Lamtumirë motër Tereza Ferra
R.SH. / Vatikan
KTHEHET NË SHTËPINË E ATIT MOTËR TEREZE FERRA
“Ejani të bekuarit e Atit tim!
Merrni në pronë Mbretërinë
që u ba gati për ju që prej fillimit të botës!”
(Mk, 25, 31)
Dioqeza e Sapës dhe Motrat Stigmatine me datën 10 mars, me pikëllim i dhanë lamtumirën e fundit Motër Tereze Ferra, e cila prej katër vitesh vuajti nga sëmundja dhe Zoti e thirri pranë vetes në moshën 61 vjeç. Nderimet dhe homazhet për motër Terezen u mbajtën në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër, me pjesëmarrjen e motrave të kësaj kongregate, besimtarëve, meshtarëve dhe motrave të kongregatave të ndryshme.
Mesha e Salikimit u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Giovanni Peragine në bashkëkremtim me Administratorin e Sapës, Atë Mariano Tarantino dhe me meshtarë të tjerë.
Në predikimin e rastit, Arqipeshkvi theksoi se vlerësoi shumë kontributin e motër Terezes në misionin e kishës. Ai tha se të nxitur nga feja në praninë e gjallë të Zotit që është mes nesh e gjejmë ngushëllimin se jeta e motër Terezes tani është në plotësinë e Hyjit.
Motër Tereza kishte një karakter energjik dhe mjaft pozitiv; kishte një shpirt të thjeshtë dhe një zell apostolik që e shtynte të mos qëndronte indiferent përballë njerëzve të varfër dhe të vuajtur që takonte çdo ditë. Dinte të hynte në situata të vështira me guxim por edhe me atë lehtësi që lindte pikërisht nga feja.
Imzot Gjergj Meta, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë përcolli mesazhin e ngushëllimit për motër Terezen, e cila ka dëshmu gjatë këtyre viteve përkushtimin e saj ndaj Krishtit dhe tani në qiell gëzon së bashku me motrat e tjera, por në veçanti me Martiren tonë të Shenjtë, të Lumen Marie Tuci.
Me fjalët e fundit për të, në emrin e Dioqezës së Sapës, iu drejtua edhe Atë Mariano Tarantino ku mes tjerash premtoi lutjet tona që e mira dhe buzëqeshja që solle ndërsa ishe midis nesh, sot, tani e bekuar nga sakrifica e fundit të jetës së sate të japin fryte edhe më të mëdha për këtë kishë dhe për këtë vend.
Motër Dukata Radoja, zëvendës Eprore e motrave Stigmatine falenderoi Zotin për dhuratën e jetës së Motër Terezes dhe misionin e saj, por edhe në këto vite vuatjeje me sëmundjen, ka ditë gjithmonë me na dhuru humorin, lutjen, guximin, por edhe besimin e vetvetes në duart e Zotit.
Ceremonia e këtij kremtimi vazhdoi më pas me procesionin drejt banesës së amshuar në varrezat e Rrmajit në Shkoder.
Kush ishte Motër Tereza?
Motër Tereza, lindi më 20 qershor 1965, në fshatin Sumë – Shkodër. E bija e Prekës dhe e Soses, motra e Mrisë, Ages dhe e m. Mirës. Ajo u rritë në familje me tradita fetare dhe fisnike. Qe në fëmijëri kishte marak t’ju qëndrojë afër atyre që vuanin, sidomos të varfërve duke bashkëndarë me ta gjithçka kishin në familjen e saj.
Në vitin 1993, atëherë kur ende rrënjët e fesë kishin jetë, lulëzuan thirrjet e para paskomuniste, për jetën françeskane stigmatine. Më 11 shtator 1993 M. Tereza, hyri në Kuvend për jetën e Kushtuar tek Motrat Sitgamtine në Shkodër.
Vitet e para të formimit i bëri në Shkodër, Nënshat dhe Shirokë. Me 8 dhjetor 1998, ditën e festës së Zojës së Papërlyer, në kishën e Shën Rrokut në Shirokë, bëri
Kushtet e Para Rregulltare. M. Tereza, ndoqi Institutin Katekistik të Shkodrës dhe mori pjesë në takimet e formimit ndërkongregacional për Jetën e Kushtuar; më 17 shtator 2005, bëri Kushtet e Përjetshme në Kishën e Shën Françeskut Gjuhadol.
Me 15. 12. 1998 u trasferua në fshatin Pistull ku ushtroi misinion e saj baritor në këtë famulli. Në vitin 1999 shërbeu në kampet e strehimit të kosovarëve në Gjakovë. Pasi mbaroi shkollën e Mesme të Përgjithshme në Shkodër, u diplomua si infermiere në Modugno rreth vitit 1999-2001 (Itali), nga viti 2001-2004 vazhdoi shërbimin e saj në Pistull, duke ndjekur disa kurse formimit sanitarë për vajzat dhe gratë e kantundeve për rreth, deri në vitin 2006.
Në vitn 2007 u trasferua në fshatin Hajmel, ku dhe u emërua Përgjegjëse e Bashkësisë së Motrave në Hajmel-2016, këtu punoi edhe si anëtare e Karitasit dioqezan dhe komisionit sanitarë në Sapë. Pas këtij viti u trasferua në Dajç B. Bunës deri në vitin 2016-2017, kreu detyrën e Këshilltares së Delegacionit shqiptar nga viti 2012-18. Në vitin 2017-2021 rikthehet në Hajmel, ku vazhdoi shërbimin e saj në famulli Hajmel-Dheu i Lehtë dhe Nënshat, si edhe kujdesin për të sëmurët në Fush Arrëz. Në vitin 2021 bëhet pjesë e bashkësisë së hapjes së Residencës për të moshuar në Shirokë. Në vitin 2023 trasferohet në Itali për arsye shëndetësore..e pastaj në Shkodër. Për kurim e qetësi më të nevojshme kërkon për t’u rikthyer në bashkësinë e motrave në Shirokë.
Motër Tereza, kishte shpirt dlirësie, zell baritor, ku me karakterin e saj energjik e pozitiv depërtonte në situata të vështira të shumë familjeve apo personave që takonte. Humori, spontaniteti i saj ishin të pafund me të cilin i ngrite moralin shumëkujt edhe neve. Vlen për ta kujtuar atë që më shumë kishte për zemër deri në ditët e fundit: Misionin malor. Nga viti 2003 deri me dt. 17 dhjetor të vitit 2025 vazhdoi misionin malor pa u lodhur kurrë në fshatra të dioqezës së Sapës, në bashkëpunim me motrat dhe meshtarët, së fundmi në Fush Arrës me Fretërit Kapuçin dhe m. Gratia.
Lamtumirë Motër Tereza!
nga Vau Dejës Violeta Marashi