Kërko

Israeli airstrikes hit Beirut

Bejrut: Shërbimi Jezuit për Refugjatët pranë libanezëve dhe migrantëve që ikin nga lufta

Një bisedë me atë Daniel Corrou, drejtor i Shërbimit Jezuit për Refugjatët për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Nga Bejruti, ai raporton se mbi 300 shkolla publike janë shndërruar në vendstrehime: “Ato janë tashmë plot.” “Kisha jonë këtu në Bejrut më parë priste punëtorë migrantë. Tani e kemi rihapur për njerëz nga Filipinet, Etiopia, Sudani, Sudani i Jugut, Jemeni, Eritrea, Sierra Leone dhe Nigeria. Nevojitet strehim i sigurt, ushqim, shërbime dhe mbi të gjitha, paqja.”

R.SH. - Vatikan

Nevoja më e ngutshme është "që konflikti të marrë fund: populli libanez nuk e dëshiron atë. Njerëzit e kanë keq këtu dhe në të gjithë viset e këtushme". Atë Daniel Corrou, drejtor i Shërbimit Jezuit për Refugjatët (JRS) për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, foli për mediat e Vatikanit nga Bejruti, ku "që nga nata midis të dielës dhe të hënës" vendi po përjeton "një përshkallëzim të konfliktit", sa prej sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, aq edhe nga përgjigja e Teheranit kundër Izraelit dhe disa vendeve të Gjirit. Deri para shpërthimi të luftës, një armëpushim midis Izraelit dhe milicive pro-iraniane të Hezbollahut ishte në fuqi që nga nëntori i vitit 2024. Nga ana tjetër, bombardimet izraelite kanë vënë në shënjestër zonat e Aramoun dhe Saadiyat, që gjenden në jug të aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit, si dhe Baalbek në lindje. Është thelbësore, shton jezuiti amerikan, "që dhuna të ndalet menjëherë" në një vend që tashmë ka plagët e luftës, shpërthimin e portit të Bejrutit në vitin 2020 dhe krizën ekonomike.

Dyndje të reja të shpërngulurish

"Edhe këtu në Achrafieh, ne i kemi ndjerë sulmet, veçanërisht në Dahiyeh dhe disa zona në jug të Bejrutit", të cilat kanë shkaktuar, përveç viktimave dhe dëmeve materiale, dyndje të reja dhe alarmuese të shpërngulurisht. Dje, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara dha disa shifra kur foli për të paktën 31,000 njerëz "të mirëpritur dhe të regjistruar në qendrat kolektive të pritjes" në të gjithë Libanin. "Ne nuk kemi numra të saktë" të atyre që janë detyruar të largohen. Flitet se numri mund të jetë "ndoshta disa qindra mijëra", deklaron meshtari jezuit. Këtë mëngjes, ushtria izraelite (IDF) raportoi se afërsisht 300.000 banorë të Libanit jugor kanë lënë shtëpitë e tyre.

Ndihmë për migrantët

Shumë prej këtyre njerëzve, dëshmon atë Corrou, "po mbërrijnë në Bejrut. Mbi 300 shkolla publike janë shndërruar në vendstrehime. Dhe e dimë me siguri se janë plot". "Kisha jonë këtu në Bejrut, gjatë luftës së mëparshme në vitin 2024, u hap, së bashku me vende të tjera, si strehë për punëtorët migrantë – njerëz nga Filipinet, Etiopia, Sudani, Sudani i Jugut, Jemeni, Eritrea, Sierra Leone dhe Nigeria, kryesisht punëtorë shtëpiakë ose refugjatë. Tani e kemi hapur prap", shpjegon ai.

Shërbimi Jezuit për Refugjatët po "bashkëpunon gjithashtu me një rrjet strehimesh të tjera që punojnë posaçërisht me punëtorët migrantë", të cilët shpesh nuk mund të gjejnë strehim tjetërkund. "Shumica e personave të shpërngulur janë libanezë, banorë të Libanit Jugor ose nga jugu i Bejrutit, por po dëgjojmë për radhë të gjata sirianësh në kalimin kufitar me Sirinë, megjithëse përsëri shifrat nuk janë të sigurta".

