Ukraina: nën sulmin e dronëve në Kherson, kuzhina shoqërore e mbështetur nga Papa
R.SH. - Vatikan
"Në Kherson, baza e mbijetesës është aftësia për t'u mbështetur tek të tjerët. Pa mbështetje të ndërsjellë, është shumë e vështirë të mbijetosh këtu" - tregon në një intervistë me mediat e Vatikanit Ati dominikan Mykhailo Romaniv, drejtor i Qendrës Shën Martin de Porres në Fastiv të Ukrainës. Përmes kësaj qendre, në Kherson, drejtohen kuzhina sociale dhe projekte të ndryshme humanitare, të mbështetura gjithashtu nga Ati i Shenjtë përmes Lëmoshtarit Apostolik, Kardinalit Konrad Krajewski.
Vizita e Kardinalit Radcliffe në Ukrainë
Ditët e fundit, këto nisma humanitare u panë nga afër nga Kardinali Timothy Radcliffe, i cili po vizitonte Ukrainën. "Prania e tij - tha Ati Mykhailo - ishte shenjë shprese për mua. Ai u takua me njerëzit dhe, me lot në sy, tha se po mëson shumë nga këta njerëz". Për një qytet si Kherson, gjeste solidariteti si ky janë vërtet jetike: është një nga qytetet dhe rajonet ukrainase më të prekura nga bombardimet ruse. Si banorët që, për arsye të ndryshme, mbeten në qytet, ashtu edhe ata që përpiqen t'i ndihmojnë e që jetojnë çdo ditë nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve dhe me rrezikun real të humbjes së jetës. Në fillim të pushtimit në shkallë të gjerë, qyteti dhe një pjesë e rajonit u pushtuan nga trupat ruse. Në nëntor 2022, ushtria ukrainase çliroi bregun e djathtë të lumit Dniepër, duke përfshirë kryeqytetin rajonal, ndërsa bregu i majtë vijon të jetë nën pushtim.
Raketa, bomba dhe një qytet i shkretuar
Vija e frontit aktualisht shtrihet përgjatë Dnieprit, afërsisht katër deri në gjashtë kilometra i gjerë në këtë zonë. Prej atje forcat ruse i sulmojnë çdo ditë Khersonin dhe fshatrat përreth me artileri, dronë, sisteme raketash dhe bomba ajrore. Sipas administratës së qytetit, në janar 2026 u regjistruan mbi 2,500 sulme kundër bashkësisë të Khersonit. Në muajin pasardhës, intensiteti i granatimeve u trefishua. Rreziku keqësohet nga afërsia e frontit: një predhë artilerie mund të arrijë në qytet brenda sekondash, duke e bërë shpesh të pamundur paralajmërimin e nevojshëm. Para luftës në shkallë të gjërë, afërsisht 323,000 njerëz jetonin në bashkësinë e Khersonit; sot kanë mbetur vetëm 10 deri në 20 përqind, ndërsa evakuimet dhe lëvizjet e popullsisë vazhdojnë.
Atë Mykhailo Romaniv i përket bashkësisë dominikane të Fastivit, pranë Kievit, ndërsa Kherson ndodhet në një pjesë krejtësisht të ndryshme të Ukrainës: të dy qytetet janë më shumë se 500 kilometra larg njëri-tjetrit. Duke kujtuar se si lindi ideja e fillimit të një kuzhine sociale në Kherson, prifti kthehet në muajt e parë të pushtimit në shkallë të gjerë, kur bashkimi i tyre ndihmoi në evakuimin e njerëzve nga zonat më të rrezikshme, përfshirë Khersonin. "U përpoqëm jo vetëm t'i largonim njerëzit, por edhe t'i shoqëronim: të gjenim vend, ku mund të vendoseshin menjëherë dhe të merrnin mbështetjen e nevojshme", kujton ai. Gjatë pushtimit të qytetit, domenikanët e Fastivit provuan mënyra të ndryshme për të sjellë ilaçe, produkte higjienike dhe mallra të tjera kryesore në Kherson. "Ndonjëherë, kujton meshtari, ndihma transportohej edhe me anije, por ne nuk pushonim kurrë s’e dërguari". Në të njëjtën kohë, shton ai, njerëzit shpesh përsërisnin: "Sapo të çlirohet Khersoni, do të shkojmë menjëherë atje". E kështu edhe ndodhi. Më 18 nëntor 2022, dominikanët mbërritën në qytet për herë të parë, një javë pas çlirimit, më 11 nëntor. "Që atëherë, ne ishim të pranishëm këtu, përkrah njerëzve". Bashkësia dominikane në Fastiv nisi kështu të sjellë rregullisht ndihmë humanitare në qendra të ndryshme të rajonit të Khersonit. Me kalimin e kohës, u poq ideja e krijimit të diçkaje të qëndrueshme në qytet: një vend ku njerëzit mund të vinin rregullisht për mbështetje.
