Kardinali Sako: "Lufta nuk është zgjidhje"
R.Sh. Vatikan
U bë një javë tashmë që sulmet iraniane me raketa dhe dronë kanë vënë në shënjestër Irakun dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, si kundërpërgjigje të bombardimeve izraelite dhe amerikane të Republikës Islamike. Qyteti i Erbilit, kryeqyteti autonom i Kurdistanit irakian, ka pësuar sulme të shumta, ashtu si edhe pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga fushat e naftës si ato në Basra, në jug deri në aeroportin e kryeqytetit, Bagdad. Rreziku gjithnjë e më i dukshëm është se konflikti do të përhapet në të gjithë rajonin dhe patriarku kaldeas i Bagdadit, kardinali Louis Raphaël I Sako, nuk e fsheh shqetësimin e tij. "Askush nuk e di se ku do të çojë kjo luftë. Përjetuam të njëjtën gjendje në vitin 2003," – tha ai për mjetet e komunikimit të Vatikanit, duke paralajmëruar për "trazira, hakmarrje dhe sulme".
Frika e një përshkallëzim të ri
Edhe pse milicia shiite pro-iraniane në Irak deri tani nuk janë përfshirë edhe aq në konflikt, patriarku megjithatë thekson rreziqet me të cilat përballet shoqëria irakiane, sepse në në Irak shiitët përfaqësojnë gati 60% të popullsisë. "Kemi frikë sepse jemi fqinjë të Iranit dhe shumë irakianë janë shiitë. Zemrat janë të turbulluara." "Kemi frikë nga një përshkallëzim i ri që do të çonte në një luftë në shkallë të gjerë," vazhdoi kardinali, duke përmendur sulmet që kanë goditur edhe vendet e Gjirit Persik, Turqinë dhe Azerbajxhanin. "Lufta nuk është zgjidhje," – këmbëngul ai. "Diplomacia është ajo që mund të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve."
Kreu i Kishës Kaldease, po ashtu, e sheh me shqetësim të madh fatin e bashkësive të krishtera, veçanërisht në Rrafshin e Ninives, zonë nga e cila shumë banorë janë detyruar të ikin për shkak të persekutimit të Shtetit Islamik: "Ne të krishterët jemi shumë të shqetësuar sepse, nëse ata fillojnë të sulmojnë Rrafshin e Ninives, ku ka 50,000 të krishterë, këta banorë do të largohen nga shtëpitë e tyre dhe këtë herë nuk do të kthehen më kurrë."
Ngrihet zëri për paqe
"U kërkova të krishterëve të luten për paqe në të gjitha Meshat nëpër kisha. I nxita të marrin masa paraprake, të jenë të kujdesshëm dhe të mos humbasin guximin dhe shpresën" – vazhdon Sako, i cili, për të ulur gjakrat ka kërkuar edhe mbështetjen e udhëheqësve të tjerë shpirtërorë në vend: "U kërkova udhëheqësve fetarë [myslimanë, red.] të ngrenë zërin e tyre për paqe, për vëllazërim, ashtu siç bëri Papë Françesku gjatë vizitës së tij në Irak dhe gjatë takimit të tij me Al-Sistanin."
Ishte një çast historik, një dritë për të ardhmen e bashkëjetesës ndërfetare në Irak. Pikërisht, pesë vjet më parë, më 6 mars 2021, Papa u takua me udhëheqësin shpirtëror shiit në qytetin e shenjtë të Naxhafit. "Ishte një takim shumë i rëndësishëm", thotë kardinali, duke kujtuar fjalët e ajatollah Al-Sistanit: "Ne jemi pjesë e juaja dhe ju jeni pjesë e jona". Kështu, ajatollahu konfirmoi atë që Françesku kishte thënë më parë: "Ne jemi vëllezër".
Vetë Al-Sistani, më 4 mars, ndërsa bombat vazhdonin të binin nëpër Lindjen e Mesme, dha një deklaratë ku shprehu shqetësimin e tij të thellë për luftën që po përhapej. Thirrja e tij iu drejtua "të gjithë aktorëve ndërkombëtarë me ndikim dhe vendeve të botës, veçanërisht atyre islamike", që të bënin "çdo përpjekje për t'i dhënë fund menjëherë luftës dhe për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe paqësore për çështjen bërthamore iraniane, në përputhje me ligjet e së drejtës ndërkombëtare".