Toka e Shenjtë. Dyer të mbyllura, sy të shuar

Në Jeruzalem, Varri i Shenjtë është mbyllur që nga 28 shkurti, duke i penguar Meshët dhe liturgjitë të kremtohen atje. Konflikti në Lindjen e Mesme ka krijuar klimë terrori, që reflektohet në frikën e vazhdueshme ndaj të tjerëve. Presioni i përhershëm i rrezikut dhe i pasigurisë, ngre mure që janë të padukshme e të paprekshme. Kremtimet e Javës së Madhe të Pashkëve, në rrezik!

R.SH. / Vatikan

nga At Ibrahim Faltas *

Porta e madhe e dyfishtë, e cila për qindra vjet ka mbrojtur hyrjen në Varrin e Shenjtë të Jezu Krishtit, në Jerusalem, nuk është mbyllur kurrë kaq gjatë. Luftërat, rreziqet, tensionet dhe pandemitë kanë kufizuar hyrjen në Vendin e Shenjtë, por kurrë më parë porta nuk ka qenë e mbyllur për një periudhë kaq të gjatë e të vazhdueshme. Është periudhë kohore që përkon me kohën e fortë të Kreshmëve, kohë meditimi e lutjeje që, ndërsa ecim, na nxit të kalojmë nëpër atë derë, edhe vetëm nëpër njërën, të hapurën. Duke ecur nëpër të njëjtën Udhë të Dhimbshme, që dëshmon Mundimet e Jezu Krishtit, Zotit tonë, hyjmë në Vendin e flijimit të Njeriut, i cili e shndërroi vdekjen e Tij në Shëlbim të amshuar. Ato dyer, gjithmonë të Shenjta, u mbyllën që nga 28 shkurti e ende nuk na lejohet t'i hapim për ritet e lashta, që nuk janë thjesht fryt i traditës e i zakonit.

Në dyshim, kremtimet e Triditshit të Pashkëve

"Të ecësh për të mbërritur" është nevojë e përhershme për ata që jetojnë bukurinë e Tokës Shenjte, nevojë e përhershme për ata që e jetojnë fenë e tyre në këtë tokë të munduar. Nuk mund të mos i meditojmë Mundimin dhe Vdekjen e Jezusit, duke shkelur mbi Gurët që japin dëshmi për praninë e tij shëlbuese. Po intensifikoj pranë autoriteteve izraelite kërkesën për të pasur mundësi të kremtojmë të paktën Javën e Shenjtë të Pashkëve brenda mureve që ruajnë Golgotën dhe Varrin Zbrazët. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për të qenë prani konkrete dhe dëshmi e besimit në Kishën - Nënë e të gjitha Kishave. Ende e ndiejmë fuqinë e fjalëve të Shën Gjon Palit II kur nisi shërbesën e tij papnore:

"Mos kini frikë! Hapini, madje, në dy kanatat, dyert për Krishtin!".

Nuk na lejuan t’i kremtojmë të dielat e dyta, të treta dhe të katërta të Kreshmëve në Varrin e Shenjtë, as pas dyerve të mbyllura, siç ishte e mundur gjatë pandemisë ose gjatë çasteve të tjera të errëta e të dhimbshme në histori.

Shembini muret, që na pengojnë ta duam të afërmin!

Klima e terrorit në Tokën Shenjte pasqyrohet në frikën e vazhdueshme të të tjerëve. E është presioni i përhershëm i rrezikut dhe i pasigurisë që ngre mure, të cilat nuk mund të shihen, as nuk mund të preken, por janë më të fortë se betoni dhe duken të pakalueshme: duhet të bashkohemi për t'i hapur! Për t'i hapur për dashurinë, për fqinjët tanë që vuajnë. Qielli i Lindjes së Mesme është ende shumë i zënë: raketat, dronët dhe sulmet e ndërsjella shpojnë retë ditë e natë, duke sjellë vdekjen tek të panjohurit e duke shkatërruar jetë, histori, natyrë...

Qielli i mbulon të gjithë - e gjithçka; mjetet e vdekjes nuk kanë sy, as zemër, nuk pyesin për kombësinë e as për besimin fetar, nuk i shohin trupat e brishtë që tashmë kanë vuajtur e kanë duruar: është dhunë që ripërtërihet, që është gjithmonë tronditëse!

Hapni portat dhe sytë e zemrës e të mendjes

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës IV të Kreshmëve, Ati i Shenjtë Leoni XIV thirri me forcë: "Shuajeni zjarrin!". E i tha fjalët vendosmërisht, e tingulli i tyre shprehu vuajtjet njerëzore dhe dhimbjen e një ati të pikëlluar. E na kërkoi përsëri të "hapim sytë tanë", "të jetojmë një Krishterim me sytë tanë të hapur".

Dy Papë, Shën Gjon Pali II dhe Leoni XIV, na ftojnë për qëndrueshmëri, për pjesëmarrje dhe veprim aktiv në jetën në Krishtin dhe në fe, me besimin që nuk është i verbër, po shpresdhënës. Nëse jemi vetëm, duket e pamundur ta mposhtim të keqen, mbasi është e vështirë të zhdukim rrënjët e dhunës. Mund të jetë e mundur, nëse bashkojmë forcat dhe së bashku e përballojmë atë, që duket e pamundur dhe e vështirë. Jezusi ia hapi sytë atij që kish lindur i verbër, por që nuk e kishte humbur besimin, ndaj shpresonte për shpëtim.

Sytë e mbyllur për të mirën, sytë e verbuar nga pushteti, nuk janë në gjendje të hapen, të paaftë të shohin vuajtjet dhe dhimbjen e të tjerëve, të paaftë të ndalojnë pasojat e një urrejtjeje që përhapet e vret. T'i ndihmojmë sytë e mbyllur nga dëshpërimi të hapen nga guximi, për t'u bashkuar e për të kërkuar të vërtetën. Por për ta bërë këtë, duhet të hapim portat dhe sytë e zemrave e të mendjeve tona. Është e vështirë, por e mundur. Duhet guxim!

* Drejtor i Shkollave të Kujdestarisë të Tokës së Shenjtë

16 mars 2026, 12:39