Kamerun, kryetari i ipeshkvijve: Papa, lajmëtar i paqes në një vend të vështirë
R.SH. / Vatikan
Kameruni, vendi afrikan që Papa Leoni XIV do ta vizitojë si ndalesë të tretë në udhëtimin e tij dhjetëditor apostolik në Afrikë (13-23 prill), po jeton një kohë të vështirë. Kriza pas zgjedhjeve, konfliktet separatiste në rajonin Veriperëndimor dhe sulmet terroriste në Veriun e Largët, po shkaktojnë vuajtje e pasiguri të madhe në këtë pjesë të botës. Por, njëkohësisht, ato po nxjerrin në pah edhe gëzimin e shpresën e shumë besimtarëve për arritjen e Papës në Yaoundé, Bamenda dhe Douala, nga 15 deri më 18 prill. Kryeipeshkvi Imzot Andrew Fuanya Nkéa, bari i Bamendas dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit, është zëdhënës për ngjarjen e madhe: "Presim shumë nga kjo vizitë", pohoi ai në një intervistë me mediat e Vatikanit.
Ngushëllim për ata që vuajnë
Për prelatin, Papa Leoni XIV vjen në Kamerun "para së gjithash si ambasador i paqes e i pajtimit". E dëshmon qartë itinerari i zgjedhur: Yaoundé, Douala dhe Bamenda, tre qytete të mëdha, por mbi të gjitha, tri qendra historike të vendit. Në veçanti, në Bamenda, kryeqytet i Rajonit Veriperëndimor, Papa Leoni do të shkojë për të ngushëlluar një rajon, që vuajti nga mizoritë e Boko Haram, si dhe nga lufta e grupeve separatiste në Rajonin Jugperëndimor. Imzot Nkea shpreh mirënjohjen e madhe ndaj Papës për këtë vendim: "Është gjë e mrekullueshme që Ati i Shenjtë Prevost nuk ndenji në shtëpi dhe nuk priti që situata të qetësohej; vendosi të vinte mes nesh, edhe pse situata është ende e paqëndrueshme. Prandaj jemi kaq të lumtur".
Bari dhe njeri i Zotit
Që nga zgjedhjet presidenciale të 12 tetorit 2025, Kameruni jeton stabilitet politik të pasigurt. Ndërsa rezultatet zyrtare shpallën Paul Biya fitues, udhëheqësi i opozitës Issa Tchiroma Bakary pretendoi fitoren, duke denoncuar mashtrime zgjedhore. Ndërmjet këtyre tensioneve pas zgjedhjeve, figurat politike mbajtën qëndrime të ndryshme. Akuzat vijnë nga të katër anët, e mbi vendin mbizotëron kërcënimi i shkallëzimi të dhunës. Në këtë kontekst, Papa vjen si "apostull pajtimi", thekson Ipeshkvi Imzot Nkea: "Ai nuk vjen si politikan ose thjesht si kryetar shteti, por para së gjithash, si Bari, si njeri i Zotit".
Përgatiteni me lutje këtë ngjarje
Për të siguruar një përvojë pozitive, kryeipeshkvi i fton bashkëqytetarët e tij të përgatiten para së gjithash shpirtërisht:
"Lutuni që Ati i Shenjtë të vijë dhe ta përfundojë vizitën e tij në paqe e qetësi". Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Kameruniane i nxiti kështu burrat dhe gratë e vendit të tij ta "shikojnë vizitën e Atit të Shenjtë me një perspektivë pozitive, duke e konsideruar akt të Zotit, në emër të popullit kamerunian". E, mbi të gjitha, i paralajmëron bashkëqytetarët të rrinë larg çdo shfrytëzimi politik të kësaj ngjarjeje.