“Më thoni, për çka keni nevojë”
Ati Romaniv flet për vizitën që bëri për Krishtlindjet 2022 lëmoshtari i Papës, Kardinali Konrad Krajewski, në Qendrën Shën Martin de Porres, në Fastiv. Me atë rast, më tha: ‘Nëse ke nevojë, më telefono dhe më thuaj çfarë të nevojitet”. Më vonë, Ati Mykhailo i shkroi Kardinalit duke i shpjeguar planin e tij për të hapur një kuzhinë sociale në Kherson. “Në realitet - rrëfen dominikani - nuk kishim fonde për ta filluar: përgatitja e ambienteve dhe blerja e pajisjeve përfshinte shpenzime të mëdha, të pamundura për t’u përballuar pa ndihmë të jashtme”. Përgjigja mbërriti po atë mbrëmje. “Kardinali më shkroi se Papa Françesku donte ta mbështeste personalisht kuzhinën tonë dhe po dërgonte fondet për ta hapur. Shtoi edhe se në Ungjill shohim se si njerëzit i përgjigjen menjëherë thirrjes së Krishtit, pa vonesë. “Këto fjalë më prekën thellë - thotë prifti - e ne e kuptuam se ky projekt kishte vërtet bekim të veçantë”. Tani kuzhina sociale është aktive për gati tre vjet. Më vonë u hap një furrë buke, ku përgatiten bukë dhe ëmbëlsira për qytetin dhe fshatrat përreth. Për më tepër, në vitin 2024, në Kherson u hap edhe një lavanderi sociale, në dispozicion të banorëve të qytetit.
Ruajtja e hapësirave të shpresës
Duke treguar situatën në qytet, Atë Romaniv thekson se që nga viti 2022, kur filloi të vizitonte rregullisht Khersonin, vuri re se sa shumë u shtua rreziku. Kërcënim veçanërisht serioz janë dronët, që e sulmojnë vazhdimisht qytetin. "Një muaj më parë, më 6 shkurt, një raketë 'Grad' goditi kuzhinën tonë të komunitetit dhe shpoi çatinë e trashë të betonit. Disa muaj më parë kishte pasur sulm artilerie dhe të gjitha dritaret ishin thyer. Ky është realiteti i vazhdueshëm në të cilin jetojnë njerëzit". Pavarësisht nga gjithçka, për priftin ka rëndësi të ruhet hapësira e shpresës. "Ne drejtojmë edhe një stacion ngrohjeje. Kohët e fundit, gjatë një vizite, takova disa gra të moshuara atje, duke pirë çaj, duke ngrënë ëmbëlsirat tona, duke pritur drekën dhe duke parë televizor. "Ka një ndjesi shtëpie, ndjesia se të kujtojnë edhe se e ke dikënd afër. Në këto kushte, kjo ka vlerë të madhe".
