2022.09.01 Madre Teresa

Dhe vështrimi i Nënë Terezës u ndal te Pasolini

Ateist, por me nostalgjinë për fenë, shkrimtari italian Pier Paolo Pasolini e takoi motrën rregulltare shqiptare, asokohe jo fort të njohur, në qendrën e të gërbulurve të saj të Kalkutës, këtu e 65 vjet më parë.

R.Sh. Vatikan

Më 9 mars 1961 – gjashtëdhjetë e pesë vjet më parë – gazeta italiane «Il Giorno» botoi pjesën e tretë të një reportazhi nga India të Pier Paolo Pasolini-t. Në artikullin që zinte një faqe të plotë, Pasolini rrëfente takimin e tij me një murgeshë me origjinë shqiptare, «Motër Tereza», në një qendër të gërbulurish në rrethinat e Kalkutës. Ishte një nga portretet e para të gjata të shenjtes të të braktisurve që shfaqej në shtypin perëndimor. Dhe është për t'u habitur që ky portret i saj është bërë nga një intelektual që ishte ateist, komunist dhe homoseksual (por me bregën e madhe të besimit fetar). «Duhet të them se kurrë më parë nuk më është dukur shpirti i Krishtit kaq i gjallë dhe i ëmbël», shkruante Pasolini, kur përshkruante takimin e tij me Nënë Terezën.

Nami i mirë shenjtores nuk ishte i përhapur në atë kohë.

Në nëntor të vitit 1960, për herë të parë pas tridhjetë vjetësh, murgesha la Indinë dhe pranoi ftesën për të marrë pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Grave Katolike në Las Vegas, SHBA. Por nuk ishte një ngjarje e madhe mediatike sepse vetëm gazetat vendase folën rreth saj. Gazeta «Las Vegas Journal» paraqiti një foto bardh e zi të Nënë Terezës, të ulur, ku dukej qartë se nuk i pëlqente të fliste në publik.

Katër vjet më vonë, Papa Pali VI, në fund të udhëtimit të tij historik në Indi, dhuroi makinën luksoze të bardhë «Lincoln» që përdorej për udhëtime. Nënë Tereza e nxori makinën në ankand dhe të ardhurat u shpenzuan për hapjen e strehëve vorfnore të reja. Megjithatë, nami i murgeshës do të përhapej në mjetet ndërkombëtare të komunikimit vetëm në vitin 1969, falë dokumentarit «Something Beautiful for God» – Diçka e bukur për Hyjin, me regjisor Malcolm Muggeridge, gazetar anglez i BBC, i cili, pasi takoi Nënë Terezën, braktisi agnosticizmin dhe u bë katolik.

Kështu, në fillim të vitit 1961 kur Pasolini e takoi Nënë Terezën në Kalkutë, emri i murgeshës ishte gati i panjohur për publikun e gjerë. Pier Paolo Pasolini, poet por edhe regjisor, i njohur për filmin «L'Accattone», që u shfaq në kinema në vitin 1961, gjendej në Indi me shkrimtarët Alberto Moravia dhe Elsa Morante. Të tre kishin shfrytëzuar rastin e ftesës për një konferencë rreth poetit indian Tabindranath Tagore. Kështu, kishin ndërmarrë një udhëtim të gjatë nëpër Indi. Këtë përvojë Pasolini do ta rrëfente në një varg artikujsh për gazetën «Il Giorno». Këto shkrime u botuan nga shtëpia «Longanesi» në 1962 në përbledhjen me titull «L'odore dell'India» – Aroma e Indisë. Nga ana tjetër, edhe Alberto Moravia do të shkruante reportazhet e tij të udhëtimit për gazetën tjetër «Il Corriere della Sera». Edhe këto u botuan më vonë në përmbledhjen «An Idea of ​​India» – Një ide rreth Indisë.

Por le të shohim tashti rrëfimin e Pasolinit:

«Në Kalkutë, Moravia, Morante dhe unë shkuam të takonim Motër Terezën, një murgeshë që ia përkushtoi jetën të gërbulurve. Ka gjashtëdhjetë mijë të gërbulur në Kalkutë dhe numri i tyre arrin në disa milionë në të gjithë Indinë. Është një nga shumë gjërat e tmerrshme të këtij vendi, para së cilës njeriu është plotësisht i pafuqishëm.»

Pastaj autori bën një përshkrim të imtësishëm të mjedisit ku jeton Motër Tereza: «Një shtëpi e vogël jo shumë larg qendrës së qytetit, në një rrugë të rrënuar, të shkatërruar nga monsonet dhe nga mjerimi që të merr frymën. Bashkë me të janë pesë ose gjashtë murgesha të tjera, të cilat e ndihmojnë të drejtojë shoqërinë për kërkimin shkencor dhe mjekimin e të gërbulurve, dhe, mbi të gjitha, për vdekjen e tyre, sepse këtu ka një spital të vogël ku mblidhen të gërbulurit për të vdekur.»

