Ponte Mammolo: famullia shumetnike në Romë që pret Papën, u rri pranë të varfërve
R.Sh. Vatikan
Jemi në pragun e vizitës së Papës në Kishën e 'Zemrës së Krishtit', në lagjen romake Ponte Mammolo, ku të dielën, më 15 mars, përfundon cikli i pesë vizitave papnore nëpër famullitë kishtare në përgatitje për Pashkë, komuniteti shfaq gjithë kreativitetin e tij baritorl.
Jemi te stacioni «Rebibbia» i metropolitanës së Romës. Disa qindra metra larg është burgu me të njëjtin emër. Një shteg mespërmes një zone të vogël të gjelbër të çon te famullia e Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit në Ponte Mammolo, në periferinë verilindore të kryeqytetit, në rrugën e lashtë «Tiburtina». Lagjja, kryesisht e klasës punëtore por tashtu edhe shumetnike, vuan nga mungesa e kushteve. Këtu mungon strehimi dhe të huajt shfrytëzohen. Por këtu, bashkësia famullitare është hapësirë për integrimin dhe puna baritore nuk mungon. Pikërisht në këtë famulli, këtë të diel pasdite, më 15 mars, Papa do të përfundojë vizitat e tij të pesë të dielave rresht nëpër famullitë e Romës, siç kishte lajmëruar në fillim të kreshmëve.
Çfarë do të thotë të jesh famullitar në skajet e qytetit
Joshja e jetës së rrugës për trafik droge dhe vjedhje është shumë e fortë tek të rinjtë. Kjo gjë vërtetohet nga i vetmi meshtar italian që punon në këtë kishë, Atë Domenico Romeo, i cili ka kaluar një jetë duke shërbyer në periferi të Romës, nga Casal Bruciato në Tor Vergata, në Tufello: "Të jesh famullitar në këto zona do të thotë të dalësh e të mbledhësh më fatkeqët, ata që ndeshin në vështirësi të mëdha, të përpiqesh t'i ndihmosh të ecin vetë, të sigurohesh që ata do të fitojnë dinjitetin e tyre të humbur. Këtu, prindërit shpesh nuk janë të pranishëm, dhe kur janë, nuk dinë në ç’drejtim të ecin. Pra, edhe prindërit kanë nevojë për ndihmë." Famullitari e përshkruan veten si "urë ndërmjet shkollës dhe lagjes". Dom Romeo jep mësim feje në dy shkolla dhe e ndjen përgjegjësinë e plotë të këtij roli. "Përpiqesh t'i ndihmosh fëmijët të vijnë në famulli në mënyrë që rrugët të mos bëhen një mësues i mbrapshtë për ta. Fatkeqësisht, kjo punë ka ndodhur me disa të rinj sepse rruga e madhe shpesh është mënyra më e shpejtë për të fituar para."
Famullia, vend miqësie
«Nuk mjafton vetëm t'i ndihmosh sepse në planin afatgjatë kjo gjë nuk jep fryt», pranon Atë Domenico. Ne duhet t'i dëgjojmë njerëzit, të rinjtë. Meshtari gjithmonë përpiqet ta mbajë gjallë dialogun, veçanërisht ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve: "Ka shumë respekt. Ne përqendrohemi në pyetje të përbashkëta për të gjitha besimet: pse linda, nga vij dhe ku duhet të shkoj. Nuk është e lehtë, por ka edhe shumë kënaqësi. Fëmijët që mësoj janë ata që takoj në lagje, për të cilët oratori është gjithmonë i hapur, por është i hapur edhe për njerëz të feve të ndryshme. I ndihmon ata të kuptojnë se gjuha e vërtetë është dashuria."
