Kërko

Shpërthime në lagjet jugore të Bejrutit pas sulmit izraelit Shpërthime në lagjet jugore të Bejrutit pas sulmit izraelit

Liban, Atë Toufic: famullitari i Qlayaa-s u vra me arsyetimin e “dëmeve kolaterale”

Reflektimi mbi brutalitetin e luftës nga françeskani i Rojtarisë së Tokës së Shenjtë dhe famullitar i latinëve në jug të Libanit, pas vdekjes në bombardimet e djeshme të rregulltarit maronit Atë Pierre El Raii.

R.SH. – Vatikan

«Dëme kolaterale»: është një shprehje që e dëgjojmë shpesh kur flitet për luftë. Një formulë e ftohtë, pothuajse teknike, e përdorur për të shpjeguar atë që ndodh kur një operacion ushtarak godet edhe ata që nuk kanë asgjë të bëjnë me luftën, pra nuk kanë lidhje.

Të qëndrosh pranë popullit libanez

Unë, megjithatë, nuk jam gazetar dhe nuk jam i zoti të shkruaj artikuj. Jam një frat françeskan. "Specializimi" im, po të mund të thuhet kështu, është të qëndroj pranë njerëzve: të ndaj me ta ankthet dhe ëndrrat e tyre, të dëgjoj dhimbjet e tyre, sepse në fund të fundit jam njëri prej tyre. Gjatë këtyre muajve kam parë të rritet rreth meje zemërimi, frika dhe pasiguria. Ndjenja që zënë të gjithë hapësirën e zemrës dhe lënë pak vend për shpresën dhe ëndrrat. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë, të punojnë, të kërkojnë një normalitet të brishtë, por përbrenda mbajnë një peshë që është vështirë të tregohet.

Vrasja e Atë Pierre

Në emër të së drejtës për mbrojtje, dhe me arsyetimin e të ashtuquajturave “dëme kolaterale”, kemi humbur një famullitar, Atë Pierre El Raii. Faji i tij i vetëm ishte dëshira për të qëndruar pranë besimtarëve të famullisë së tij. Gabimi i tij ishte t'i përgjigjej një kërkese për ndihmë. Ai u përpoq të ndihmonte një person që e kishte thirrur, dhe ky gjest i kushtoi jetën. Atë Pierre ishte bujaria dhe gatishmëria e mishëruar në një famullitar. Përpiqesha ta frenoja që të merrte frymë, por nuk ia dola kurrë.

Shkatërrimi në zemrat e njerëzve

Flitet për sulme të shënjestruara, për teknologji ushtarake të sofistikuara, për operacione të sakta. Tregohen imazhe të ndërtesave të shkatërruara nga raketat dhe predhat. Por ka një shkatërrim që asnjë kamerë nuk arrin ta tregojë: ai që ndodh brenda zemrës së njerëzve. Kush e sheh plagën e brendshme? Kush e dëgjon heshtjen e atij që jeton me frikë? Cilat fjalë mund të përshkruajnë atë që ndiejnë fëmijët kur lufta hyn në ditët e tyre?

Përsëri shumë të shpërngulur

E pastaj janë të shpërngulurit. Njerëz të detyruar të lënë shtëpinë e tyre, rrugët e tyre, kujtesën e tyre. Ku strehohet dinjiteti kur humbet shtëpia? Si ruhet shpresa kur jeton me një valixhe gjithmonë gati? Dhe në zemrën e shumë njerëzve rritet edhe një plagë tjetër: frika nga tjetri, nga ai që është ndryshe, nga ai që qëndron në anën tjetër. Por si mund të ndërtohet paqja nëse më parë nuk shërohet kjo frikë? Shtëpitë e shkatërruara, herët a vonë, mund të rindërtohen. Por njeriun e plagosur nga dhuna, nga frika dhe trishtimi, kush do ta rindërtojë? Ku mund të gjehet dinjiteti i humbur?

Pyetje pa përgjigje

Janë pyetje që më shoqërojnë çdo ditë. Pyetje të cilave nuk di t'u jap përgjigje. Për këtë kërkoj ndjesë, i dashur drejtor. Dhe u kërkoj ndjesë edhe lexuesve. Nuk kam analiza politike për të ofruar, as zgjidhje për të propozuar. Nuk kam as fjalët për të ndërtuar një artikull të vërtetë. Mund vetëm të dëshmoj atë që shoh: një tragjedi të pamasë që shpesh mbetet e fshehur brenda zemrave të vogla. Ose ndoshta duhet të them: brenda zemrës së më të vegjëlve.

Atë Toufic Bou Merhi, françeskan i Ruajtjes së Tokës së Shenjtë dhe famullitar i latinëve në jug të Libanit

botuar në L’OSSERVATORE ROMANO, e marte 10 mars 2026

 

10 mars 2026, 17:15