2023.03.09 Gesu e la samaritana

Ku të gjejmë ujë kur kemi etje?

E diela e tretë e Kreshmëve, viti 'A'

R.Sh. Vatikan

Ungjillit shenjt sipas Gjonit 

Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!”  Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”   Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”  Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës”.

Pasi na paraqiti tundimet e Jezusit dhe shndërrimin e tij, në vitin liturgjik i ciklit të parë "A", Kisha ofron, nëpërmjet fragmenteve të Ungjillit të katërt, një udhëtim që na ndihmon ta zgjerojmë kuptimin që ka pagëzimi për ne. Sot do të meditojmë rreth takimit ndërmjet Jezusit dhe gruas samaritane, ku zbulohet dhurata e ujit të jetës.

Nga Jeruzalemi, Jezusi duhej të kthehej në Galile, dhe mund ta bënte këtë duke udhëtuar përgjatë luginës së Jordanit. Rruga ishte më e sheshtë, më e sigurtë dhe shmangte Samarinë, një tokë banorët e së cilës kishin qenë për shekuj mjaft armiqësorë kundrejt judenjve – të cilët i konsideronin samaritanët si të ndragët dhe heretikë, aq sa i ngacmonin sa herë kalonin andej pari (krh. Luka 9,52-53). Në vend të kësaj, teksti thotë se Jezusi "duhej" (édei) të kalonte nëpër Samari, një "detyrë" që shpreh një domosdoshmëri hyjnore, duke iu bindur Hyjit. Pikërisht ngaqë nuk ishte dërguar vetëm për judenjtë, Jezusi përshkohet nëpër atë tokë për të përmbushur misionin e tij. Për këtë do ta fyenin të gjithë ata që nuk e kuptonin duke i thënë: "Ti je Samaritan dhe i pushtuar nga djallin!" (Gjoni 8,48).

Megjithatë, Jezusi pranon të takohet me këta njerëz, të konsideruar armiq dhe të ligj; në fakt, ai e kërkon këtë popull të përçmuar dhe bëhet samaritan midis samaritanëve, duke u ndalur te një pus, ashtu sikurse ndalet samaritani i rrëfimit ungjillor te udhëtari që ishte rrahur nga hajdutët (krhs Luka 10,33-35).

Në orën më të nxehtë të ditës, Jezusi mbërrin në Samari, "i lodhur nga udhëtimi", shkon e ulet pranë pusit të Jakobit (krhs. Zanafilla 33,18-20). Ai është i lodhur dhe i etur, por nuk ka se si të nxjerrë ujë nga pusi. Mbërrin aty një grua e cila, ndoshta për shkak të sjelljes së saj imorale që njihej publikisht, detyrohet të dalë në rrugë në atë orë, në mënyrë që të mos hasë ata që e përçmojnë. Jezusi i kërkon asaj: "Më jep ujë të pi." Kur i dëgjon këto fjalë në gjuhën hebraike, ajo çuditet: dikush, i etur i kërkon asaj të pijë, kërkon mikpritje, por ai është një armik, dikush që ndihet epror ndaj saj. Një samaritane mund të priste vetëm përçmim nga një hebre, mirëpo në vend të kësaj, Jezusi bëhet si lypës para saj. Ky është autoriteti i vërtetë i përjetuar nga Jezusi: aftësia e tij - siç tregon latinishtja «auctoritas», nga «augere» – për të rritur të tjerët, për t'i bërë ata të rriten.

E çuditur, gruaja e pyet Jezusin: “Po si kështu, ti, një hebre, kërkon të pish nga unë, një grua samaritane?” Çfarë poshtërimi! Kjo është ajo që i bën përshtypje dhe nxit bisedën, një takim të përzemërt, ballë për ballë, pa pengesa. Muri ndarës ndërmjet Jezusit dhe gruas rrëzohet (krhs. Ef 2:14), ose më saktë dy mure rrëzohen: një mur për shkak të armiqësisë midis samaritanëve dhe hebrenjve, dhe një mur kulturor dhe fetar i pabarazisë, që ia ndalonte një burri, veçanërisht një rabini, të bisedonte me një grua. Por nëse një person nuk mund të shkojë te Zoti, është Zoti që e kërkon atë, sepse askush nuk mund të përjashtohet nga dashuria e tij: kjo është ajo gjë që Jezusi dëshmon me sjelljen e tij.

