Global South Catholic Bishops bëjnë thirrje për një traktat që përshpejton tranzicionin e drejtë të energjisë
R.SH. – Vatikan
Ipeshkvijtë katolikë nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine u bëjnë thirrje qeverive të miratojnë një traktat global për të ndaluar përhapjen e lëndëve djegëse fosile dhe për të përvijuar një tranzicion të drejtë drejt energjive të rinovueshme. Thirrja është pjesë e "Manifestit të Kishave të Jugut Global për Shtëpinë tonë të Përbashkët", hartuar nga institucionet kontinentale ipeshkvore që përfaqësojnë Kishën Katolike në të gjithë Jugun e botës, të mbështetura nga krerët e Kishave në Evropë dhe Oqeani.
Ipeshkvijtë denoncojnë vuajtjet e bashkësive të ndryshme në të gjithë Afrikën, Amerikën Latine dhe Azinë, që përjetojnë pasojat e ndryshimeve klimatike dhe të sistemeve ekonomike të paqëndrueshme. Manifesti nënvizon se ndryshimi i klimës nuk është i vetmi aspekt që ka sjellë krizën mjedisore, e cila konsiderohet edhe "pasojë e modeleve të paqëndrueshme të prodhimit dhe të konsumit dhe të një 'ekonomie që vret'", duke "kërcënuar dinjitetin dhe paqen njerëzore".
Ipeshkvijtë përmendin provat shkencore, që e lidhin ngrohjen globale me përdorimin e vazhdueshëm të lëndëve djegëse fosile. Dokumenti thekson se djegia e qymyrit, naftës dhe gazit është "shkaku kryesor i kolapsit të afërt".
Duke e bazuar thirrjen në mësimet e Doktrinës shoqërore katolike, ipeshkvijtë u kërkojnë qeverive të miratojnë një kornizë ndërkombëtare, që i detyron shtetet të zhdukin gradualisht nga qarkullimi lëndët djegëse fosile dhe të mbrojnë bashkësitë, që kërcënohen më tepër nga ndryshimet klimatike.
“Të udhëhequr nga opcioni preferencial për të varfrit dhe nga kujdesi për krijimin, përshkruar në Doktrinën Shoqërore Katolike”, ipeshkvijtë deklarojnë “mbështetjen e tyre të plotë për një tranzicion të drejtë” energjetik, duke miratuar “një traktat për të ndaluar përhapjen dhe për të braktisur përdorimin e lëndëve djegëse fosile, si imperativ moral dhe politik”.
Ky Traktat do të plotësonte Marrëveshjen e Parisit për klimën. Prelatët kërkojnë që të ndërpritet kërkimi dhe prodhimi i qymyrit, naftës dhe gazit, por edhe të zëvendësohen gradualisht veprimtaritë aktuale me këto lëndë djegëse, duke mbrojtur njëkohësisht punëtorët dhe bashkësitë e përfshira në këtë tranzicion.
Krerët kishtarë paralajmërojnë se përdorimi i vazhdueshëm i karburanteve fosile ka rrezik të keqësojë edhe tensionet gjeopolitike. Politikat që nxisin përhapjen agresive të naftës dhe gazit, pohohet në dokument, kanë kontribuar në konflikte dhe në atë, që përshkruhet si "formë e petro-imperializmit".
Veçanërisht aktive në denoncimin e kësaj politike është Kisha Katolike në Filipine. Në një deklaratë të 4 marsit, Karitasi i Filipineve vuri në dukje se kriza në rritje në Lindjen e Mesme i bëri të qarta problemet më të thella strukturore të lidhura me sistemin global të energjisë. Korridoret strategjike energjetike si Ngushtica e Hormuzit, nënvizohet në deklaratë, janë bërë pika të nxehta ku përballen fuqia ushtarake, interesat ekonomike dhe varësia nga nafta. Karitasi filipinas denoncon se kur "nafta ka të bëjë me luftën, pasojat ndihen në të gjithë botën - veçanërisht në ekonomitë e brishta si ajo e Filipineve". Vendi, vijon organizata, mbetet "i varur në rrezikshëm nga qymyri, nafta dhe gazi i importuar", duke e lidhur “stabilitetin kombëtar me konflikte përtej kontrollit tonë dhe duke i ekspozuar njerëzit tanë ndaj goditjeve të tregjeve globale të paqëndrueshme të energjisë".
Duke pasur parasysh bisedimet e ardhshme ndërkombëtare për klimën, ipeshkvijtë katolikë të Jugut të botës i nxisin qeveritë të integrojnë planet për zhdukjen graduale të karburanteve fosile me angazhimet kombëtare për klimën dhe të mbështesin bashkëpunimin global drejt tranzicionit të nevojshëm energjetik. Manifesti mbyllet me një thirrje për solidaritet global dhe veprim kolektiv. Ipeshkvijtë pohojnë se janë gati të dëgjojnë "britmën e tokës dhe britmën e të varfërve" dhe i ftojnë "të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen me një koalicion historik ndërmjet Veriut dhe Jugut të botës për të mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët".