Kërko

Mali Sion me Kishën e Fjetjes së Zojës Mari Mali Sion me Kishën e Fjetjes së Zojës Mari

Abati Schnabel: lufta është shthurje, e paguar nga të pafajshmit

Murgjit e Abacisë gjermanishtfolëse të Fjetjes së Zojës Mari në Malin Sion vazhdojnë të luten pa u lodhur për të gjithë ata që preken nga konflikti, përfshirë fajtorët dhe të fuqishmit. "Do të doja t'u dorëzoja personalisht disa njerëzve një kryq hiri me fjalët nga kapitulli i tretë iLibrit të Zanafillës: 'Mbaje mend, o njeri, se pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh', mbasi disa njerëz, në sytë e mi, harrojnë se janë qenie të vdekshme, me një datë skadence".

R.SH. / Vatikan

Abati Nikodemus Schnabel kujton çastin, të shtunën, më 28 shkurt, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan bombardierët e tyre. Në atë çast, e gjithë bashkësia e murgjve të Abacisë së Fjetjes së Shën Marisë ishte në Manastirin e Tabghës, në Detin e Galilesë, 170 kilometra larg Jeruzalemit. "Që nga e premtja, mbajtëm takimet e kapitullit atje; është parlamenti i murgjve, si të thuash. Edhe atmosfera ishte paksa shpresëdhënëse, sepse që nga shkurti i këtij viti, ne qemë në gjendje të mirëpresim përsëri grupe shtegtarësh nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore. Ishte një shkëndijë shprese; mendonim  se ndoshta-ndoshta horizonti po ndriçonte. Turizmi është veçanërisht i rëndësishëm për pakicën e vogël të krishterë në Izrael dhe në Palestinë, 60% e të cilëve varen nga turizmi për jetesën e përditshme".

Një shpresë e brishtë, e shuar

Murgjit e malit Sion, në Jerusalem, punësojnë 24 punëtorë vendas, siç shpjegon Abati Nikodem: nga punonjësi i parkimit, deri te shitësi në dyqanin e abatit. "Të premten e kaluar, ndjenja e përgjithshme në diskutimet tona ishte: ndoshta së shpejti do të jemi në gjendje të financojmë në mënyrë të pavarur përsëri mirëmbajtjen dhe pagat e punonjësve tanë, falë shtegtarëve... Por kjo shpresë e brishtë u shua papritur të shtunën, herët në mëngjes. Gjatë takimit, sirena e sulmit ajror ra dhe ne nxituam tek streha". E pikërisht aty kaluan dy orë, për murgjit dhe kë ishte me ta, anëtarët e stafit, vullnetarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Hong Kongu, motrat rregulltare filipinase, një shofer autobusi palestinez dhe një grup shtegtarësh francezë, që vizitonin vendin e mrekullisë së bukëve dhe peshqve. Gjithsej, rreth gjashtëdhjetë vetë”.

Lutje dhe këngë në bunker

"Bunkeri është vërtet shumë, shumë i sigurt. Ne i kishim mbyllur me kujdes dritaret, megjithatë mund të dëgjonim raketat që hidheshin, ndërsa toka vijonte të dridhej. Të gjithë ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte rreth nesh. Kënduam dhe u lutëm në bunker në disa gjuhë, duke menduar edhe për njerëzit në Iran: ishte përvojë shumë intensive. Një nga shtegtaret po kremtonte ditëlindjen e 19-të; kënduam për të në të gjitha gjuhët e mundshme, e kjo, pavarësisht situatës, ishte  përvojë e bukur: të jesh bashkë në lutje me njerëz, që nuk e njohin njëri-tjetrin, por kanë një shpresë të përbashkët dhe të njëjtat rrënjë në fe dhe të njëtat lutje për të tjerët".

