Ukrainë, Imzot Shevchuk: përvjetori i katërt tragjik i luftës, turp për njerëzimin
R.SH - Vatikan
Është një përvjetor "tragjik" dhe një "turp për njerëzimin" ky i katër vjetëve që nga fillimi i pushtimit të gjerë ushtarak rus në Ukrainë. Në bisedën me mediat vatikane, kryeipeshkvi i Madh i Kyiv-it, Halych Sviatoslav Shevchuk, bëri një bilanc të katër viteve të një lufte që, sipas tij, "nuk duhej kurrsesi të kishte nisur".
Kryeipeshkvi i Madh i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk e quan përvjetorin e katërt të pushtimit rus një ngjarje “tragjike” dhe “turp për njerëzimin”. Sipas tij, askush nuk do ta kishte imagjinuar një luftë katërvjeçare në zemër të Evropës. Ai kujton se lufta në fakt ka nisur që në vitin 2014 me pushtimin e Krimesë dhe pjesës lindore të Donbasit, ndërsa sot situata është edhe më dramatike, me rritje të vazhdueshme të viktimave civile.
Në Kyiv, dimri i ashpër dhe shkatërrimi sistematik i infrastrukturës energjetike kanë krijuar një krizë të rëndë humanitare. Temperaturat kanë zbritur deri në -20°C dhe shumë banorë kanë mbetur pa ngrohje, ujë e energji elektrike. Janë ngritur “Qendra të qëndresës” me gjeneratorë, ku njerëzit mund të ngrohen, të pinë çaj të nxehtë dhe të kalojnë natën. Edhe Katedralja e tij ka hapur një qendër të tillë. Megjithatë, pavarësisht vuajtjeve, nuk shihet dorëzim: përkundrazi, vullneti për të qëndruar duket se rritet. Ai tregon shembullin e një fëmije pesëvjeçar që tha: “Nëse unë e mund të ftohtin, do ta fitojë edhe Ukraina”.
Kreu i Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Sviatoslav Shevchuk thekson se nuk ka familje në Ukrainë që të mos ketë përjetuar humbje apo plagosje. Edhe meshtarët dhe rregulltarët vuajnë trauma të thella. Kisha ka nisur programe për “shërimin e plagëve”, duke i ndihmuar meshtarët të përballen me traumat psikologjike e shpirtërore, në mënyrë që të mund të shërbejnë si “mjekë të plagosur” për të tjerët.
Imzot Shevchukfalënderon Kishën katolike universale për solidaritetin, veçanërisht Papën (më parë Papa Françeskun dhe tani Papa Leonin), si dhe shumë Konferenca Ipeshkvore evropiane. Pas një mesazhi të dërguar nga Ati i Shenjtë, në Krakov u mblodhën shpejt fonde dhe gjeneratorë për Kyiv-in, një ndihmë jetike në mes të dimrit. Sipas tij, sot po përjetohet një valë e re solidariteti që shkon përtej ndihmës ekonomike: kujtesa dhe lutja e krishterë kanë zgjuar ndërgjegjet.
Në fund, Kryeipeshkvi i Madh i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë përgjegjësinë për të ndalur agresionin, duke e quajtur të turpshme që pas katër vitesh lufta vazhdon. Ai fton të gjithë – politikanë, diplomatë, ushtarakë, njerëz të Kishës dhe besimtarë – të angazhohen për ndërtimin e paqes. Më pas do të vijë koha e shërimit të traumave dhe e rindërtimit, por tani përparësi mbetet ndalimi i luftës. “Lutuni për ne”, përfundon imzot Shevchuk.