Kërko

2026.03.12 Em.mo Card. Jean-Marc Aveline

Ipeshkvijtë e Mesdheut tek Papa flasin për paqen

Një delegacion nga Zyra për Koordinimin kishtar të Mesdheut, i kryesuar nga Kardinali Jean-Marc Aveline, u prit në audiencë private nga Leoni XIV të enjten, më 12 mars. Pas Barit, Firences dhe Marsejës, asambleja e katërt e ipeshkvijve të rajonit, kushtuar temës së paqes, do të mbahet në Barcelonë të Spanjës, në muajin qershor.

R.SH. / Vatikan

Një delegacion nga Zyra e Koordinimit Kishtar të Mesdheut, i kryesuar nga Kardinali Jean-Marc Aveline, u prit në audiencë private nga Papa të enjten, më 12 mars. Kryeipeshkvijtë e Barit, Tunisit dhe Marsejës, vikari patriarkal për Qipron, ipeshkvi katalanas i San Feliú de Llobregat - dioqeza që përfshin manastirin Montserrat - si dhe të rinj, priftërinj dhe laikë të kushtuar Mesdheut: të gjithë patën mundësi të angazhohen në një dialog njëorësh me Leonin XIV në bibliotekën e Pallatit Apostolik. Janë pjesë e Zyrës së Koordinimit Kishtar për Mesdheun (COMED),  themeluar nga Papa Françesku në përfundim të Takimeve Mesdhetare MED23 në Marsejë. Duke u mbledhur dy herë në vit në videokonferencë, ekipi u takua për herë të dytë këtë javë personalisht në Romë, pas një takimi në brigjet e Bosforit korrikun e kaluar.

Në qendër të punimeve ishte përgatitja për takimin e ardhshëm të ipeshkvijve të Mesdheut, planifikuar për 9-12 qershor në Barcelonë, në përkim me shtegtimin e Leonit XIV në Spanjë, më 6-12 qershor. Takimi do t'i kushtohet "ndërtimit të paqes" në Mesdhe. Reflektimi të sjell në mendje arkitekturën madhështore dhe komplekse të paqes së Sagrada Família, ndërtuar nga arkitekti i shquar, i nderuari Antoni Gaudí, 100-vjetorin e vdekjes së të cilit e përkujtojmë këtë vit.

Të thellohet bashkimi dhe rrjetat ekzistuese

"Papa ndoqi me vëmendje të veçantë iniciativat në ndihmë të edukimit për paqen dhe kulturën e takimit. E inkurajoi posaçërisht Zyrën e Koordinimit të vazhdojë punën e saj të bashkësisë ndërmjet pesë brigjeve të këtij pellgu të madh, me ngjarje tragjike e luftëra shqetësuese e shumëfishuese", komentoi Ati Alexis Leproux, Sekretar i Zyrës së Koordinimit për Mesdheun.

Për Takimet e ardhshme Mesdhetare MED26 në Barcelonë, Kardinali Juan José Omella, Kryeipeshkëv i qytetit katalanas, ftoi më se 200 vetë: ndërmjet tyre 60 ipeshkvij, 70 të rinj të besimeve të ndryshme dhe 60 punonjës të solidaritetit e të dialogut. "Synimi është të thellohet bashkësia ndërmjet Kishave, të edukohen të rinjtë për paqen dhe të konsolidohen rrjetet ekzistuese të solidaritetit, si ato të shenjtoreve, manastireve, teologëve, migracionit dhe mikpritjes", saktëson Ati Leproux.

Përgatitja e institucioneve të paqes

Pas takimeve të ipeshkvijve në Bari (2020), Firence (2022) dhe Marsejë (2023), udhëtimi vazhdon me një vëmendje të veçantë për rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes. Një takim tjetër do të mbahet në fund të gushtit, në Liban. Ndër iniciativat që ia vlen të theksohen, është udhëtimi i anijes stërvitore Bel Espoir, e cila lundroi në Mesdhe gjatë Vitit të Shenjtë 2025. Pasi u nis nga Barcelona marsin e kaluar, kjo anije stërvitore për paqen, e bekuar nga Papa Françesku, u shoqërua nga Leoni XIV, në bord gjatë kalimit të saj në Ostia tetorin e kaluar. Libri i Bardhë i Mesdheut, i shkruar në det nga 200 të rinj, iu paraqit Papës këtë të enjte.

Leoni XIV dhe Mesdheu

Pas Françeskut, Leoni XIV nuk e fsheh shqetësimin e tij për Mesdheun,  shkatërruar nga krizat ndërkombëtare. Si prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, Kardinali Prevost mori pjesë në takimet mesdhetare në Marsejë, në shtator 2023. Një vit më vonë, në tetor 2024, mori pjesë në paraqitjen e Bel Espoir, në përfundim të seancës së Sinodit në Romë. Në këtë vit të parë të papnisë së tij, Leoni XIV do të vizitojë pesë vende të Mesdheut: Turqinë e Libanin në vitin 2025 e, në të ardhmen e afërt, Monakon, Algjerinë dhe Spanjën. Kjo lidhje u ruajt edhe nga paraardhësi i tij, vizita e fundit e të cilit ishte në ishullin mesdhetar të Korsikës. E para, në Lampeduzë. Pikërisht në këtë shkëmb të dalë, tri javë pas takimit të ipeshkvijve në Barcelonë, më 4 korrik, Papa do t'i drejtojë një mesazh të ri edhe Mesdheut.

15 mars 2026, 16:13