Çelësi i fjalëve të Kishës: mbrojtja e ambientit
R.SH. - Vatikan
Doktrina Shoqërore e Kishës Katolike, së cilës ia kemi kushtuar këtë cikël emisionesh, ka reflektuar e reflekton gjerësisht për një nga aspektet më të rëndësishme të mënyrës së qëndrimit të njeriut në botë, që është sjellja e tij ndaj ambientit. Sidomos vitet e fundit, Papët i kanë kushtuar shumë dokumente këtij argumenti e Papa Françesku shkroi madje një enciklikë si “Laudato sì”, e tëra e përqendruar në marrëdhëniet e njeriut me ambientin që e rrethon, konceptuar jo vetëm si ambient natyror, por edhe si ambient shoqëror. Mendimi i Kishës për ambientin i ka rrënjët në perspektivën biblike, e cila e paraqet botën jo si realitet armiqësor, por si dhuratë besuar njeriut. Feja e Izraelit lind nga përvoja historike e pranisë së Zotit dhe e sheh mirësinë e Tij të pasqyruar në Krijimin hyjnor: Zoti «pa se ishte gjë e mirë» (Zan 1,4). Në kulmin e Krijimit vendoset qenia njerëzore, e krijuar «sipas shëmbëlltyrës së tij» (Zan 1,27) dhe e thirrur të ruajë e të zhvillojë harmoninë e natyrës.
Marrëdhëniet me tokën bëhen kështu pjesë thelbësore e identitetit njerëzor. Njeriu është i ftuar ta kultivojë dhe ta ruajë botën si një kopsht, që Zoti ia ka besuar (Zan 2,15). Edhe mëkati nuk e zhduk këtë mision, megjithëse e bën punën më të vështirë dhe më të shoqëruar me vuajtje.
Në Bibël, natyra bëhet shpesh arsye për lavde: «Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot! Gjithçka e ke bërë me urti» (Ps 104,24). Vetë shëlbimi përshkruhet si një Krijim i ri, që rikthen harmoninë e humbur. Kjo perspektivë arrin kulmin te figura e Krishtit, përmes të cilit jo vetëm njeriu, por të gjithë kreatyrët pajtohen me Zotin: «Nëse dikush është në Krishtin, ai është krijesë e re» (2 Kor 5,17).
Shkenca, teknologjia dhe përgjegjësia morale
Gjatë historisë, intelekti njerëzor ka realizuar përparime të mëdha në shkencë dhe teknologji. Koncili II i Vatikanit ua njeh vlerën këtyre arritjeve, duke theksuar se njeriu, «që merr pjesë në dritën e ardhur nga mendja hyjnore» ( Kusht. barit. Gaudium et spes, 15), e ka zgjeruar ndikimin e tij mbi natyrën. Veprimtaria njerëzore, kur drejtohet nga e mira e përbashkët, përputhet me planin e Zotit për përmirësimin e jetës.
Kisha nuk i kundërvihet përparimit shkencor. Përkundrazi, ajo e konsideron shkencën dhe teknologjinë «një produkt të mrekullueshëm të krijimtarisë njerëzore që është dhuratë e Zotit», siç thoshte Papa shenjt Gjon Pali II (Fjalim në takimin me shkencëtarët dhe me përfaqësuesit e Universitetit të Kombeve të Bashkuara, Hiroshimë (25 shkurt 1981), 3). Megjithatë, sa më shumë rritet fuqia teknike e njeriut, aq më shumë rritet edhe përgjegjësia e tij. Inovacionet duhet të vlerësohen sipas kritereve morale, duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe ekuilibrin e natyrës.
Ky parim vlen veçanërisht për fusha të ndjeshme si biologjia, gjenetika dhe bujqësia. Këto teknologji mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të mëdha si uria dhe sëmundjet, por ato nuk janë neutrale: «mund të përdoren si për përparimin e njeriut, ashtu edhe për degradimin e tij» (Gjon Pali II, Fjalim në takimin me shkencëtarët dhe me përfaqësuesit e Universitetit të Kombeve të Bashkuara, Hiroshimë (25 shkurt 1981), 3). Prandaj kërkohet kujdes dhe vlerësim i kujdesshëm i pasojave dhe rreziqeve, nënvizon Doktrina Shoqërore e Kishës.
Rrënjët e krizës ekologjike
Kriza mjedisore, shpjegon ajo, i ka rrënjët në pretendimin e njeriut për të ushtruar sundim absolut mbi natyrën. Në epokën moderne, aftësia për ta transformuar botën ka krijuar mendësinë, sipas së cilës nuk ka asnjë problem nëse shfrytëzohen burimet natyrore. Ambienti është reduktuar në një llojn rezervuari për përdorim të çfarëdoshëm, ndërsa zhvillimi interpretohet në mënyrë konsumiste. Kemi të bëjmë me një ideologji teknokratike, që e trajton natyrën vetëm si objekt manipulimi.
Magjisteri i Kishës paralajmëron edhe për rrezikun e kundërt: hyjnizimin e natyrës. Një konceptim ekocentrik, ose biocentrik, që i barazon të gjitha qeniet e gjalla, pa njohur përgjegjësinë e veçantë të njeriut, ka rrezik të mohojë dallimin ndërmjet tij dhe krijesave të tjera. Perspektiva e krishterë kërkon ekuilibër: natyra nuk duhet as të shfrytëzohet, as të idhujtarizohet, por të ruhet si dhuratë e Zotit.
