Angola, ipeshkvijtë përgatisin vizitën e Papës: qoftë nxitje për të luftuar kundër varfërisë
R.SH. / Vatikan
Jo vetëm takime të thjeshta administrative, por edhe shprehje të dukshme kolegjialiteti ipeshkvnor si dhe shqetësimi baritor për bashkësitë. Kështu kreu i ipeshkvijve angolanë, Kryeipeshkvi José Manuel Imbamba, e hapi Asamblesë plenare të Konferencës së Ipeshkvijve të Angolës, duke dhënë lajmin e mbërritjes së Papës në shtegtimin e tij të ardhshëm apostolik në Afrikë, "bekim për kombin tonë e Kishën tonë".
Urojmë që Papa të gjejë një vend të lum e vëllazëror
Kryeipeshkvi imzot Imbamba bëri thirrje për përgatitje shpirtërore dhe logjistike, në mënyrë që Papa të gjejë "një Angolë të bashkuar, të lumtur e, mbi të gjitha, plot shpresë, paqe e vëllazëri". Falënderoi gjithashtu edhe komisionet e krijuara nga qeveria e Angolës dhe në CEAST (Conferenza episcopale di Angola e São Tomé) për punën e tyre në sigurimin e mbarëvajtjes së ngjarjes.
Në nivel baritor, kujtoi programin trevjeçar që kulmon vitin e ardhshëm me festimin e gjashtëdhjetë vjetorit të Konferencës Ipeshkvnore, kushtuar meshtarëve të shuguruar dhe personave të kushtuar. Duke u përqendruar mbi temën "Dishepujt e thirrur dhe të formuar nga Zoti", nënvizoi dëshirën e episkopatit për të shmangur "aktivizmin bosh" e për të nxitur, në vend të tij, kthesa të mirëfillta. Duke kujtuar asamblenë e fundit, prelati përmendi Kongresin kombëtar për pajtim e paqe, mbajtur në nëntor, si dhe Jubileun e Shpresës dhe pesëdhjetë vjetorin e pavarësisë kombëtare:
"Paqja është ndërtim i përditshëm, që kërkon zemra dhe mendje të çarmatosura".
Ndër ngjarjet e kohëve të fundit, Jubileu i Përtëritjes Karizmatike në Sumbe, formimi i Kujdesit Baritor të Migrantëve në São Tomé dhe Príncipe, si dhe tërheqja e ipeshkvijve në Walvis Bay, Namibi, u përmendën si çaste ripërtëritjeje shpirtërore. Në fushën e shërbesës rinore, u caktua Dita IV Kombëtare e Rinisë, që do të mbahet në Luanda nga 13 deri më 16 gusht, si dhe edicioni i parë i ADRO-s, aktivitet formimi fetar i Skautëve, që mblodhi më se 500 delegatë nga dioqezat.
Luftimi kundër varfërisë, sfidë përparësie
Imzot Imbamba foli edhe për temën e zbatimit të Sinodit mbi sinodalitetin, duke bërë thirrje për dëgjimin e anasjelltë, vlerësimin e grave dhe të rinjve dhe ndërtimin e një Kishe me dyer të hapura. Theksoi, gjithashtu, rëndësinë e formimit në Seminare. Në analizën e situatës sociale, u përqendrua në pamjen e një Angole "gjithëpërfshirëse dhe meritokratike", ku qytetaria mbizotëron mbi partishmërinë militante. Kryeipeshkvi përsëriti se dialogu është rruga themelore drejt paqes sociale, ndërsa pjesëmarrja aktive në jetën publike, e drejtë dhe detyrë për të gjithë. Lufta kundër varfërisë u quajt sfida më e madhe kombëtare. Presidenti i CEAST bëri thirrje edhe për drejtësinë sociale, diversifikimin ekonomik, nevojën për të rritur investimet në bujqësinë familjare dhe arsimin teknik e profesional, si dhe rivendosjen e rrugëve të komunikimit. Shprehu shqetësim edhe për frikën e pasiguritë, që prekin veçanërisht të rinjtë, shumë prej të cilëve zgjedhin emigrimin, dhe mbështeti transparencën institucionale, respektin për ligjin dhe nxitjen e kulturës së dialogut.
Thirrje për politikanët: Angola, mbi interesat e njëanshme
Në një thirrje drejtuar politikanëve, u inkurajua vënia e interesit kombëtar mbi interesat partiake, duke kujtuar se politika është forma më e lartë e bamirësisë, kur orientohet drejt të mirës së përbashkët. Duke cituar Papën Leoni XIV, imzot Imbamba i nxiti të gjithë të heqin dorë nga shqiptimi i fjalëve fyese, duke favorizuar një gjuhë me mirësi e respekt, të aftë t’i shndërrojë fjalët e urrejtjes - në fjalë shprese. Së fundmi, Imzot Imbamba ripohoi angazhimin e tij për t'i bërë bashkësitë "hapësira për dëgjim dhe çlirim".