Dyzet vjet nga vizita e Shën Gjon Pali II në këtë famulli
Dyzet vjet më parë këtu pati ardhur Gjon Pali II. Në atë kohë, lagjja ishte më pak e populluar, ndoshta më pak problematike. Në derën e qelës famullitare, një grua simpatike nëntëdhjetëvjeçare, Bianca Mastino, me energjitë e një vajze të re, qëndron në këmbë. Ka më shumë se tridhjetë vjet si vullnetare këtu. "Jam krenare për këtë gjë. Dua të vazhdoj të punoj sepse Zoti më ka ndihmuar shumë në jetën time."
Kjo grua ka bërë kaq shumë: nga kujdesi për të sëmurët deri te drejtimi i kuzhinës së Caritas-it. Zëri i saj këputet në mes ndërsa përmend tre emra njerëzish të cilëve iu pat gjetur afër deri kur ndërruan jetë. "Ndjeva se kjo ishte ajo gjë që Zoti po më kërkonte të bëja. Dhe e bëra me dëshirë."
Tani Bianca është e zënë duke pjekur bukë për natën e mbërritjes së Papës: "Më pëlqen shumë Papë Leoni. Më pëlqen ta dëgjoj sepse edhe vetëm zëri i tij të tërheq. Për më tepër”, shton ajo, “fjalët e tij u hyjnë në zemër njerëzve. Ai është Papa i shtatë që do të takoj, dhe këtë emocion nuk mund ta shpreh dot me fjalë."
Të varfrit, të parët që paguajnë çmimin e luftës
"Nuk do të kemi mundësi t’i themi shumë gjëra por mjafton t’i themi se Krishti është me ne. Për ne, kjo është gjëja më e rëndësishme. Për ne, Papa është Jezusi që vjen në mes të varfërve." Me këto fjalë shprehet Domenico Colloraffi, drejtues i Caritas-it të famullisë. Më tej pohon se ka shumë njerëz të varfër në këtë famulli; ka të huaj, njerëz që kanë humbur vendet e tyre të punës, që trokasin në derë duke kërkuar ndihmë financiare, pak ushqim.
"Ka një farmaci dhe një piceri që na ndihmojnë. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit sipas nevojave që kanë; u paguajmë faturat; i shoqërojmë nëse kanë nevojë, te zyrat CAF (këto janë zyrat e sindikatave ku emigrantët mund të plotësojnë dokumentacionin e duhur për lejet e qëndrimit ose kontrata pune etj)
"Kur i sheh se veshen me rroba që u shkojnë, të duken me të vërtetë zotërinj," – shton Massimo Di Folco, drejtues i shërbimit të dusheve, të organizuar nga bashkësia e Shën Exhidios. Më pas, të tregon dhomën ku rrobat e përdorura shpërndahen tek nevojtarët si dhe dhomat e zhveshjes. Këtu, mbi njëqind të pastrehë mund të lahen dy herë në muaj. Në 26 vjet, afërsisht 32,000 njerëz janë përshkuar këndej. Jo vetëm si përdorues të këtyre shërbimeve, nënvizon ai, sepse ky është një vend për të folur, për të biseduar rreth një problemi, qoftë shëndetësor apo ligjor. "Këtu bisedojmë, takohemi. Luajmë futboll, basketboll. Është një vend i qetë; nuk ke pse të rrish jashtë ku ndokush edhe mund të të kanoset apo të të dëmtojë. Këtu fiton atë qetësi, atë ritëm pune të përditshme që shpesh e harron."
“Duke pasur parasysh këtë kohë lufte”, shton Massimo, “vizita e Papës është dhuratë shtesë sepse janë gjithmonë më të varfrit ata që e paguajnë çmimin e luftës, dhe e paguajnë edhe më rëndë.”