Motër Tereza iu duk Pasolinit «një grua e moshuar, me lëkurë të errët, sepse është shqiptare, e gjatë, e dobët, me nofulla pothuajse virile dhe një palë sy të butë të cilët kudo që shikojnë, shohin».

Ky vëzhgim në lidhje me shikimin e Terezës është mbresëlënës. Sepse dikush mund të shikojë por pa parë vërtet se çfarë po ndodh përreth, e megjithatë ajo sheh gjithçka.

Historia përfundon me dy citime nga bota e artit që plotësojnë portretin e Terezës: «Ajo ka një ngjashmëri të habitshme me Shën Anën e famshme të Michelangelos, dhe tiparet e saj rrezatojnë mirësi të vërtetë, të llojit të përshkruar nga Prousti kur flet për shërbëtoren e vjetër Francesca. Mirësi pa sentimentalizëm, pa pritje, e qetë dhe qetësuese, tepër praktike».

Përmendja e Michelangelos është interpretuar në mënyra të ndryshme nga studiuesit e Pasolinit. Sipas interpretimeve më bindëse, shkrimtari italian nuk kishte në mendje Buonarrotin, por një pikturë të Michelangelo Merisi-t (Caravaggio): Shën Ana e Zojës së Shqytarëve, që ruhet në Galleria Borghese. Në atë pikturë, ngjashmëria e nënëdajës së Jezusit  me Nënë Terezën është e befasuese.

Megjithatë, citimi i Marcel Proust i referohet romanit «Në kërkim të kohës së humbur». Pasolini kap shpejt e shpejt, në mënyrë të shkëlqyeshme, dy tipare shquese të bamirësisë së Terezës së Kalkutës: pragmatizmin e saj dhe mungesën e plotë të retorikës sentimentale.

Është një takim që e magjeps Pasolinin dhe zbulon ndjeshmërinë e tij fetare. Nuk është rastësi që ai është i vetmi që e përmendi këtë takim në reportazhet e tij. As Moravia dhe as Morante, të cilët ishin të pranishëm me Pasolinin, nuk shkruan asnjë rresht të vetëm për takimin e tyre me motrën rregulltare.

Kanë kaluar kaq shumë vite, por një pyetje mbetet: kush e këshilloi Pasolinin të vizitonte në Kalkutë murgeshën, e cila u shpall e shenjtë nga Papë Françesku në vitin 2016?

Shkrimtari nuk na e ka rrëfyer këtë, por ka mundësi që Pasolini të ketë lexuar një artikull për Motër Terezën të botuar në «La Stampa» më 21 tetor 1960, disa muaj para nisjes së tij për në Indi. Autori ishte Alfredo Todisco, asokohe korrespondent i posaçëm i së përditshmes të Torinos, një gazetar i shquar që e kishte filluar karrierën e tij në të përjavshmen laike të Mario Pannunzios, «Il Mondo». Edhe ky ishte magjepsur nga personaliteti i murgeshës shqiptare. Në librin që përmbledh reportazhet e tij, «Viaggio in India» – «Udhëtim në Indi», botuar në vitin 1962, kapitulli i parë i kushtohet tërësisht Nënë Terezës.

Todisco pati kaluar një ditë të tërë në lagjet e varfra të Kalkutës me «engjëllin e lagjeve të varfra». Atij i pati bërë përshtypje të thellë historia e një gruaje të moshuar që po vdiste e që e kishin gjetur në një hendek, të mbuluar nga një grumbull mbeturinash. Kështu, motra Misionare të Dashurisë, themeluar nga Nënë Tereza, e çuan këtë plakë të braktisur në njërën nga shtëpitë e tyre, e lanë dhe panë se trupin ia kishin ngrënë krimbat.

Historia e Todiscos ia vlen të përmendet. Ndoshta ishin këto fjalë që ndezën dëshirën e Pasolinit për të takuar Motër Terezën: «Ishte e çuditshme që, në atë gjendje, plaka ishte ende në gjendje të kuptonte dhe të fliste. Edhe asaj i bënte përshtypje të thellë në ato çaste se dikush po kujdesej për të.

Kështu, plaka që po jepte shpirt e pyeti Motër Terezën: «Pse po e bën këtë gjë?», dhe Motër Tereza, e cila fliste bengalisht në mënyrë të përsosur, iu përgjigj: «Për dashurinë e Zotit». «Për hir të Zotit». Dhe atëherë një lloj drite e pastër përhapej mbi fytyrën e ënjtur të gruas qëishte duke thënë shpirt. «O, sa gjë e mrekullueshme, thuaje përsëri!».

 Dhe motrës Terezë iu desh ta përsëriste atë shprehje që e thoshte që kishte mësuar nga feje, derisa plaka dha shpirt me një buzëqeshje.

(Marrë nga gazeta «Avvenire» 8 mars 2026)

10 mars 2026, 12:17