Ai, duke e parashikur se dialogu do të jetë frytdhënës, fillon ta përfshijë gruan në dialog: “Nëse do ta njihje dhuratën e Zotit dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi’, do t’i kishe kërkuar, dhe ai do të të kishte dhënë ujë të gjallë!”

Gruaja është e etur, Jezusi është i etur, por kush i jep në të vërtetë tjetrit të pijë? Tek Jezusi dhe gruaja ka etje për ujë, për shkak të vapës, por ka edhe një etje tjetër që del ngadalë... Jezusi e di se ekziston një etje më e thellë dhe ai e di se pusi simbolizon Torahin, atë pjesë të Shkrimit të Shenjtë që vetë samaritanët besonin se ishte e vetmja që përmbante fjalën e Zotit dhe prej të cilit duhej të mësonin për të jetuar si besimtarë. Edhe Jezusi e di se kjo grua, një figurë e Samarisë që e ka shkelur kurorën me Hyjin (krhs Hos 2:7), është përpjekur ta shuajë etjen e saj në mënyra të gabuara: ajo kishte pasur disa burra, kishte pirë çdo lloj uji, viktimë dhe autore e dashurive të gabuara...

Dhe kështu, Jezusi i tregon asaj gjendjen ku ndodhet, por pa e dënuar, përkundrazi e fton të përqafojë realitetin dhe, si pasojë, të kthehet te Zoti i gjallë. Gruaja samaritane, e tërhequr nga kjo bisedë, dëshiron të dijë më shumë: "Kush je ti që e jep këtë ujë të gjallë? A je më i madh se ati ynë Jakobi? A ke vërtet ujë që shuan etjen përgjithmonë? Ku e merr këtë ujë të gjallë?" Patriarku Jakob jo vetëm që e hapi atë pus të thellë, por sipas traditës hebraike, mjaftonte që Jakobi të ishte i pranishëm dhe uji ngjitej vetë përpjetë pusit. A është Jezusi më i madh se Jakobi? A mund të japë ai ujë që del nga pusi, ujë të gjallë?

Gruaja pranon të bisedojë dhe në këmbim Jezusi i bën një premtim të jashtëzakonshëm: "Uji nga ky pus nuk e shuan etjen përgjithmonë, Ligji i Moisiut nuk e shuan etjen përgjithmonë, por unë jap ujë që bëhet një burim uji që gurgullon, një gurrë e pashtershme që jep ujë në amshim." Jezusi i shpall asaj gjëra që ajo nuk i kishte dëgjuar: ekziston një ujë që ai jep, i cili nuk nxirret nga pusi por bëhet një burim që gurgullon, ujë që del nga thellësitë. Të pish ujin që ai jep do të thotë të gjesh një burim brenda vetes: ky ujë është Shpirti që Jezusi dikon në zemrat tona (krh. Gjn 7,37-39; 19:30, 34), një Shpirt që gurgullon në përjetësi, i cili kthehet në një "mësues të brendshëm" në zemrën e besimtarit.

Gruaja samaritane fillon të kuptojë diçka dhe pastaj pyet: "Zot (Kýrios), m’a jep këtë ujë!" Këtu Jezusi papritur e kthen bisedën: "Shko, thirr burrin tënd dhe kthehu këtu."

Çfarë lidhjeje ka burri i saj me këtë çështje? Në të vërtetë, Jezusi është shumë i vetëdijshëm për jetën e gruas samaritane, sepse "ai e dinte çfarë kishte brenda gjithkush" (Gjn 2:25). Ai vëren tek historia e pafat e dashurisë së kësaj gruaje marrëdhënien idhujtare të samaritanëve me idhujt e huaj. Ai lexon simbolikisht historinë e Mbretërisë Veriore, Izraelit, të quajtur nga profetët "një grua kurorëshkelëse dhe një prostitutë" për pabesinë e saj ndaj Bashkëshortit të saj të vetëm, Hyjit, dhe shkeljes së kurorës me idhuj të rremë (krhs Hoz. 2,4-3:6).

