OKB-ja OKB-ja

Çelësi i fjalëve të Kishës: bashkësia ndërkombëtare

Sipas Kishës Katolike, bashkësia ndërkombëtare nuk është thjesht bashkësi interesash, por një realitet moral dhe juridik i themeluar mbi unitetin e familjes njerëzore. Një projekt, që kërkon zëvendësimin e logjikës së forcës me atë të së drejtës dhe logjikën e indiferencës me atë të solidaritetit

R.SH. - Vatikan

Bashkësia ndërkombëtare, e themeluar mbi dinjitetin, drejtësinë dhe solidaritetin është argumenti i reflektimit të sotëm, në vijim të emisioneve kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike. Rrugëtimi ynë nis nga Bibla, kalon përmes reflektimit teologjik dhe arrin te çështjet e mëdha gjeopolitike bashkëkohore: paqja, sovraniteti, organizatat ndërkombëtare, varfëria dhe borxhi i jashtëm.

Një familje e vetme nën një Zot të vetëm

Rrëfimet e Zanafillës e paraqesin njerëzimin si një familje të vetme, të krijuar “sipas shëmbëllimit dhe ngjashmërisë” me Hyjin. Dinjiteti i dhënë qenies njerëzore shtrihet “në të gjitha brezat” dhe mbi “mbarë tokën”. Besëlidhja me Noehun, pas përmbytjes, dëshmon se Hyji dëshiron ta ruajë bekimin fillestar për njerëzimin, pavarësisht nga mëkati e dhuna. Ndërsa kulla e Babelit bëhet simbol i përçarjes, që lind kur njeriu “i kthen shpinën Krijuesit”. Me Abrahamin, “ati i një shumice popujsh”, hapet një horizont universal: Hyji është Zot i historisë së të gjitha kombeve. Profetët shpallin një kohë kur popujt do të ecin së bashku drejt paqes, ndërsa Izraeli fiton vetëdijen për misionin e tij si dëshmitar i Hyjit të vetëm përpara botës.

Krishti, themeli i njerëzimit të ri

Ndërkaq, në Besëlidhjen e Re, është Jezu Krishti prototipi i njerëzimit të ri. Në Të, “shëmbëllim i vërtetë i Hyjit”, rivendoset uniteti i thyer. Me kryqin, “të gjitha pengesat e armiqësitë shemben” dhe dallimet kulturore apo racore nuk janë më arsye ndarjeje. Rrëshajët përfaqësojnë kapërcimin simbolik të kullës së Babelit: mesazhi i Ringjalljes shpallet në gjuhë të ndryshme, por me një frymë të përbashkët. Uniteti nuk i zhduk dallimet, por i përfshin ato në një “unitet të plotë në Krishtin”. Uniteti i familjes njerëzore – baza e asaj, që më vonë do të quhet “bashkësi ndërkombëtare” - nuk ndërtohet “me forcën e armëve, terrorit apo shtypjes”, por si pasqyrim i bashkimit hyjnor. Është arritje morale dhe kulturore.

Mesazhi i krishterë është vendimtar për të kuptuar se popujt kanë prirje të bashkohen jo vetëm për shkak të formave të organizimit, ngjarjeve politike, projekteve ekonomike, ose në emër të ndonjë internacionalizmi abstrakt dhe ideologjik, por edhe sepse ata orientohen lirisht drejt bashkëpunimit, të vetëdijshëm “se janë anëtarë të gjallë të një bashkësie globale” (Gjoni XXIII, enc. Pacem in terris, 296). Kjo e fundit duhet të propozohet si figurë konkrete e unitetit të dëshiruar nga Krijuesi: “Uniteti i familjes njerëzore ka ekzistuar në të gjitha kohërat, pasi ka si anëtarë të saj qenie njerëzore, që janë të gjithë të barabartë për nga dinjiteti natyror. Si pasojë, gjithmonë do të ekzistojë kërkesa objektive për të arritur, në një shkallë të mjaftueshme, të mirën e përbashkët universale, domethënë të mirën e përbashkët të të gjithë familjes njerëzore”, siç saktëson Papa shenjt Gjoni XXIII në enciklikën e tij të famshme “Pacem in terris” (292).