Lavanderia sociale, e drejtuar nga dominikanët, është ndihmë e vlefshme, veçanërisht për banorët e lagjes Ostriv, të cilët kanë jetuar në apartamente të ftohta pa energji elektrike, pa ujë e pa gaz për rreth tetë muaj. "Atyre mund t'u ofrojmë të paktën mundësinë për të larë rrobat. Pranë dhomës së lavanderisë, ka një dhomë pritjeje ku njerëzit mund të ngrohen dhe të lahen. Këto janë gjëra të thjeshta, por humanizëm normal", shpjegon dominikani.
Ndihma e vazhdueshme e Papëve, nga Françesku, te Leoni
Ati Mykhailo thekson se mbështetja e Papës, e përcjellë përmes Kardinalit Krajewski, nuk erdhi vetëm në fillim të kuzhinës sociale, por vazhdon edhe sot e kësaj dite. "Kardinali Konrad Krajewski na kujton dhe na ndihmon rregullisht. Mund të themi se afërsisht 50% e projekteve tona u bënë të mundura falë mbështetjes së tij. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj tij dhe Atit të Shenjtë". Përveç kësaj ndihme, komuniteti merr mbështetje edhe nga fonde të tjera: organizata polake dhe disa partnerë në Shtetet e Bashkuara. "Ne përpiqemi t'i shpërndajmë burimet në mënyrë të barabartë në të gjitha nismat tona. Përveç kuzhinës sociale në Kherson, drejtojmë një kuzhinë në Fastiv, kemi hapur një stacion ngrohjeje në Borodianka, në rajonin e Kievit, e dërgojmë ndihmë edhe në qytete të tjera si Kharkiv, Dnipro, Odessa, Chernihiv dhe të tjera. Nevojat janë kudo, kështu që ne përpiqemi të mbështesim rajone të ndryshme".
Në rajonin e Khersonit, edhe etërit dominikanë ndihmojnë në shpërndarjen e bukës dhe të ujit të pijshëm në disa fshatra, ku banorët nuk mund të largohen për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të dronëve. Në qytet, ata marrin pjesë në një projekt transporti social që ofron udhëtime falas për në spital dhe kthim, ose organizon evakuime nga zonat më të rrezikshme. Së bashku me vullnetarët dhe shërbimet sociale, punojnë edhe për të siguruar që vaktet të arrijnë tek ata që janë në shtrat ose kanë lëvizje të kufizuara. "Shpesh - vijon prifti - vetë banorët ndihmojnë. Ata që vijnë për të marrë një vakt, nuk e harrojnë edhe një porcion për fqinjët e tyre. Kjo është formë e rëndësishme e solidaritetit dhe vetëorganizimit të komunitetit. Unë besoj se në Kherson, kjo aftësi për t'u mbështetur te njëri-tjetri është baza e vërtetë për mbijetesë. Pa mbështetje të ndërsjellë, është shumë e vështirë të jetosh këtu".
Forcë e pabesueshme
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë e ndihmon të kultivojë shpresën në këto rrethana të vështira, me zhurmën e vazhdueshme të dronëve sipër kokës, Atë Mykhailo tregon: "Për mua, një shenjë e veçantë shprese ka qenë Kardinali Timothy Radcliffe. Ditët e fundit, ai ishte këtu me ne, duke vizituar kuzhinën e komunitetit, lavanderinë dhe vendet ku vullnetarët përgatisin pako humanitare. Ai u takua me njerëzit dhe, me lot në sy, pohoi se po mëson shumë prej tyre. U preka thellësisht nga fakti që ai vetë u kërkoi njerëzve ta bekonin. E më pas tha se sheh Krishtin tek ata, sepse ajo që bëjnë, bëhet për Zotin. Jo të gjithë punëtorët tanë janë thellësisht fetarë, por kur e përqafuan kardinalin, i cili do të mbushë 81 vjeç pas disa muajsh, të gjithë qanë. Për mua, këto janë shenja shumë të forta të pranisë së Zotit. T’i dëgjosh fjalët e tij për shpresën, paqen dhe fitoren e Ukrainës, të jep forcë të jashtëzakonshme për të ecur përpara".
nga Alina Petrauskaite, SCM, dhe Svitlana Dukhovych