Kërko

Gratë në një kamp refugjatësh në Mauritani (AFP ose licencues) Gratë në një kamp refugjatësh në Mauritani (AFP ose licencues)

Caritas Internationalis, dinjitet, drejtësi e veprim për të gjitha gratë

Deklarata për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars, na kujton se sot gratë në mbarë botën gëzojnë "vetëm" 64% të të drejtave ligjore, që i gëzojnë burrat. Prej këndej, thirrja për të gëzuar barazinë, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë, që të mos jenë koncepte "ideale", por "realitete të jetuara".

R.SH. / Vatikan

Të nxitësh barazinë, të mbrosh dinjitetin njerëzor dhe të garantosh sigurinë dhe drejtësinë për të gjitha gratë e vajzat, jo si koncepte "ideale", por si "realitete të jetuara"! Thirrja e Caritas Internationalis për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars, festë e kujtuar edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës nga Papa Leoni XIV, i bën jehonë raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

I titulluar "Të garantosh e të forcosh hyrjen në drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat", zbulon se në vitin 2026, gratë në mbarë botën gëzonin "vetëm 64% të të drejtave ligjore, që gëzojnë burrat". Me ritmin aktual, thekson një deklaratë e publikuar në caritas.org, mbyllja e këtij hendeku do të zgjaste 286 vjet: "Kjo nuk është e pranueshme". Për Caritas-in gjithashtu thekson se barazia ndërmjet grave e burrave është e rrënjosur në bindjen se çdo njeri u krijua sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit: dinjiteti njerëzor është "universal dhe i pandashëm".

Barrierat shoqërore, kulturore, ekonomike

Kur dinjiteti dhe të drejtat mohohen, madje edhe nga barrierat sociale, kulturore ose ekonomike, "njerëzimi ynë i përbashkët zvogëlohet". Ta mbështetësh, prandaj, dinjitetin e grave dhe të vajzave dhe "ta nxitësh emancipimin, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e barabartë" të tyre në ndjekjen e së mirës së përbashkët, është "masë themelore për lulëzimin e mbarë familjes njerëzore". Në një kohë shkurtimesh ndërkombëtare në financimin e ndihmës për zhvillim, theksohet, "të njohësh, të mbështetësh dhe të investosh në udhëheqjen e grave" është po aq "themelore" për përparimin autentik dhe integral si dhe për ndryshimin e qëndrueshëm: barazia dhe dinjiteti nuk janë "subjekt" i ndryshueshmërisë së buxheteve, as "drejtësia nuk është fakultative".

Siguria është detyrim

Siç shkruan Leoni XIV në thirrjen apostolike Dilexi te, duke kujtuar Evangelii gaudium të Papës Françesku, "dyfish më të varfra janë ato gra që vuajnë situata përjashtimi, keqtrajtimi dhe dhune".

Në kohë lufte, "gratë dhe vajzat shpesh janë më të prekurat, të detyruara të largohen nga shtëpitë dhe bashkësitë e tyre, për të shpëtuar jetën, shpesh viktima të shpërdorimit fizik dhe seksual, të braktisura në kujdesin e fëmijëve të tyre dhe të shkeljeve më serioze të të drejtave të tyre themelore", vëren Alistair Dutton, Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Internationalis. Prandaj, angazhimi i Caritas është i qartë dhe evokon temën e Ditës të edicionit të vitit 2026:

"Dinjitet, drejtësi e veprim. Për të gjitha gratë dhe vajzat, sepse të garantosh sigurinë e njerëzve, është detyrim".

08 mars 2026, 17:25