Në foto: atë Pierre El Raii, që u vra sot në Liban nga bombardimet izraelite. Në foto: atë Pierre El Raii, që u vra sot në Liban nga bombardimet izraelite.

Atë Pierre u vra në luftën në Liban sepse nuk deshi ta linte famullinë

Atë Tofik Bou Merhi, françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë dhe famullitar i latinëve në Tir dhe Deirmimas u dha lajmin tragjik mediave të Vatikanit. Atë Pierre El Raii kishte shkuar në malet në jug të Libanit për të ndihmuar një besimtar të plagosur në një nga sulmet e mëngjesit. Ndërsa gjendej aty, ndodhi një tjetër sulm dhe meshtari, i plagosur rëndë vdiq pas pak. E gjithë bashkësia po e vajton me lot në sy famullitarin atë Pierre.

R.Sh. Vatikan

Nuk ndalen luftimet ndërmjet Izraelit, SHBA-së e Iranit. Edhe në jug të Libanit situata n është përkeqësuar sërish pas vendimit të Hezbollahut për të marrë pjesë në luftën që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur kundër Iranit. Ditët e fundit ka pasur një rritje të bombardimeve izraelite, të cilat, sipas burimeve lokale, po godasin gjithnjë e më shpesh edhe shtëpi civile, ndërsa qindra mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë.

Një sulm vdekjeprurës ndodhi dje në Liban në orën 14:00 sipas orës së Bejrutit, 13:00 sipas orës evropiane, saktësisht një javë pas fillimit të bombardimeve izraelite në Liban. Zona e prekur ishte përsëri pjesa jugore e vendit të kedrave.

"Porsa morëm vesh se u vra Atë Pierre El Raii, famullitari maronit i Qlayaa-s", njoftoi në telefon, i tronditur, Atë Tofik Bou Merhi, françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë dhe famullitar i latinëve në Libanin jugor, në Tir dhe Deirmimas.

"Pati një sulm paradite në të cilin u godit një shtëpi pranë famullisë së tij, ndër male, ku u plagos një besimtar", tha françeskani për mediat e Vatikanit. Atë Pierre u vra në luftën në Liban sepse nuk deshi ta linte famullinë. "Atë Pierre nxitoi me dhjetëra të rinj të tjerë për të ndihmuar këtë anëtar të famullisë. Pikërisht në këtë kohë, ndodhi një sulm tjetër, në të njëjtën shtëpi. Kështu, famullitari mbeti vetë i plagosur. Ai u dërgua në një spital aty afër, por nuk ia doli dhe vdiq pothuajse në derën e spitalit. Atë Pierre ishte vetëm pesëdhjetë vjeç. Meshtari ishte i njohur në zonë për shërbimin e tij baritor dhe për angazhimin shoqëror me Karitasin".

Rrëfimi i Atë Tofikut ishte mjaft dramatik, i dëshpëruar dhe shprehte dhimbje të madhe. Ai kujtoi se si meshtari që u vra ishte "vërtet mbështetja e të krishterëve në zonë", gjithmonë në krah të tyre, veçanërisht në një kohë kur ushtria izraelite vijonte të njoftonte për evakuim.

Dhimbja e bashkësisë katolike

Tani, njofton ai, është kohë vaji për të gjithë bashkësinë katolike. "të gjithë po qajnë për tragjedinë që na ndodhi dhe në të njëjtën kohë janë shumë të frikësuar. Deri tani, banorët e fshatrave të krishtera nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e tyre por gjendja është rënduar. Largimi nga shtëpia do të thotë të shkosh të jetosh në rrugë ose të përpiqesh të marrësh me qira një shtëpi tjetër, por njerëzit nuk mund t'ia dalin mbanë, veçanërisht duke pasur parasysh situatën ekonomike që vendi po përjetonte."

Javën e kaluar, kujton Atë Tofik, "shtëpia e një famullitari tjetër u godit drejtpërdrejt: njerëzit bënë qëndresë në atë rast por tani, me vdekjen e Atë Pierre-it, nuk e di edhe sa mund të qëndrojnë".

Dëshpërimi i të shpërngulurve

Gjendja e rëndë në vend vërehet kudo. "Në manastirin tonë në Tir," rrëfen atë Tofik, "kemi 200 persona të shpërngulur, të gjithë myslimanë. Po i strehojmë. E ku mund të përplasen ata që kanë nevojë për strehim në këtë situatë?!"

"Ka 500,000 njerëz të ikur nga shtëpitë e tyre vetëm në Bejrut. Gati 300,000 njerëz janë larguar nga Libani jugor dhe janë shpërndarë nëpër zona në jug që konsiderohen më të sigurta, sadoqë," shtoi ai, "nuk ka më siguri askund. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar gjithashtu nga lugina e Bekaa-s." Njerëzit "e dinë se çfarë po lënë pas – pronën e tyre, shtëpitë e tyre, historinë e tyre – por nuk dinë ku të shkojnë. Janë në rrugë të madhe, duke fjetur në makina. Ne nuk ishim të përgatitur të përbuanim gati një të katërtën e popullsisë."

Sidoqoftë, françeskani përsërit: "ne themi se gjëja e fundit që nuk duhet të vdesë ndër ne është shpresa te Zoti, i cili gjithmonë na jep forcën për të vazhduar." Thirrja që bëjmë, ngul këmbë ai, është prap ajo e njohura: "Mjaft me luftë, mjaft me dhunë. Armët, sikurse tha Papa, nuk sjellin paqe. Ato sjellin veç masakra dhe urrejtje, ndërsa ne kërkojmë vetëm të jetojmë me dinjitet".

09 mars 2026, 17:31