Shtyllat e bashkësisë ndërkombëtare

Në planin politik dhe juridik, bashkësia ndërkombëtare mbështetet mbi centralitetin e njeriut dhe mbi prirjen natyrore të popujve për të lidhur marrëdhënie. Këto marrëdhënie duhet të kenë për bazë të vërtetën, drejtësinë, solidaritetin dhe lirinë, mëson magjisteri papnor. E drejta është mjeti themelor për të garantuar rendin ndërkombëtar dhe të mirën e përbashkët universale. Sovraniteti i shteteve duhet respektuar, por ai nuk është absolut: kombet mund të heqin dorë lirisht nga disa të drejta, në funksion të një qëllimi të përbashkët, duke e parë veten si pjesë e një “familjeje” të bazuar në besimin dhe respektin e ndërsjellë.

Ligji moral dhe refuzimi i luftës

Sipas Kishës Katolike, i njëjti ligj moral që rregullon jetën e individëve duhet të udhëheqë edhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Ai është “gramatikë” e përbashkët e shkruar nga Zoti në zemrën e njeriut dhe orienton dialogun për të ardhmen e botës. Për këtë arsye, lufta hidhet poshtë me vendosmëri, pasi mund të çojë në “vetëvrasjen e njerëzimit”. Logjika e forcës duhet zëvendësuar me “forcën e së drejtës”, duke përforcuar mjete si bisedimet, ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, në mënyrë që të mos mbizotërojë “ligji i më të fortit” (shih Karta e Kombeve të Bashkuara (26 qershor 1945), neni 2.4).

Roli i organizatave ndërkombëtare

Me krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945, bashkësia ndërkombëtare mori një drejtim më të qartë. OKB-ja ka kontribuar në promovimin e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe zhvillimit, duke vendosur baza institucionale për paqen. Prandaj, Kisha Katolike nxit forcimin e organizatave ndërqeveritare dhe, madje, krijimin e “një autoriteti publik universal”, të njohur nga të gjithë, me kompetenca reale, por jo si ndonjë “super-shtet global” (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 2003, 6). Ky autoritet duhet të veprojë sipas parimit të subsidiaritetit, duke mbështetur dhe jo duke zëvendësuar shtetet. Po ashtu, ajo vlerëson rolin e shoqërisë civile dhe të organizatave për të drejtat e njeriut, të cilat e ndërgjegjësojnë opinionin publik ndërkombëtar.

Bashkëpunimi për zhvillim

Në botën e sotme, globalizimi e bën të qartë ndërvarësinë mes popujve. “Bashkësitë politike kushtëzojnë njëra-tjetrën”: askush nuk zhvillohet në izolim. Zhvillimi është jo vetëm aspiratë, por një e drejtë, që kërkon bashkëpunim ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Doktrina Shoqërore e Kishës vë në dukje shkaqet e nëzhvillimit për disa zona të globit, si mekanizmat ekonomike e financiare të padrejta, korrupsioni, mungesa e institucioneve funksionale, analfabetizmi dhe mungesa e lirisë. Pikërisht për t’i kapërcyer këto, ajo kërkon me forcë bashkëpunimin për zhvillimin e përbashkët global. Të gjithë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në tregun ndërkombëtar, vëren Kisha, por solidariteti duhet të mbizotërojë mbi logjikën e tregut: ekziston “diçka që i detyrohet njeriut, sepse është njeri” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 34).

Varfëria dhe borxhi: çështje drejtësie

Për këtë arsye, varfëria e miliarda njerëzve është “çështja, që më shumë se çdo tjetër sfidon ndërgjegjen tonë njerëzore dhe të krishterë” (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 2000, 14). Ajo u mohon shumë popujve “të drejtën e barabartë për t’u ulur në tryezën e banketit të përbashkët”. Për Kishën Katolike, lufta kundër varfërisë mbështetet mbi dashurinë preferenciale për të varfrit, mbi destinacionin universal të të mirave të kësaj toke dhe mbi solidaritetin: “të gjithë jemi vërtet përgjegjës për të gjithë” (Gjon Pali II, enc. Sollicitudo rei socialis, 38). Së bashku me solidaritetin, është i domosdoshëm edhe subsidiariteti, që i bën të varfrit protagonistë të zhvillimit të tyre, për të cilin është i rëndësishëm edhe qëndrimi ndaj borxhit të jashtëm të disa vendeve në krizë. Siç thekson Papa shenjt Gjon Pali II, në enciklikën Centesimus annus (35), ndonëse borxhet duhet të respektohen, nuk mund të cenohet “e drejta themelore e popujve për mbijetesë dhe përparim”.

05 mars 2026, 09:00