,000 besimtarë që do të mblidhen nga e gjithë Angola dhe vendet fqinje për të marrë pjesë në Meshën e kryesuar nga Leoni XIV mëngjesin e së dielës, më 19 prill. Pas kremtimit, Papa do të udhëtojë pasdite me helikopter për në Muxima. Si autoritetet shtetërore të Angolës ashtu edhe Kisha janë të përfshira në këtë përgatitje intensive, duke punuar ngusht, bashkë me qytetarët dhe besimtarët.
Vizita e Papës, një nxitje për shërbesën baritore
Sipas ipeshkvit Sumbelelo, i cili drejton dioqezën me numrin më të madh të katolikëve në Angolë dhe që është qendra e këtyre dy ngjarjeve shpirtërore të kryesuara nga Papa gjatë pjesës së parë të vizitës së tij, e cila do ta çojë edhe në Angolën lindore, kjo vizitë është nxitje për t'iu përkushtuar gjithnjë e më shumë shërbesës baritore që i është besuar.
Pikërisht për këtë shërbesë, ai ka mbështetjen e 81 meshtarëve (dioqezanë dhe rregulltarë bashkë); të një numri të konsiderueshëm diakonësh, 165 motrave rregulltare dhe shumë katekistëve, të gjithë të shpërndarë në 34 famulli dhe 12 qendra baritore. Këtu pastaj do të ndihmojë edhe Seminari i madh i filozofisë, i themeluar një vit më parë dhe që është hapur tashmë, i cili ofron shpresë për ungjillëzim, thekson në mbyllje imzot Sumbelelo.