 Fuqia e Psalmeve

Shqetësimi për të tjerët, mbi të gjitha, i pushton mendimet e abatit në këto ditë e këto orë. Me t'u kthyer në Jerusalem të shtunën, si shumica e vëllezërve të tij, i gjeti rrugët e Qytetit të Shenjtë të shkreta. "Viti ynë i studimeve teologjike, sigurisht, zhvillohet në Jerusalem, i plotësuar nga javë të tëra punëtorish islamo-kristiane. Kjo do të thotë se ne jemi vërtet në Jerusalem si bashkësi ndërfetare studentësh të teologjisë të krishterë dhe islame, nga Gjermania. E kjo është vërteë përvojë interesante". Abati Nikodemus Schnabel synon të qëndrojë në Jerusalem dhe të këmbëngulë në lutje, edhe në rrethanat e reja sfiduese, sepse "fuqia e Psalmeve" tani ndihet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, "ku fjalët njerëzore dështojnë". "Ne i kemi zhvendosur të gjitha lutjet në kriptën tonë; kisha e poshtme, ku besohet se ka ndodhur vdekja e Marisë, është shumë mirë dhe e mbrojtur.

Gjatë Eukaristisë të së dielës, dëgjuam raketat balistike që godisnin pranë Jerusalemit, e kjo na bën vërtet të kuptojmë se sa i vogël është vendi". Gjatë ndërmjetësimeve të së dielës, murgjit e Abacisë së Fjetjes së Shën Marisë përfshinë me vetëdije në lutjet e tyre të gjithë ata persona që preken, përfshirë fajtorët dhe të fuqishmit. "Do të doja t'u dorëzoja personalisht disa njerëzve një kryq hiri me fjalët nga kapitulli i tretë i Librit të Zanafillës: 'Mbaje mend, o njeri, se je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh përsëri', sepse disa njerëz, para syve të mi, e harrojnë këtë realitet. Harrojnë se janë qenie të vdekshme, me një datë skadimi".

Lufta të heq maskën

 Si kapelan, Abati ndjehet i sprovuar rëndë. "Lufta të heq maskën; e shikon veten atje, plotësisht të ekspozuar, e armatura mbrojtëse që vesh në jetën e përditshme, thyhet. Pastaj je atje, në frikën tënde, në shqetësimet tua. Atëherë e kupton se thirrja jonë kryesore është të jemi atje si murgj, të dëgjojmë, të ofrojmë ngushëllim, të lutemi me njerëzit". Ashtu siç ndodhi gjatë luftës së fundit kundër Iranit, në vitin 2025: një punëtor migrant nga Filipinet u vra në një sulm hakmarrës iranian.

Lufta e ndyrë

"Mijëra nga këta punëtorë migrantë, kryesisht gra nga Filipinet, India dhe Sri Lanka, kryesisht katolikë, vëllezër dhe motra në fe, nuk shkojnë në strehimore, sepse shpesh punojnë si kujdestarë për të moshuarit ose personat me aftësi të kufizuara,  e mbeten me njerëzit, që i besohen kujdesit të tyre. Për mua, kjo zbulon ndyrësinë dhe shthurjen e luftës, sepse këta njerëz të pafajshëm, këta skllevër të ditëve të sotme, paguajnë me jetën e tyre". "Këta njerëz, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, janë harruar, nuk bëhet shumë për ta, e tani paguajnë me jetën e tyre".

Në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, njerëzit vuajnë dhe traumatizohen. Lufta shkatërron jetë dhe sigurisht nuk e bën botën vend më të mirë. "E gjej shumë shqetësuese kur njerëzit brohorasin ose ndjekin lajmet me  entuziazëm: kjo nuk është ndeshje futbolli, nuk është ngjarje sportive në të cilën konkurrojnë dy kombe... Lufta është vërtet e ndyrë!".

Në mesditën e së martës, policia u duk në Abacinë e Fjetjes së Zojës Mari dhe urdhëroi mbylljen. "Nuk na lejohet të qëndrojmë përjashta, po kjo është e vështirë për ne, sepse ka ende grupe shtegtarësh në vend që nuk mund të largohen tani. E ata ishin mirënjohës që Kisha jonë, mensa jonë e të varfërve, dyqani ynë, ishin të hapura dhe që ne, si murgjër, ishim atje. Ne ishim si arkë, si port i sigurt në këtë oqean vuajtjesh. E tani gjithçka që mund të bëjmë, është të lutemi për njerëzit, të lutemi si bashkësi. Më trishton kur shikoj se nuk mund të jemi më ky vend, ku njerëzit e dinë se mund të luten, të marrin frymë lirisht dhe të jenë të sigurt".

04 mars 2026, 16:31