Kryeipeshkvi Grušas: të mbështeten përpjekjet diplomatike me lutjen për paqe
R.SH – Vatikan
E keqja nuk është e pakufizuar. As dhuna nuk është e gjithëpushtetshme. Lufta nuk është realiteti përfundimtar. Fjalët e Kryetarit të Ipeshkvijve Evropianë, Imzot Gintaras Grušas, janë himn për paqen, por edhe paralajmërim për të rizbuluar fuqinë e lutjes dhe mëshirën e Zotit në një botë të tmerruar nga lufta e nga frika. Rasti ishte kremtim Eukaristik që Kryeipeshkvi kryesoi të hënën, më 9 mars, në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Vilnius, si pjesë e Zinxhirit Eukaristik, iniciativës së Kreshmëve të CCEE (Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë) që bashkon të gjitha Kishat Evropiane në lutje për paqe në Ukrainë, në Tokën Shenjte dhe në zona të tjera konflikti.
E keqja nuk e ka fjalën e fundit
Paqja, pra, në predikimin e Kryeipeshkvit Grušas, është qëllim i veçantë, por edhe rrugë e nevojshme për t'u ndjekur në veprim. Duke reflektuar mbi historinë biblike të Naamanit, Kryeipeshkvi vërejti se Zoti shpesh vepron përmes asaj që duket e vogël ose e thjeshtë. E edhe lutja për paqe mund të duket e parëndësishme, po është kryesore. Në veçanti, Imzot Grušas u përqendrua mbi rëndësinë e Vilniusit në mesazhin e Mëshirës Hyjnore dhënë Shën Faustinës Kowalska: "Vilnius - tha ai - është qyteti ku, nëpërmjet Shën Faustinës, bota dëgjoi edhe një herë mesazhin e mëshirës së Zotit. Këtu u pikturua kuadri i Jezusit të Mëshirshëm. E po këtu u kujtua edhe një herë e vërteta se e keqja nuk e ka fjalën e fundit".
Bota gjakoset
Duke njohur rëndësinë e përpjekjeve politike dhe diplomatike që po bëhen aktualisht, përfshirë heshtjen e konfliktit të armatosur në të gjithë Lindjen e Mesme, kryetari i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) paralajmëroi se pa lutje " përpjekjet njerëzore mbeten thjesht, pa dritën e Zotit". Lutja për paqe, e cila bashkon konferencat ipeshkvore jo vetëm të Kontinentit të Vjetër, por edhe të organizatave të tjera në mbarë botën, nuk duhet nënvlerësuar. Duke cituar Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të Papës Leoni XIV, ai u kujtoi besimtarëve një të vërtetë të rëndësishme: "përpara se të jetë qëllim, paqja është prani dhe udhëtim".
Ky mesazh gjen jehonë veçanërisht të fortë në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore. Siç na mësoi Shën Gjon Pali II, Mëshira Hyjnore është me të vërtetë forca që kufizon të keqen në botë: "E keqja nuk është e pakufizuar. Dhuna nuk është e plotfuqishme. Lufta nuk është realiteti përfundimtar. Mëshira e Zotit është më e fortë". Duke parë situatën aktuale të vdekjes dhe të rrezikut për kaq shumë njerëz, prelati pranoi vuajtjet e shkaktuara nga konfliktet e vazhdueshme: "Sot bota është plagosur përsëri. Ukraina po vuan. Toka Shenjte po rrjedh gjak. Shumë konflikte mbeten në hije", por lutja për paqe nuk është kurrë e kotë, kurrë e parëndësishme; në të vërtetë, "çdo zemër që i lutet Zotit bëhet vend, ku e keqja kufizohet. Paqja fillon me një zemër, që i premton Zotit se do ta pastrojë".
Kongresi i Mëshirës, apostolik e botëror
Në fund të Meshës, Kryeipeshkvi Grušas i ftoi besimtarët në Kongresin e ardhshëm apostolik botëror të Mëshirës, që do të mblidhet në Vilnius nga 7 deri më 12 qershor 2026, me moton "Të ndërtojmë qytetin e Mëshirës". Në takim, në kryeqytetin lituanez, do të marrin pjesë besimtarë nga mbarë bota për ta reflektuar më thellë kuptimin e mëshirës së Zotit dhe për t'u bashkuar në lutje për një botë të pajtuar. Kryeipeshkvi përfundoi duke shpresuar se zinxhiri eukaristik i lutjes në mbarë Evropën, së bashku me lutjet e ofruara gjatë kongresit të ardhshëm, do të kontribuojnë për të sjellë ripërtëritje të thellë shpirtërore: "Mëshira e Zotit, që i vë kufi të keqes, i shëroftë sot plagët e botës ", ishte thirrja e tij e fundit.