Kreshmët në viset tona në motet e shkuara
R. Sh. Vatikan
Përveç përgatitjes shpirtërore, besimtarët i kushtonin vëmendje edhe ushqimit që lejohej nga ligji i Kishës për këtë ditë. Një vend të veçantë kishin në këtë menu të shtrënguar ullinjtë, peshku, perimet etj, por peshku zinte vend kryesor në këtë dietë që i printe pranverës.
Në sofër, në zonën e Shkodrës dhe të viseve përreth, shtrohej kryesisht peshku i thatë: saragat. Bëhet fjalë këtu për gjuhcën e liqenit të Shkodrës, emri i saktë i së cilës është lat. Alburnus albidus alborella, e cila është madje specie endemike e këtij liqeni.
Ajo zihej nga peshkatarët në muajin dhjetor dhe thahej në tym drush të ndryshme që mblidheshin në malin e Taraboshit, buzë liqenit, sepse jo çfarëdolloj drush ishin të përshtatshme. Madhësia maksimale e gjuhcës ishte atëherë kur 27 kokrra gjuhca peshonin plot një kilogram, dhe kaq mjaftonte që blerësit të mbeteshin të kënaqur nga peshkatarët.
Ushqim tjetër që ruhej e shtrohej në tryezë si për Krishtlindje, ashtu edhe në kohën e Kreshmëve ishin putargat. Këto janë vezët e qefullit lat. Mugil cephalus, shumë të kërkuara por edhe më të kushtueshme se saragat. Më vonë, pastaj, nga gjysma e marsit, fillonte peshkimi i kublës (lat. Alosa phalax nilotica), ose lloça, siç quhet ndryshe. Shenjë e sigurtë për peshkatarët se kishte ardhur koha kur mund të zihej kubla, ishte kur niste të frynte karajeli, një lloj ere disi e ngrohtë, që peshkatarët e quanin «karajel kublash».
Saraga me postë detare
Në dokumentet mesjetare që flasin për arbërit bie në sy një vendim i senatit të Raguzës/Dubrovnikut i datës 25 janar 1397. Mes shumë çështjeve që kishin të bënin me doganat, flotën dhe marrëveshjet mes shteteve, burrat e senatit shqyrtuan atë ditë edhe kërkesën e arqipeshkvit të Tivarit, dom Marinit. Ky dëshironte të dërgonte nga Tivari në Dubrovnik dy thasë me saraga (duos sachos sarachorum) të liqenit të Shkodrës dhe prej andej kërkonte që këto të dërgoheshin me postë me anije deri në Ankonë, e prej andej t’ia dorëzonin në Romë (quas mittit Romam), një miku të tij, meshtar shqiptar edhe ky me sa duket. Merret me mend se senati i Dubrovnikut e pranoi kërkesën e prelatit benedektin pa mëdyshje.