Berat: dalin në sipërfaqe kishat paleokristiane të Antipatresë së lashtë
R.Sh. Vatikan
Bëhet fjalë për dy zbulime të arkeologëve tanë që pohojnë edhe njëherë për lashtësinë e krishterimit në trevat shqiptare, meqenëse janë mozaikë të shekujve V – VI. Po ashtu, këto dëshmojnë se bashkësitë e krishtera kanë qenë shumë më të fuqishme dhe më të pasura se sa mendohej deri më sot. Mozaikët janë vepra artistike që kushtonin shumë si në antikitet, ashtu edhe ende sot e kësaj dite.
«Pulcheropolis», sikurse përmendet Berati në dokumentet mesjetare, ka një histori mijëvjeçare. Vendbanimet e para në territorin e tij nisin që nga epoka e bronzit, por qyteti është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë përgjatë shekujve, dhe sot për sot është i njohur kryesisht për arkitekturën e tij osmane, prej nga ka marrë apelativin «qyteti i një mbi një dritareve». Për këtë arsye, zbulimi i mozaikëve të hershëm të krishterë fiton një vlerë të posaçme.
Në shumicën e rasteve, shtresëzimi urban i ka zhdukur gjurmët e ndërtesave më të vjetra por në kësaj here ato kanë dalë në sipërfaqe.
Dy zbulimet për të cilat po flasim janë bërë para gjashtë vjetësh, por vetëm tani u botua studimi i autorëve Elda Omari dhe Ols Lafe. Duke bashkërenduar të gjitha të dhënat, hulumtimi përcjell një vështrim më të imtësishëm të historisë së lashtë të Antipatresë, histori e cila prapseprap mbetet e vështirë për t'u rindërtuar e plotë.
Mozaiku i parë, i zbuluar në vitin 2012, u gjet brenda mureve të kalasë së Beratit. Përmasat e tij janë 5.9 x 3.3 metra dhe është një kompozim i jashtëzakonshëm polikromatik, me panele të shumta, të ndara nga motive gjeometrike. I dyti, i zbuluar në vitin 2018 në pjesën e poshtme të qytetit, pjesërisht nën themelet e një Xhamie, është pak më i vogël, por ka tipare të ngjashme. Aty dallohet qartë mbishkrimi greqisht «Theotokos» që do të thotë "Nëna e Zotit". Ky atribut iu njoh gjerësisht Shën Marisë vetëm pas Koncilit të Efesit në vitin 431. «Ky fakt na ka lejuar të përcaktojmë më saktë datimin e gjetjeve.» – shprehen arkeologët Omari dhe Lafe.
«Përveç vlerës artistike të zbulimit, këto mozaikë marrin edhe rëndësi të veçantë historike ngaqë na lejojnë të përcaktojmë vendndodhjen e Kishave që tani janë zhdukur dhe dëshmojnë për gjallërinë e bashkësisë të krishterë të Beratit, e cila gjendej në një pikë ku kryqëzoheshin bota latine dhe ajo greko-bizantine.» - thonë arkeologët shqiptarë.
(Marrë nga: «Avvenire», 11 mars 2026)