Pamje nga ceremonia e varrimit të Atë Pierre El Raii, në famullinë e Shën Gjergjit, Qlayaa. Pamje nga ceremonia e varrimit të Atë Pierre El Raii, në famullinë e Shën Gjergjit, Qlayaa.

Liban: u kremtuan në Qlayaa salikimet e Atë Pierre El Raii

Në Qlayaa, Liban pjesëmarrës të shumtë dhe të prekur qenë të pranishëm në salikimet e famullitarit që u vra të hënën. Gjatë Meshës së Shenjtë të kryesuar nga imzot Elias Nassar, u lexua një mesazh i Patriarkut Maronit të Antiokisë, kardinalit Béchara Boutros Raï, ku përmendej gatishmëria e meshtarit për të punuar me fëmijët, për të shoqëruar të rinjtë dhe për të ndihmuar familjet, duke i trimëruar të "qëndronin të palëkundur në fé dhe në shtëpitë e tyre".

R.Sh. Vatikan

«Të emocionuar dhe të prekur thellë nga vrasja e famullitarit!» Këto ishin ndjenjat që shoqëruan pjesëmarrësit e shumtë në varrimin e Atë Pierre El Raii, famullitarit maronit të Qlayaa-s, një fshat i krishterë i Libanit jugor që u përcoll sot për në banesën e mbrame. Meshtari u vra të hënën nga një raketë izraelite që e goditi ndërsa po shkonte për të ndihmuar një nga besimtarët e famullisë së tij. Me këto fjalë u shpreh për mjetet e komunikimi të Vatikantit, Atë Toufic Bou Merhi, frat françeskan i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë dhe famullitar i katolikëve të ritit latin në Libanin jugor. Ai ishte ndër të parët që njoftoi për vrasjen e meshtarit pardje.

"Shumë besimtarë, autoritete kishtare, civilë dhe personel ushtarak u mblodhën për t'i bërë homazhe një bariu që pati ndikim të gjerë në jetën e bashkësisë së tij", shpjegoi françeskani në lidhje me ceremoninë e varrimit të Atë Pierre El Raii-t, që u zhvillua sot në Libanin jugor.

Në varrim morën pjesë, përveç popullit të shumtë, nunci apostolik në Liban, kryeipeshkvi Paolo Borgia, i cili shprehu afërsinë dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë për të krishterët e rajonit", tregoi në reportazhin e tij Atë Toufic, duke shtuar se "nunci kishte planifikuar me kohë një vizitë në ato fshatra bashkë me Atë Pierre".

Po ashtu, në salikime, mori pjesë edhe një delegacion i Patriarkanës Maronite, të cilit i printe kryeipeshkvi Elias Nassar bashkë me kryepeshkopin e Tirit, imzot Charbel Abdallah, si dhe shumë meshtarë katolikë dhe ortodoksë, "shenjë kjo e bashkimit kishtar dhe e respektit që Atë Pierre gëzonte mes njerëzve".

Gjithnjë në shërbim të bashkësisë

Para fillimit të kremtimit Eukaristik, autoritetet civile dhe përfaqësuesit e Caritasit, kapelan i të cilit ishte Atë Pierre, folën në prag të kishës së Qlayaa-s. «Të gjithë përmendën bujarinë dhe shërbimin e palodhur të meshtarit për bashkësinë që i ishte besuar.» – u shpreh Atë Toufic. Gjatë varrimit banorët shprehën vendosmërinë e tyre për të qëndruar në shtëpitë dhe tokat e veta, duke ruajtur kujtimin dhe mësimet e famullitarit të tyre të dashur.

Mesazhi i Patriarkut Raï

Mesha e Shenjtë u kryesua nga imzot Nassar. Pas Ungjillit, u lexua mesazhi i Patriarkut maronit të Antiokisë, kardinalit Béchara Boutros Raï. Përveç dhënies së bekimit të tij për kryedioqezën e Tirit, dy famullitë e Qlayaa-s, famullinë e tij të Debel-it, familjen e meshtarit dhe të gjithë besimtarët e pranishëm, Patriarku maronit përshkoi shkurtas rrugëtimin e At Pierre-it, duke nisur nga shugurimi i tij në vitin 2014. Patriarku maronit theksoi «bujarinë e madhe të Atë Pierre-it, gjithmonë i gatshëm për të punuar me fëmijët, për të shoqëruar të rinjtë dhe për të ndihmuar familjet, kur u jepte zemër të qëndronin të palëkundur në fenë e tyre dhe në shtëpitë e tyre, pavarësisht vështirësive.»

Këto vështirësi po përjetohen edhe sot nga banorët e atyshëm – tha Atë Toufic në reportazhin e tij  – në këtë kohë sulmesh të vazhdueshme izraelite kundër Hezbollahut, një luftë për të cilën "i gjithë Libani dhe populli libanez po paguajnë një çmim mjaft të lartë".

Dashuria për grigjën që i ishte besuar

Dhe janë pikërisht këta njerëz që nuk do ta harrojnë kurrë shembullin e Atë Pierre-it. «Ai ishte një bari i vërtetë, i gatshëm të jepte edhe jetën për grigjën e tij» – përfundoi frati françeskan Toufic Bou Merhi në këtë komunikim me «Vatican News».

11 mars 2026, 17:53