Kërko

Sulmi në Erbil, Kurdistan irakian Sulmi në Erbil, Kurdistan irakian

Patriarkët dhe ipeshkvijtë katolikë të Libanit bëjnë thirrje për paqe

Në kulmin e dhunës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme, Asambleja e Patriarkëve dhe e Ipeshkvijve Katolikë në Liban doli me një deklaratë ku paralajmëron se përshkallëzimi kërcënon dinjitetin njerëzor dhe ku bëhet thirrje për dialog, bashkim kombëtar dhe për përpjekje të pareshtura ndërkombëtare për paqe.

R.Sh. Vatikan

Ndërsa dhuna po përshkallëzohet në Liban dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, Asambleja e Patriarkëve dhe e Ipeshkvijve Katolikë në Liban bëri një thirrje të fuqishme, duke shprehur "shqetësim të thellë për gjendjen e tashme dhe për rrezikun që kjo zonë e rruzullit të rrëshqasë drejt konfrontimeve më të gjera, me pasoja të rënda për popujt e tij".

Deklarata e Patriarkëve dhe e Ipeshkvijve Katolikë në Liban, që u bë e ditur më 5 mars, përqendrohet veçanërisht te viktimat e pafajshme, te shpërngulja e familjeve dhe vështirësitë që përjetojnë civilët në një kohë kur luftimet vazhdojnë të shtohen. Duke reflektuar rreth anës morale të krizës, ipeshkvijtë paralajmërojnë se "vazhdimi i kësaj vorbulle dhune kërcënon dinjitetin e personit njerëzor, i cili është një dhuratë e Zotit, dhe minon themelet e drejtësisë dhe të stabilitetit".

Ipeshkvijtë vazhdojnë më tej duke cituar Papë Leonin kur thotë: "Dhuna nuk është kurrë zgjedhja e duhur dhe ne gjithmonë duhet të zgjedhim të mirën". Me këtë thirrje të qartë morale, ipeshkvijtë këmbëngulin se “paqja nuk është një mundësi dytësore ose e përkohshme, por një detyrë njerëzore dhe përgjegjësi kolektive”. Për këtë arsye, ata bëjnë thirrje “për ndalim të menjëhershëm të vorbullës së dhunës dhe për kthim te dialogu dhe te veprimi diplomatik i përgjegjshëm”, kur këta kanë si qëllim të mirën e përbashkët dhe dëshirën e popujve për të jetuar në drejtësi dhe dinjitet.

Mbasi e përshkruajnë Libanin si “vendin e mesazhit dhe të bashkëjetesës”, patrirakët dhe ipeshkvijtë u drejtohen gjithashtu politikanëve të vendit, duke u bërë thirrje “atyre që janë në pushtet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre të plota kombëtare”. Më tej, vazhdojnë duke i nxitur udhëheqësit të ruajnë unitetin e brendshëm dhe të forcojnë paqen. Në të njëjtën kohë, prelatët u japin zemër të gjitha komuniteteve dhe aktorëve politikë të mbështesin shtetin libanez dhe institucionet e tij, veçanërisht në lidhje me parimin se armët duhet t’i përdorë vetëm shteti. Kjo, thonë ata, është thelbësore “për të ruajtur sovranitetin shtetëror, për të përforcuar stabilitetin kombëtar dhe për të shmangur ndërhyrjet në fatin e kombit”.

Duke iu drejtuar më pas bashkësisë ndërkombëtare, Asambleja u bën thirrje institucioneve të intensifikojnë përpjekjet që synojnë ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe kërkimin e zgjidhjeve të drejta. Ata theksojnë se çdo paqe e qëndrueshme duhet të ndërtohet mbi drejtësinë dhe respektin për dinjitetin dhe të drejtat e të gjithë popujve.

Ipeshkvijtë vazhdojnë duke iu drejtuar “bijve dhe bijave tona besnike dhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë”, për solidaritet me ata që po kapërcejnë vështirësitë e luftës. Ata u kërkojnë komuniteteve t’u japin ndihmë “vëllezërve dhe motrave të tyre që qëndrojnë të palëkundur në fshatrat e tyre” dhe i nxisin të vazhdojnë me lutje të zjarrta për paqe në Liban dhe në Lindjen e Mesme, dhe për sigurinë e civilëve të pafajshëm, dhe “në mënyrë që udhëheqësit të zgjedhin rrugën e dialogut në vend të shkatërrimit dhe të ndjekin të mirën e përbashkët në vend të tragjedisë së luftërave”.

Në deklaratë, ipeshkvijtë dhe patriarkët përsërisin thirrjen e tyre për të mirëpritur civilët e shpërngulur, duke u kujtuar të krishterëve se mikpritja ndaj atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre është në qendër të vetë Ungjillit. “Isha i huaj dhe ju më përbujtët”, shkruajnë ipeshkvijtë, duke cituar fjalët e Jezusit në Ungjillin sipas Mateut.

Në mbyllje të deklaratës së tyre, ipeshkvijtë ia besojnë Libanin, Lindjen e Mesme dhe të gjithë botën Provanisë Hyjnore, duke u lutur që Zoti t’i japë dhuratën e pajtimit dhe të paqes së qëndrueshme kësaj bote të trazuar.

06 mars 2026, 09:32