E Diela IV e Kreshmëve 'A'. Ka nga ata që janë të verbër, por thonë se shohin
R.SH. / Vatikan
E Diela IV e Kreshmëve
Ka nga ata që janë të verbër, por thonë se mund të shohin!
Gjn. 9,1-41
Nga Ungjilli shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi, duke kaluar rrugës, pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, që lindi i verbër ky apo prindërit e tij,?”
“Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës”.
Si tha kështu, pështyu për dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e laju në banjën Siloam (që do të thotë: I dërguari)”.
Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e panë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”.
“Ai është” - thoshin disa.
“Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin disa të tjerë.
Ai vetë thoshte: “Unë jam”.
Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”.
Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam e lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë”.
“Ku është ai?” - i thanë.
“Nuk di” - u përgjigj.
Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve, kishte qenë e shtunë. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve.
Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!”.
Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”.
Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta.
Pastaj e pyetën prapë të verbrin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta ktheu të pamit e syve?”
“Është profet” - iu përgjigj.
Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”.
Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyeteni atë: është i rritur e do t’jua tregojë ai vetë”.
Prindërit e tij folën kështu, sepse trembeshin nga judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që do ta dëshmonte Jezusin për Mesi. Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”.
“A është mëkatar - u përgjigj - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”
Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”
“Tashti ju thashë - u përgjigj - e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin: “Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!”. “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme - u përgjigj njeriu - ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe bën vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia dha pamjen e syve të verbrit, që lindi i verbër! Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”
“Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat - iu përgjigjën - e ti po na mëson!?”. Dhe e flakën përjashta.
Jezusi e mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë. Kur e gjeti, i tha:
“A beson ti në Birin e njeriut?”
Ai iu përgjigj: “Po kush është Ai, Zotëri, që të besoj në Të?”
“E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!”
Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.
Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë për të bërë gjyq: që të shohin ata që janë të verbër, e të verbohen ata që shohin!”
Disa prej farisenjve që ishin me të, i dëgjuan këto fjalë e thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”.
Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet”.
Në udhëtimin drejt Pashkëve, pas temës së ujit të gjallë që Jezu Krishti u jep atyre të cilët besojnë në të, Kisha na fton të meditojmë mbi dritën, ose më saktë, mbi ndriçimin, akt i kryer nga Jezusi në mënyrë që të shohim dhe të shpëtojmë nga errësira.
Historia e gjatë e shërimit të një njeriu të verbër që nga lindja është, në të vërtetë, rrëfim i një prove në disa faza, ngritur kundër Jezusit. Një provë e atij që është "drita e botës" (Gjn 8,12), drita që erdhi në botë, ajo që ndriçon çdo qenie njerëzore, megjithatë një dritë e panjohur dhe e padëshiruar nga ata të cilëve iu dërgua (krh. Gjn 1,4-5, 9-12). Kjo histori është paradoksale, ngaqë na dëshmon se ata që janë të verbër, pa shikim, kur e takojnë atë që është drita e botës, bëhen "të aftë të shohin", ndërsa ata që shohin, kur takojnë Jezusin, verbohen deri në atë pikë, sa duken si të verbër, të paaftë për të parë. Ky fragment, për më tepër, shumë kristologjik, paraqet një mori titujsh, që kanë të bëjnë me Jezusin, tituj që shënojnë përparimin nga verbëria në shikim, nga errësira në dritë, nga padija, në besimin e dëshmuar. Por, si gjithmonë, ta dëgjojmë tekstin me bindje të përulur.
Duke dalë nga Tempulli i Jerusalemit, ku kremtoj Festën e Tabernakujve (Sukkot), një festival vjeshtarak në të cilin uji shikohej si dhuratë e Zotit për jetë të plotë, Jezusi sheh pranë Pellgut të Siloamit një burrë të verbër që nga lindja. Nuk ndodh, si në shumë histori të tjera mrekullish, që i sëmuri t’i thërrasë Jezusit dhe t’i kërkojë shërim, por është Jezusi ai që, duke kaluar aty pranë, sheh dhe dallon një njeri që ka nevojë për shpëtim. Dishepujt, që janë me Jezusin, e shohin gjithashtu këtë të verbër, por me një perspektivë të ndryshme. Ata janë të njohur me doktrinën tradicionale që lidh sakaq sëmundjen dhe mëkatin; nuk mund ta shohin më parë vuajtjen e një njeriu, por kërkojnë të dallojnë mëkatin e tij. Për këtë arsye, e pyesin sakaq Jezusin: "Rabbi, kush mëkatoi, ky njeri apo prindërit e tij, që ai lindi i verbër?".
