Gaza Gaza

Gaza, Atë Romanelli: "Pa organizatat joqeveritare e pa ujë të pijshëm, gjithçka do të jetë më e vështirë"

Ndalimi i Izraelit që organizatat joqeveritare të hyjnë në Rripin e Gazës hyri sot në fuqi. Kjo masë është pjesë e tensioneve rajonale të lidhura me sulmet kundër Iranit, por pasojat po bien përsëri mbi popullsinë e pafajshme. Famullitari i Gazës, Atë Romanelli thotë: "Çmimet mbeten tepër të larta kurse njerëzit kanë humbur gjithçka".

R.Sh. Vatikan

Izraeli i mbylli të gjitha kalimet në Rripin e Gazës. Vendimi, që u vërtetua edhe nga organi i Ministrisë së Mbrojtjes Izraelite që bashkërendon veprimtaritë qeveritare në Territore – u mor për shkaqe "rregulli dhe sigurie", thuhet në një njoftim që nuk cakton një datë se kur do të hapen prap. Gjithçka ndodh në kuadër të tensioneve rajonale që lidhen me sulmet e përbashkëta izraelito-amerikane kundër Iranit. Por pasojat po bien përsëri mbi popullsinë civile të Gazës, që tashti është e rraskapitur.

U mbyll e vetmja rrugë për ndihmën humanitare

Pikat e kalimit janë e vetmja rrugë që ndihma humanitare dhe mallrat thelbësore të hyjnë në Rripin e Gazës, por dhe për pacientët që kanë nevojë për kujdes mjekësor e duhet të largohen nga Rripi i Gazës. Mbyllja e tyre rrezikon të përkeqësojë një gjendje e cila që tashti është e pasigurt. Veçanërisht në qytetin e Gazës, ku është përqendruar një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së shpërngulur, gjendja përshkruhet si "tragjike, e tmerrshme" nga Atë Gabriel Romanelli, famullitar i komunitetit katolik në Gaza. "Ndihma humanitare po hyn, por nuk është e mjaftueshme", shpjegon ai, "dhe sadoqë bombardimet e rënda kanë ndaluar, ndihma nuk është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e të gjithëve".

Nga uji i pijshëm te gjeneratorët e energjisë

Disa ditë më parë, Gjykata e Lartë izraelite e pati pezulluar përkohësisht ndalimin që i kishte vënë 37 organizatave humanitare në Rripin e Gazës, përfshirë Mjekët pa Kufij dhe Oxfam-it. Sotpërsot këtyre organizatave u ndalohet të hyjnë në Gazë, por ato mund të vazhdojnë të veprojnë brenda Rripit, megjithëse me kufizime të ashpra. Kurse vendimi i fundit i organit të Ministrisë së Mbrojtjes Izraelite COGAT për ta bllokuar plotësisht hyrjen në Gazë e bën gjendjen edhe më të rëndë. Në tregje, shpjegon famullitari Romanelli, "disa artikuj si fruta, mish, djathë - mallra që pothuajse ishin zhdukur gjatë muajve më të vështirë të luftës janë shfaqur prap, por çmimet janë shumë të larta dhe shumica e njerëzve nuk kanë mundësi as të paguajnë".

Nuk është problem vetëm që mallrat të gjenden në treg por edhe mungesa e të ardhurave: "Shumica e njerëzve kanë humbur gjithçka: shtëpitë, vendet e punës, pagat". Kriza e shërbimeve bazë mbetet kështu e thellë dhe ngërçi në rolin e organizatave joqeveritare sigurisht që nuk do të ndihmojë në përmirësimin e situatës. "Që nga fillimi i konfliktit, nuk ka pasur energji elektrike të rregullt", vëren Atë Romanelli. "Për ta prodhuar atë, ne përdorim disa gjeneratorë, por është me të vërtetë shumë e shtrenjtë. Pothuajse nuk ka panele diellore dhe deri më tani, duket se nuk lejohen të hyjnë për të përmbushur nevojat e komunitetit dhe shoqërisë". E njëjta gjë vlen edhe për ujin. "Uji i pijshëm është një mall i çmuar dhe megjithëse disa kompani e shpërndajnë atë në lagje, nuk është i mjaftueshëm. Njerëzit ndonjëherë duhet të presin një, dy, tri ose katër orë vetëm për pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë litra ujë të pijshëm. Në disa lagje, ekziston ajo që ata e quajnë "ujë komunal", por për shumicën e popullsisë, nuk ka asgjë të tillë sepse gjithçka u shkatërrua nga bombardimet", vazhdon famullitari.

Ndalimi i organizatave joqeveritare

Ndalimi i hyrjes së OJQ-ve në Rripin e Gazës, duke filluar nga 1 marsi, përputhet me këtë vijë. Sipas atë Romanelli-t, "do të ketë një ndikim në shoqërinë në tërësi, përfshirë komunitetin e krishterë. Për shembull, një nga organizatat, të cilën ne e quajmë "Kuzhina Ndërkombëtare" këtu, e cila shpërndan ushqim për qindra, mijëra njerëz, ka thënë se nuk do të shërbejë më mish apo ushqime të tjera. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ujin e pijshëm. Ka një kompani që ka deklaruar se do t’i pezullojë aktivitetet e saj, dhe një nga gjërat që bën është shpërndarja e ujit të pijshëm. Nëse qysh tashti punët janë keq, kjo gjë do të krijojë shumë probleme në të ardhmen".

Gjendja shpirtërore e njerëzve

Lidhur me gjendjen shpirtërore të njerëzve, atë Romanelli flet për një shpresë "plot besim te Zoti", por më të brishtë në marrëdhënien e saj me njerëzimin. "Njerëzit po përjetojnë një depresion të madh dhe po përpiqen të ngrihen në këmbë." Shkolla famullitare vazhdon të funksionojë, megjithëse pjesëmarrja është e kufizuar. Bizneset e vogla po shumohen në tregje, "por nuk mund të vazhdojmë kështu. Është çnjerëzore dhe kjo gjë nuk mund të kontribuojë për drejtësinë dhe paqen." Kjo është arsyeja pse, shpjegon meshtari, "duhet të gjejmë zgjidhje tani. Bashkësia ndërkombëtare, si gjithmonë, është e thirrur të bëjë të mundur hyrjen e ndihmës së konsiderueshme humanitare. Do të jetë e nevojshme jo vetëm për rindërtimin fizik të vendit, por mbi të gjitha për rindërtimin moral dhe ekzistencial të jetës së njerëzve këtu. Dhe kjo do të kontribuojë për paqen",– u shpreh Atë Romanelli, famullitar i Gazës.

02 mars 2026, 16:30