Burgu aty pranë
Ka shumë të dënuar që po vuajnë dënimet e tyre në burgun pranë famullisë së Ponte Mammolo-s. Kështu që, famullia nuk mund ta lërë në harresë këtë vend. Para dy vjetësh, për Pashkë, bashkësia u zotua t'i jepte çdo të burgosuri një tortë «Colomba» të bërë në shtëpi, thotë famullitari Dom Franz Refalo. Ndërsa për Krishtlindjet e fundit, blenë makarona të prodhuara në qendrën e paraburgimit për të mitur në Casal Del Marmo, të cilat më pas ua shitën famullitarëve, të cilët nga ana e tyre ua dhuruan njerëzve që kishin më shumë nevojë.
Sidoqoftë, projekti afatgjatë që meshtari me origjinë malteze ka më për zemër, lidhet me mundësinë e ngritjes së apartamenteve të vogla për të ndihmuar të burgosurit të liruar me kusht. «Ka bashkëpunim me shtëpinë e edukimit, thekson Atë Franzi. Disa anëtarë të stafit janë katekistë, "dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Kjo e jona, në fund të fundit, është një bashkësi e klasës punëtore, por është shumë e ndjeshme kundrejt nevojave të të tjerëve dhe e aftë të organizohet konkretisht. Kjo gjë ndihmon që bashkësia jonë të jetë e hapur, një Kishë në rrugëtim."
Rruga e lirisë
Vite më parë, pati ardhur një grua nga Evropa Lindore e cila tha se nuk kishte më asnjë arsye për të jetuar dhe se ishte e detyruar të prostituohej. Një murgeshë arriti ta merrte në shtëpinë e saj. Ajo grua u diplomua dhe sot drejton një CAF, qendër ku ndihmohen emigrantët, falë ndihmës së Shërbëtorëve të Marisë Pajtuese dhe Bijave të Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit, të cilat punojnë në famulli ku ndihmojnë viktimat e dhunës.
Motër Lucia Buraro, e prekur, rrëfen për udhëtimin e vërtetë drejt lirisë në këto 25 vjet. Nga jubileu në jubile, nënat dhe gratë që vuajnë nga dhuna në familje ose kurthi i drogës fitojnë një ndjenjë përkatësie, vetëvlerësimi dhe dinjiteti në dy streha familjare. Në Lazio, që është krahina qendrore e Italisë, një rrjet prej 35 organizmash të tillë merret me këtë punë, e cila synon zhvillimin e gjithëanshëm njerëzor.
Shkolla e gjuhës italiane, për të krijuar besim dhe për t’i përfshirë të gjithë njerëzit.
Pasditja është koha kur hapësirat e famullisë gjallërohen, veçanërisht nga ata që përfitojnë nga mësimet e italishtes që japin vullnetarët. Bashkërenduesi i shkollës – e cila bën pjesë te Rrjeti i Shkollave të Migrantëve dhe ka mbi tetëdhjetë studentë – është Francesco Serra, i cili na shpjegon se mësimi i gjuhës është thelbësor për të huajt "sepse i ndihmon ata të bëhen të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe i inkurajon ata të përpiqen t'i ushtrojnë ato".
Për shumë emigrantë, largimi nga atdheu i tyre është i rëndë. Këtu, krijohet një marrëdhënie respekti dhe besimi. Vite më parë, shumica vinin nga Evropa Lindore; sot, shumica janë aziatikë, veçanërisht nga Bangladeshi dhe Peruja.
Një çift peruvian me tre fëmijë – njëri prej të cilëve është adoleshent dhe po përgatitet të pagëzohet natën e Pashkëve – është zgjedhur për të sjellë ofertën në Meshën e nesërme me Papën. Me këta do të bashkohet edhe një familje filipinase, shembullore për pjesëmarrjen e saj në Eukaristinë e përditshme të mëngjesit për vite me radhë. "Shumë gra kanë jetuar në Romë për një kohë të gjatë, për fat të keq, dhe pothuajse nuk kanë dalë kurrë jashtë mureve të shtëpisë së tyre", shpjegon Francesco Serra. "Tani ato po përjetojnë një ndërgjegjësim më të madh për të drejtat dhe pavarësinë e tyre."