Jezusi, i cili nuk e sheh mëkatin, por vuajtjen dhe thirrjen për ndihmë që gjendet brenda tij, deklaron se kjo sëmundje është mundësia për zbulesën e Zotit që ndërhyn, e shpëton. Perspektiva e tij është diametralisht e kundërt me atë të dishepujve të ngarkuar me faj, perspektivë që shpreh shqetësimin për vuajtjet njerëzore dhe dëshirën për t'u shëruar në përputhje me dëshirën e Zotit. Përballë së keqes, ne njerëzit, veçanërisht besimtarët, kërkojmë shpjegim, duam të identifikojmë fajin dhe fajtorin. Megjithatë, Jezusi e hedh poshtë këtë perspektivë, perspektivën e dishepujve. Ai nuk jep asnjë shpjegim për atë verbëri, për të keqen që pësoi i verbëri, dhe me një reagim dhembshurie shumë njerëzore, i afrohet të verbërit dhe fillon të punojë për ta mundur të keqen e për ta bërë jetën të triumfojë.
Jezusi thotë se është "dërguar" për të bërë veprat e Zotit, e kjo është e mundur "ndërsa është ditë", ndërsa ai është në botë, ndërmjet njerëzve, si dritë, që errësira nuk mund ta kapërcejë (krh. Gjn 1,5). Pasi i thotë këto fjalë, ai bën një gjest shërues, terapeutik: përzien pluhur me pështymën e tij dhe e shpërndan në sytë e të verbërit. Në këtë mënyrë, përsërit gjestin me të cilin Zoti krijoi Adamin, tokësorin, duke e krijuar nga pluhuri i tokës (krahaso Zan 2,7). Nuk është gjest magjik, por gjest shumë njerëzor: i verbëri ndihet i prekur nga Jezusi, ndjen gishtat e tij dhe baltën në sytë e tij, ndien se mund t'i besojë Atij që e "pa" dhe e njohu si njeri nevojtar.
E sapo Jezusi i thotë të shkojë të lahet në pellgun ngjitur - të quajtur Pellgu i Siloamit, që do të thotë Pellgu i të Dërguarit të Zotit - ai bindet, shkon dhe pastaj kthehet te Jezusi, i aftë për të parë. Ndryshe nga Naamani me Eliseun (krahaso 2 Mbretërve 5,10-12), ai i beson fjalët e Jezusit si të fuqishme, efikase, e kështu gjen dritën e syve, që nuk e kish pasur kurrë. Ungjilli i Katërt e përshkruan shërimin vetëm me dy versete, pa u ndaluar në hollësira. Kjo, në të vërtetë, është "shenjë" (semeîon), dhe jo mrekulli (dynamis): nuk është vetë fakti që duhet të na tërheqë vëmendjen: çka duhet të kërkojmë, është kuptimi i tij e, mbi të gjitha, kush është në origjinën e shenjës.
Por ky fakt, ky veprim, shkakton një gjyq kundër Jezusit, gjyq në mungesë, sepse ai nuk është më i pranishëm aty, me njeriun e shëruar. Gjykimi është i ndarë në katër skena, por në fund, është Jezusi ai që shpall gjyqin e vërtetë, atë që po zhvillohet, në të cilin zbulohen ata që shohin dhe ata që janë të verbër. Skena e parë (vargjet 8-12) paraqet fqinjët, ata që e takonin rregullisht njeriun e verbër, të cilët i drejtohen atij, tani i shëruar. E pyesin njëri-tjetrin se çfarë i ndodhi njeriut të verbër, nëse është vërtet i njëjti njeri. E ai pohon me forcë identitetin e tij: "Unë isha i verbër dhe tani shoh". Bashkëbiseduesit e tij e pyesin se çfarë ndodhi, dhe ai u tregon atyre se çfarë bëri e çfarë tha njeriu i quajtur Jezus. Pastaj, të pushtuar nga kureshtja, e pyesin se ku është ky Jezus që ta takojnë, por ai nuk mund të përgjigjet.
Burra të tjerë, të vëmendshëm ndaj Ligjit, e çojnë të verbërin te farisenjtë, ekspertë të respektueshëm të Torës, për t’i gjykuar veprimet e Jezusit (vargjet 13-17). Në të vërtetë, autori saktëson, "ishte e Shtunë, kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë të verbërit". Më pas vijon pyetja: "A mund të bëjë një vepër të mirë një njeri që shkel ndalimin e punës të së Shtunës – domethënë, një mëkatar?". Përgjigja është e qartë: "Jo, ai nuk vjen nga Perëndia!". Këtë duan të dëgjojnë farizenjtë nga njeriu i shëruar, i cili në vend të kësaj, përgjigjet: "Ai është profet". Një hap më tej drejt zbulimit të identitetit të Jezusit. Ai po përparon në fe...