Gruaja, duke u përgjigjur se tani nuk ka burrë, se po kërkon të dashur, rrëfen se nuk e ka gjetur Bashkëshortin e saj të vetëm, që i rri gjithmonë besnik, edhe pas tradhtisë (krhs Os. 14:5). Jezusi qëndron para popullit samaritan për t’u thënë atyre se Zoti nuk i ka braktisur kurrë, se dëshiron t’i tërheqë drejt Vetes (krh. Hoz 2,16) dhe të festojë me ta martesën e një besëlidhjeje të përjetshme. Kjo është arsyeja pse gruaja samaritane, përveç ujit, duhet të gjejë burimin sepse, tashti pas dhuratës, asaj i duhet të zbulojë dhuruesin. Në përgjigjen e saj Jezusit, ajo i pranon në heshtje dështimet e saj të shumta, etjen e saj të frustruar për bashkim dhe dashuri; ajo është një grua e varfër, që ka pasur shumë zotërinj, por jo një burrë, një grua e shfrytëzuar dhe e braktisur. Por duke zbuluar veten, ajo zbulon se Jezusi është profet dhe menjëherë e pyet se ku është e mundur të adhurohet, ku mundet të takohet me Zotin dhe të fillojë një jetë bashkimi me të: në Jeruzalem, siç thonë hebrenjtë, apo në malin Garixim, siç thonë samaritanët?

Si përgjigje, Jezusi i rrëfen asaj çastin e saktë: “Më beso, o grua, ora po vjen – dhe tashmë ka mbërritur – kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në Shpirt dhe tek e Vërteta”, domethënë në Shpirtin e Shenjtë dhe në vetë Jezu Krishtin, i cili është e Vërteta (krh. Gjn 14,6), rrëfimi përfundimtar dhe përfundimtar i Zotit (krh. Gjn 1,18). Po, vendi i liturgjisë të vërtetë të krishterë nuk është më një shenjtërore, një mal, një tempull apo një katedrale, por banesa e Atit, e Birit dhe e Shpirtit Shenjt, domethënë i gjithë personi ynë, trupi i Krishtit (krh. 2 Kor 13,5) dhe “tempulli i Shpirtit” (1 Kor 6,19). Përballë këtyre fjalëve, samaritanja guxon të tregojë se çfarë po pret: ajo dhe populli i saj presin Mesinë profet, Moisiun e ri (krh Lt 18,15-18), presin atë që do t’u zbulojë gjithçka. Dhe është në këtë moment që Jezusi i thotë asaj: "Unë jam që po të flas (krhs. Emri i Zotit tek: Dalja 3,14). Gruaja e zbuloi veten në mjerimin e vet, Jezusi e zbulon veten në të vërtetën e tij si Mesi, si Krisht, i dërguar nga Hyji.

Por tani, takimi shumë njerëzor me Jezusin e ka shndërruar këtë grua në një qenie të re, duke e bërë atë dëshmitare dhe ungjillëzuese. Kjo është arsyeja pse, "duke lënë shtambën e saj të ujit" – një gjest që flet më shumë se fjalët! – ajo vrapon në qytet për të dëshmuar atë që i ka ndodhur. Për gruan samaritane, dëshmi do të thotë, para së gjithash të kujtosh ngjarjet, të rrëfesh përvojën. Diçka vendimtare ka ndodhur në jetën e saj, dhe kjo gjë ka sjellë një ndryshim tek ajo. Dhe kështu, pasi kujton ngjarjet, ajo ngre pyetjen: "A mund të jetë ai Mesia?"

Ajo nuk u imponon një dogmë dëgjuesve të saj, as një të vërtetë të shprehur me fjalë të ngurta, por përkundrazi jep një interpretim që do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje me liri të plotë, të shtyrë nga dashuria. Ajo sugjeron nuk del në përfundim, dhe kështu ndez dëshirën për takim. “Besimi vjen nga të dëgjuarit” (Rom 10,17), thotë apostulli. Nga dëgjimi i Jezusit lindi besimi i samaritanes, nga dëgjimi i samaritanes lindi besimi i popullit të saj. Dhe nga besimi vjen dija, nga dija, dashuria. Kjo është e reja e krishterimit, e përmbledhur mrekullisht në takimin e dy njerëzve të etur!

08 mars 2026, 14:58