Kërko

Ukrainë. Comece BE-së, “të intensifikohen përpjekjet për një paqe globle"

“Jemi thellësisht të prekur nga zgjatja e luftës dhe nga pasojat e saj shkatërrimtare, me kaq shumë të vdekur e të plagosur. Ndërsa vazhdojmë t’i kërkojmë Bashkimit Evropian dhe shteteve të intensifikojnë të gjitha përpjekjet diplomatike për të arritur një paqe globale, të drejtë dhe të qëndrueshme, lutemi gjithashtu edhe për një proces të mirëfilltë rindërtimi dhe pajtimi”

R.SH. / Vatikan

Ukrainë: katër vjet luftë. “Jemi thellësisht të prekur nga zgjatja e luftës dhe nga pasojat e saj shkatërrimtare, me kaq shumë të vdekur e të plagosur, me një shkatërrim të përhapur dhe me një popullsi të tërë që pëson vuajtje të mëdha. Ndërsa vazhdojmë t’i kërkojmë Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare të intensifikojnë të gjitha përpjekjet diplomatike për të arritur një paqe globale, të drejtë dhe të qëndrueshme, lutemi gjithashtu edhe për një proces të mirëfilltë rindërtimi dhe pajtimi”. Kështu shprehet imzot Mariano Crociata, President i Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece), me rastin e përvjetorit të katërt tragjik të pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece), së bashku me Fondacionin ‘Centesimus Annus Pro Pontifice’, fton sot të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen në lutje për popullin ukrainas. Ky apel – thuhet në një komunikatë – pasqyron thirrjet e përsëritura të Papa Leonit XIV për “të mbështetur me lutje vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë, të sprovuar rëndë nga pasojat” e luftës. Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece) mbështetet gjithashtu në Konferencën për ndërtimin e paqes të mbajtur në Luksemburg më 23 janar 2026, gjatë së cilës pjesëmarrësit shprehën synimin e përbashkët për t’u bashkuar në lutje për paqen në Ukrainë, duke e përcaktuar 24 shkurtin si një datë veçanërisht domethënëse.

Në këtë kontekst, Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece) dhe Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice inkurajojnë “individët dhe komunitetet të bashkohen në lutje, personalisht ose kolektivisht, duke i kërkuar Zotit dhuratën e paqes për kontinentin tonë dhe për botën, dhe duke ia besuar Atij të gjithë ata që vazhdojnë të vuajnë për shkak të pasojave të luftës, si shenjë solidariteti”.

Kjo lutje bashkohet me shprehje të tjera të afërsisë shpirtërore me personat e prekur nga konflikti në kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian, ndër të cilat edhe nisma “Të bashkuar në lutje për paqen në Ukrainë dhe në Tokën e Shenjtë”, e promovuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (Ccee).

24 shkurt 2026, 10:53