Ipeshkvi Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore. Foto arkivore (@VaticanNews) Ipeshkvi Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore. Foto arkivore (@VaticanNews)

Ipeshkvi Martinelli: të shmanget një përshkallëzim me pasoja katastrofike

Vikari apostolik i Arabisë Jugore shpreh "mirënjohje" për mesazhin e Papës, gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, këtë të diel, mbi situatën në Lindjen e Mesme, pikat kyçe të të cilit, thotë ai, "janë thirrjet për dialog, diplomaci dhe veçanërisht promovimi i të mirës së popujve". Në një letër drejtuar besimtarëve, ipeshkvi imzot Martinelli fton për të lutur rruzaren për paqe dhe pajtim. Një mesazh vjen edhe nga Këshilli Ekumenik i Kishave, i cili dënon sulmet dhe shpreh shqetësim për dhunën

R.SH. - Vatikan

Theksimi i "promovimit të të mirës së popujve është një pikë kyçe" në thirrjen e bërë dje nga Papa Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit lidhur me atë që po ndodh në Lindjen e Mesme. Dhe kjo është ajo që ka goditur më shumë ipeshkvin imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore.

Të mbahet mend promovimi i të mirës së popujve

Bëhet fjalë për "një çështje që nuk duhet humbur kurrë nga sytë prej të gjitha palëve në lojë", vëren imzot Martinelli duke iu përgjigjur mediave të Vatikanit nga Abu Dhabi, sepse prek "njerëzit e thjeshtë, me problematikat e tyre të përditshme: shkollën, punën, shëndetin, sëmundjen". Njerëzit "kanë nevojë për paqe, marrëdhënie të qeta, dhe - siç tha Leoni XIV - për një bashkëjetesë paqësore të bazuara mbi drejtësinë. Fjalë të shenjta" që "më ngjallin mirënjohje të thellë".

Nevoja për dialog dhe diplomaci

Dhe më pas nevoja "për një dialog autentik dhe të përgjegjshëm: me kërcënimet e ndërsjella mbillet shkatërrim, nuk ndërtohet paqe dhe stabilitet". Themelore, së fundi, është kërkesa e Papës që "diplomacia të gjejë rrugën e saj: nuk mund të humbim nga sytë këto shtigje themelore për një rrugëtim paqësimi dhe pajtimi".

Abu Dabi i angazhuar për të kufizuar dëmet

Klima në territoret e Vikaritit Apostolik të Arabisë Jugore, i cili ka juridiksion kishtar mbi Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Jemenin, mbetet natyrisht e një shqetësimi të fortë. "Në fund të fundit, pasi nisën sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, duke pasur në territorin tonë shumë baza amerikane", ishte e parashikueshme "të pritej një përgjigje iraniane". Por "shqetësimi" balancohet nga "siguria e të parit se jemi në një vend që ka gjithçka për të kufizuar dëmet e mundshme. Mbrojtja u përgjigj menjëherë dhe rreziqet u përmbajtën", thotë ai. Vetë imzot Martinelli dëshmon se ka mundur të shkojë me qetësi relative në Al Ain, në kufi me Omanin, për një vizitë baritore. "Jashtë qendrave të mëdha si Abu Dhabi dhe Dubai, më duket se mund të them se jeta mund të vazhdojë, natyrisht me masat paraprake të rastit. Edhe besimtarët arrijnë të shkojnë në vendet e kultit, kemi kufizuar vetëm nivelet e grumbullimit" dhe "respektojmë kërkesat e autoriteteve civile", shpjegon imzot Martinelli.

Thirrja për paqe dhe pajtim

E fortë dhe e përsëritur, gjatë bisedës telefonike, bëhet thirrja e Vikarit Apostolik e Arabisë Jugore për lutje "për paqen dhe pajtimin": sepse duhet "shmangur një përshkallëzim, pasojat e të cilit nuk do të arrinim t'i shihnim". Në një letër dërguar të gjithë besimtarëve "kam kërkuar t'i drejtohemi Zotit dhe Zojës Mari, përmes lutjes së rruzares, që të preken zemrat dhe mendja e atyre që kanë përgjegjësinë të zgjedhin për të mirën e popujve", pohon imzot Martinelli.

Fjalët e Këshillit Ekumenik të Kishave

Nevoja për vëmendje ndaj dialogut, konsultimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare u nënvizua edhe nga Këshilli Ekumenik i Kishave (WCC), përmes sekretarit të tij të përgjithshëm, Rev. Prof. Dr. Jerry Pillay. Duke denoncuar "spiralen e rrezikshme të dhunës" që vë "në rrezik jetë njerëzish, shkatërron infrastrukturë thelbësore dhe rëndon frikën dhe pasigurinë mes popujve që kanë duruar tashmë një pasiguri dhe konflikte të zgjatura", Pillay kërkoi "ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha veprimeve ushtarake; mbrojtjen e popullatës civile dhe infrastrukturës kritike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare; rifillimin urgjent të angazhimit diplomatik dhe dialogut politik përmes mekanizmave ndërkombëtarë dhe rajonalë të konsoliduar; dhe përpjekje ndërkombëtare të koordinuara për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të rivendosur stabilitetin". E vetmja rrugë për një "paqe të qëndrueshme", përfundoi sekretari i Këshillit Ekumenik të Kishave, është de-eskalimi, dialogu dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

02 mars 2026, 15:45