Misionaret e Bamirësisë që u vranë në Jemen në vitin 2016 Misionaret e Bamirësisë që u vranë në Jemen në vitin 2016

Dhjetë vjet nga martirizimi i katër Misionareve të Dashurisë në Aden

Në ditën e përvjetorit tragjik, në Abu Dhabi mbahet një Meshë në kujtim të Motrave rregulltare të vrara në Jemen. Ipeshkvi imzot Martinelli: “Sakrifica e tyre është shenjë shprese dhe ftesë për të ndërtuar paqen”

R.SH. - Vatikan

Vikariati Apostolik i Arabisë Jugore, në personin e ipeshkvit Paolo Martinelli, përkujton me një Meshë në Katedralen e Shën Jozefit në Abu Dhabi dhjetëvjetorin e vrasjes së katër Misionareve të Dashurisë, Motrave të Nënë Terezës, ngjarje e ndodhur më 4 mars 2016 në Aden të Jemenit. "Kremtimi i këtij përvjetori në një moment kur i gjithë rajoni i Gjirit po përjeton konflikte të rënda është burim shprese", deklaroi prelati. “Misionaret e Dashurisë dhuruan jetën e tyre – ashtu siç bëjnë ende sot disa prej tyre në Jemen – në shërbim të më të varfërve pa asnjë dallim, duke dëshmuar dashurinë bamirëse të Krishtit që kapërcen çdo pengesë. Duke parë shembullin e tyre, ne ndihemi të inkurajuar të jemi, në këtë tokë, ndërtues të paqes”.

Sulmi i 4 marsit 2016

Më 4 mars 2016, burra të armatosur mësynë në “Shtëpinë për të moshuarit” e drejtuar nga Misionaret e Dashurisë në Aden, duke vrarë katër rregulltare: motër Marguerite, motër Reginette, motër Judith dhe motër Anselm. Vetëm e eprorja, motër Sally, arriti të shpëtonte. Në sulm humbën jetën edhe dymbëdhjetë bashkëpunëtorë laikë të kombësive dhe feve të ndryshme. Një meshtar salezian, Tom Uzhunnalil, u rrëmbye dhe u lirua më vonë në shtator 2017. Ndërkohë, fatmirësisht asnjë nga të moshuarit e strehuar në strukturën e Motrave të Nënë Terezës nuk mbeti i lënduar.

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit më 6 mars 2016, Papa Françesku tha për katër motrat rregulltare: “Ato janë martiret e sotme! Ndoshta nuk përbëjnë lajm, por ato dhanë gjakun e tyre për Kishën”. Duke komentuar tragjedinë që sapo kishte ndodhur, Vikari Apostolik i asaj kohe, imzot Paul Hinder, shkroi: “Të mos i japim hapësirë urrejtjes. Të vazhdojmë të bëjmë atë që bënë katër martiret dhe bashkëpunëtorët e tyre: t’u shërbejmë më të varfërit ndër të varfër. Sakrifica e tyre do të japë fryt, edhe nëse nuk do ta shohim menjëherë”.

Misioni në Jemen

Të themeluara nga Nënë Tereza, Misionaret e Dashurisë janë të pranishme në Jemen që nga viti 1973, duke mbërritur në vend me ftesë të qeverisë së atëhershme të Jemenit të Veriut. “Shtëpia për të moshuarit” në Aden ishte hapur më 25 mars 1992, me kërkesë të autoriteteve lokale. Një mision që motrat e kishin pranuar me përulësi për të dhuruar dashurinë e Zotit për të varfërit e Adenit përmes veprave të dashurisë dhe dhembshurisë. Edhe sot, bën të ditur nota e Vikariatit Apostolik, dy bashkësi të Misionareve të Bamirësisë vazhdojnë të operojnë në Hodeidah dhe Sana’a në shërbim të më të dobëtëve dhe më të varfërve, dhe prania e tyre në vend mbetet një shenjë e fuqishme shprese.

Një trashëgimi shpirtërore që sfidon Kishën

“Dëshmia e Misionareve të Dashurisë të vrara në Aden vazhdon të ushqejë jetën e Kishës sonë – nënvizon imzot Martinelli – dhe na sfidon ta jetojmë fenë çdo ditë me gëzim dhe angazhim”. Dhjetë vjet pas atij 4 marsi tragjik, kujtimi i katër motrave rregulltare nuk dëshiron të jetë vetëm një kujtesë e asaj dhune barbare, por një ftesë konkrete për pajtim dhe paqe në një rajon që është ende i shënjuar nga tensionet dhe konfliktet.

04 mars 2026, 11:25