Vijon skena e tretë (vargjet 18-23): duke mos pranuar deklaratën e njeriut të shëruar, këta burra fetarë i thërrasin prindërit e tij dhe i pyesin për verbërinë e birit të tyre. Prindërit, të mposhtur nga frika, preferojnë të mos lexojnë ose të interpretojnë atë që i ndodhi birit të tyre. Thonë se ai ka lindur i verbër, ndërsa tani mund të shohë, por nuk e dinë se si mund të ketë ndodhur kjo. Kështu që ata ia hedhin fajin: "Pyeteni atë. Ai është mjaft i rritur; ai do të flasë për vetveten".
Dhe ja ku vjen skena e katërt dhe e fundit (vargjet 24-34). Ata farisenj e thërrasin përsëri njeriun e shëruar dhe e ftojnë të dëgjojë fortësinë e doktrinës së tyre. Ata përpiqen ta bindin, sepse "e dinë", kanë autoritetin për të dalluar se Jezusi është mëkatar dhe për këtë arsye nuk mund të bëjë asgjë të mirë. Por njeriu i shëruar pohon, me logjikë të shëndoshë: "Nëse është mëkatar, nuk e di. Një gjë e di: isha i verbër dhe tani shoh".
Por këto fjalë nuk janë të mjaftueshme, kështu që ata vazhdojnë ta pyesin, duke i kërkuar të rrëfejë atë që ndodhi për të satën herë. Në përgjigje, ai bën shaka: "Unë ua thashë tashmë, dhe ju nuk dëgjuat. Pse doni ta dëgjoni përsëri? A doni edhe ju të bëheni dishepuj të tij?". Çka vijon, është reagimi i indinjuar i atyre njerëzve të fesë, të cilët e përçmojnë dhe e fyejnë njeriun fatkeq.
Pretendimi i këtyre farisenjve, ekspertë të Shkrimeve të Shenjta, është të "dinë", të jenë të njohur me traditën së cilës dëshirojnë t'i qëndrojnë besnikë: prandaj ata nuk mund të pranojnë se një vepër e mirë mund të kryhet nëpërmjet shkeljes të së Shtunëst. Kjo njohuri, ky kuptim që ata pretendojnë se e zotërojnë, i pengon të njohin diçka "të re", e cila megjithatë manifestohet nëpërmjet shfaqjes së së mirës. Për ta, vetëm e kaluara është normative dhe ata e kualifikojnë si traditë autoritare: për këtë arsye, as nuk e dinë dhe as nuk duan ta dinë origjinën e Jezusit. Megjithatë, njeriu që ishte i verbër tani sheh, domethënë e di: ai e di se është shëruar nga Jezusi, ai e di se Zoti nuk e dëgjon mëkatarin, por ata që bëjnë vullnetin e Tij. Prandaj, ai është i dëbuar, jashtë bashkësisë së atyre që janë besnikë të Ligjit, jashtë si të gjithë ata që e njohën Jezusin si Mesia (krahaso vargun 22).
Në këtë pikë, zbulohet procesi i vërtetë që po zhvillohet. Pasi mëson se burri ishte përjashtuar nga sinagoga, Jezusi shkon ta kërkojë dhe, duke e gjetur, i bën një pyetje, e cila jep shkas për dialogun që përbën kulmin e këtij fragmenti:
"A beson ti në Birin e Njeriut?"
"E kush është ai, o Zot, që unë të besoj në të?"
"E ke parë; është ai që po të flet."
"Unë të besoj, o Zot!".
Tha kështu e ra përmbys para Tij.
Ja kulmi i besimit: njeriu i quajtur Jezus (vargu 11), profeti (vargu 17), ai që vjen nga Perëndia (vargu 33), Biri i Njeriut (vargu 35), është Kyrios (vargu 38), Zoti. Jezusi, pasi u njohu këtë besim, thotë me zë të lartë: "Unë kam ardhur në këtë botë për gjykim, gjyqi i të cilit tani është duke u zhvilluar. Unë kam ardhur që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen". Reagimi i atyre farisenjve tregon se ata e kuptojnë se çfarë është në lojë. Ata e pyesin: "A jemi edhe ne të verbër?" Dhe Jezusi përfundon me autoritet: “Nëse do të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por meqenëse thoni: ‘Ne shohim’, mëkati juaj mbetet”. Të shohësh një shenjë të kryer nga Jezusi dhe të mos njohësh të mirën që ajo përfaqëson, të mos pranosh se Zoti është në origjinë të veprimeve të tij, do të thotë të jesh i dëbuar, të jetosh në errësirë, të mos shohësh.
Çka na mbetet është të pyesim veten nëse edhe ne jemi të verbër në fe: besojmë, ndoshta, se shohim, por në vend të kësaj nuk arrijmë ta njohim se kush është drita, Jezu Krishti?