Ambienti si e mirë e përbashkët
Mbrojtja e ambientit, për Doktrinën Shoqërore të Kishës, është përgjegjësi universale. Krijimi është një e mirë kolektive e destinuar për të gjithë dhe nuk mund të përdoret «pa pasoja» (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1990, 6), sipas interesave individuale. Kriza ekologjike kërkon një përgjigje globale dhe bashkëpunim ndërmjet popujve, institucioneve dhe bashkësisë shkencore.
Një shembull i rëndësishëm është mbrojtja e biolarmisë dhe e pyjeve të mëdha të planetit, si Amazonia, të cilat janë themelore për ekuilibrin ekologjik global. Shkatërrimi i pyjeve përshpejton proceset e shkretëtirëzimit, zvogëlon rezervat e ujit dhe rrezikon jetën e popullsive lokale dhe të brezave të ardhshëm.
Përgjegjësia mjedisore lidhet edhe me të drejtat e brezave të ardhshëm. Njerëzit e sotëm janë «trashëgimtarë të brezave të kaluar» dhe kanë detyrime ndaj atyre që do të vijnë (shih Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 37). Për këtë arsye kërkohen politika publike dhe bashkëpunim ndërkombëtar për mbrojtjen e ekosistemeve dhe parandalimin e ndotjes. Në këtë kuadër merr rëndësi parimi i kujdesit paraprak, i cili kërkon vendime të kujdesshme kur njohuritë shkencore janë ende të paplota.
Ekonomia, zhvillimi dhe drejtësia mjedisore
Zhvillimi ekonomik, thekson Kisha Katolike, duhet të respektojë «integritetin dhe ritmet e natyrës» (shih Këshilli Papnor i Kulturës – Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, Jezu Krishti bartës i ujit të gjallë. Një reflektim i krishterë mbi « Neë Age », Libreria Editrice Vaticana, Qyteti i Vatikanit 2003, 35). Burimet natyrore janë të kufizuara dhe shfrytëzimi i tepërt i tyre vë në rrezik të ardhmen e planetit. Prandaj mbrojtja e ambientit duhet të konsiderohet pjesë e kostos së veprimtarive ekonomike.
Ndërkohë, degradimi mjedisor prek më shumë të varfrit: bashkësi, që jetojnë në territore të degraduara, në lagje urbane të ndotura, ose në zona të goditura nga shkretëtirëzimi. Kriza ekologjike lidhet kështu ngushtë me çështjen e drejtësisë sociale. Parimi i destinacionit universal të të mirave materiale kujton se burimet e tokës janë për të gjithë. Ndër to një rol themelor ka uji, i përkufizuar si «element jetik» dhe e drejtë universale. Ai nuk mund të trajtohet thjesht si mall ekonomik, por duhet të administrohet në mënyrë të drejtë dhe solidare.
Vëmendje e veçantë, nënvizon gjithashtu Doktrina Shoqërore e Kishës, duhet t'u kushtohet çështjeve të ndërlikuara, që lidhen me burimet energjitike (shih Gjon Pali II, Fjalim për pjesëmarrësit në Plenaren e Akademisë Papnore të Shkencave, 28 tetor 1994). Energjia jo e rinovueshme, nga e cila varet si ekonomia e vendeve shumë të industrializuara, ashtu edhe ajo e vendeve të industrializuara së fundi, duhet të vihet në shërbim të të gjithë njerëzimit. Nga një perspektivë morale e karakterizuar nga barazia dhe solidariteti ndërbreznor, duhet të vazhdojmë, nëpërmjet kontributit të shkencëtarëve, të identifikojmë burime të reja energjie, të zhvillojmë alternativa dhe të rrisim nivelet e sigurisë së energjisë bërthamore (Gjon Pali II, Fjalim për pjesëmarrësit e Simpoziumit mbi Fizikën të 18 dhjetorit 1982).
Bioteknologjitë dhe përgjegjësia globale
Ndër fushat më delikate të zhvillimit shkencor janë bioteknologjitë moderne. Ato mund të ofrojnë zgjidhje të rëndësishme për luftën kundër urisë dhe sëmundjeve, por ngrenë edhe pyetje etike, sociale dhe ekonomike. Vizioni i krishterë nuk i refuzon ndërhyrjet e njeriut mbi natyrën, për sa kohë që ato respektojnë rendin e Krijimit dhe marrin parasysh pasojat afatgjata. Përdorimi i bioteknologjive kërkon përgjegjësi, transparencë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Shkencëtarët, sipërmarrësit dhe vendimmarrësit politikë janë të thirrur të orientohen drejt së mirës së përbashkët dhe të shmangin që interesat ekonomike të rrezikojnë shëndetin e ambientit dhe të popullsive.
Mënyra të reja jetese për të ardhmen
Për t’i bërë ballë krizës ekologjike nuk mjaftojnë vetëm ligjet dhe politikat. Nevojitet një ndryshim i thellë kulturor, që prek sjelljet individuale dhe kolektive. Doktrina Shoqërore e Kishës fton të zhvillohen mënyra të reja të jetesës, bazuar në maturi, vetëpërmbajtje dhe solidaritet. Vendimet për konsumin, kursimet dhe investimet duhet të udhëhiqen jo vetëm nga fitimi ekonomik, por nga kërkimi i së mirës së vërtetë njerëzore dhe nga nevojat e bashkëjetesës ndërmjet njerëzve.
Qëndrimi themelor i njeriut ndaj Krijimit të Zotit duhet të jetë mirënjohja. Bota nuk është vetëm një grumbull burimesh për t’u shfrytëzuar, por shenjë e pranisë së Hyjit. Duke e rizbuluar natyrën si Krijim, njeriu mund të ketë marrëdhënie më të respektueshme me të dhe të shohë në botë gjurmën e fuqisë krijuese dhe shëlbuese të Zotit.