Kard. Radcliffe në Kyiv: lufta nuk është e pashmangshme, paqja do të mbizotërojë

Kardinali Timothy Radcliffe ndodhet në Ukrainë për një vizitë dyjavore që nga 27 shkurti. Në një intervistë për mediat e Vatikanit, ai thekson se lufta nuk është e pashmangshme dhe paqja do të mbizotërojë.

R.SH. / Vatikan

Që nga 27 shkurti, kardinali anglez Radcliffe ndodhet për një vizitë dyjavore në vendin e Evropës Lindore. Për mediat e Vatikanit, ai flet për ushtrimet shpirtërore që udhëhoqi në Kiev, duke theksuar rëndësinë e lutjes në mes të vuajtjes: “Ne shohim gjithnjë e më shumë dhunë kudo, jo vetëm në Evropë apo në Lindjen e Mesme, por edhe në Afrikë”.

Të dëshmosh paqen, të ritheksosh se lufta “nuk është e pashmangshme”. Ta bësh këtë përmes lutjes, duke dëgjuar ata që jetojnë personalisht vuajtjen e konfliktit, të dhunës që po tërbohet në shumë rajone të botës dhe ndaj së cilës duhet t'i përgjigjemi duke dëshmuar shpresën e krishterë. Ky është mesazhi që kardinali Timothy Radcliffe i beson, në një intervistë për mediat e Vatikanit, popullit të Ukrainës ku shkoi për vizitë.

Kardinali Radcliffe shpjegon se ka shkuar në Ukrainë për të dhënë një mesazh të përgatitur, por për të dëgjuar dhe për të qëndruar pranë popullit ukrainas, duke mësuar nga vuajtjet e tyre. Sipas tij, në kohë lufte dhe dhimbjeje, lutja është jetike, veçanërisht lutja “Ati Ynë”, të cilën Jezusi e tha përballë vuajtjes dhe vdekjes.

Duke komentuar situatën në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë dhe në rajone të tjera si Afrika (përfshirë Sudanin e Jugut), kardinali Radcliffe vëren se dhuna po shtohet kudo në botë. Megjithatë, ai thekson se mesazhi kryesor i të krishterëve sot duhet të jetë shpresa. Eukaristia, e themeluar gjatë Darkës së Fundi të Jezusit me Apostujt në një moment dëshpërimi, është sipas tij sakramenti i madh i shpresës.

Kardinali Radcliffe nënvizon gjithashtu edhe rëndësinë e dëgjimit dhe dialogut (sinodalitetit), sidomos në kohë konfliktesh, kur ekziston tundimi për të mos dëgjuar mendimin ndryshe. Ai beson se Kisha ofron një dhuratë të madhe për një botë të mbushur me dhunë: aftësinë për të dëgjuar me zemër të hapur dhe për të ndërtuar paqe përmes shpresës në Zotin.

Kardinali Radcliffe në Ukrainë
Kardinali Radcliffe në Ukrainë
03 mars 2026, 10:49