Njoftime për evakuim

Në orët e fundit, ka pasur një sërë sulmesh – të cilat Izraeli i ka drejtuar kundër pozicioneve të Hezbollahut në përgjigje të raketave në territorin e tij – si dhe njoftime evakuimi të bëra nga ushtria izraelite për dhjetëra fshatra, veçanërisht në Libanin jugor. Njerëzit po ikin "për dy arsye. E para, se ka sulme luftarake në zonat prej nga vijnë ata që po priten këtu. E dyta, janë njoftimet për evakuim. Qeveria izraelite ka treguar në hartë dhe ka urdhëruar evakuimin e qyteteve dhe fshatrave, dhe njerëzit kanë filluar të dynden në veri". Në fakt, që nga fillimi i javës, ushtria izraelite ka publikuar lista të lagjeve në kryeqytet dhe vende të tjera, nga Ghobeiry dhe Haret Hreik në Sidon dhe Tir. "Ushtria izraelite i publikon ato në mediat e veta sociale, si në arabisht ashtu edhe në anglisht, dhe këto postime shpërndahen menjëherë në mediat e tjera sociale dhe në mesin e popullit libanez". Kjo masë në përgjithësi i paraprin sulmeve në zonat e treguara, aq sa arteriet kryesore në veri të vendit janë të mbingarkuara, me familje që ikin dhe kolona makinash të bllokuara për kilometra të tëra.

Programet e Shërbimit Jezuit për Refugjatët

Për t’i bërë ballë emergjencës së re të refugjatëve, vazhdon atë Corrou, Shërbimi Jezuit për Refugjatët kohët e fundit ka "ndryshuar veprimtaritë e tij: ne kemi mbajtur programet tona të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale. Por programet tona arsimore ndjekin rregulloret shtetërore dhe, duke qenë se shkollat ​​kanë qenë të mbyllura ditët e fundit, si pasojë janë pezulluar në mënyrë që jeta e fëmijëve të jetë e sigurtë. Prandaj, e kemi transferuar stafin tonë nga qendrat arsimore në vendstrehimet e emigrantëve që kemi hapur. Patëm miratuar të njëjtën strategji ndërmjet shtatorit dhe nëntorit 2024, kur lufta e fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut ishte në zhvillim e sipër." Ajo që është më e nevojshme tani, vëren ai, "është një vend i sigurt. Është mjaft ftohtë natën. Për fat të mirë nuk bie shi, por tani për tani kemi nevojë për strehim, kanalizime dhe ushqim".

Shpresa për kthim në shtëpi

Megjithatë, ekziston "shpresë e madhe midis njerëzve; shumë do të donin të ktheheshin" në shtëpitë e tyre, pavarësisht "turbullirave në jug" dhe "lëvizjeve të ushtrisë izraelite në këtë zonë dhe frikës nga pushtimi". Libanezët "e duan tokën e tyre dhe duan të jetojnë në paqe, të gjithë së bashku në diversitetin që karakterizon Libanin: ata do të donin të ktheheshin 100%, por duhet të jenë të sigurt".

E njëjta gjë vlen edhe për punëtorët migrantë, "të cilët nuk duan asgjë më shumë sesa të kthehen në punë" dhe në vendet ku kanë jetuar, e të bashkohen me familjet e tyre.

Lutja e Papës

Krahas thirrjeve të vazhdueshme të Papës për të punuar për paqen, për të nxitur dialogun, për të kërkuar zgjidhje, pa armë, për të zgjidhur problemet, Libani "vazhdon të lutet me Papën Leonin XIV", siguron jezuiti. "Papa e njeh mirë situatën sepse qe këtu vetëm para pak muajsh. Ati i Shenjtë Prevost i qëndron pranë popullit libanez. Shpresojmë që udhëheqësit politikë të përfshirë në këtë luftë do t'i kushtojnë vëmendje fjalëve të tij".

Nga ana e tij, drejtori i Shërbimit Jezuit për Refugjatët (JRS) shpreson "që dhuna të marrë fund, që diplomacia të fillojë punën e saj, që të bëhen negociata për të ardhmen e marrëdhënieve midis vendeve të ndryshme dhe që udhëheqësit t'i marrin seriozisht nevojat e njerëzve. Sepse – shton atë Danieli – nevojat e njerëzve janë paqja dhe stabiliteti, kujdesi për familjet e tyre, për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të ndërtuar një shoqëri civile, për të shijuar larminë e kësaj zone".

05 mars 2026, 09:34