Toka Shenjte, Pizzaballa: "Mungesa e besimit, pengesë për paqen"
R.SH. / Vatikan
"Pengesë për paqen është gjithmonë politika frymëshkurtër. Megjithatë, nuk duhet të heqim dorë kurrë nga puna për diçka të ndryshme. Kemi nevojë ta ndërtojmë e ta mbajmë gjallë edhe rrëfimin tonë si njerëz që janë shumicë, që duan të jetojnë të qetë në paqe, që njihen për të drejtat e tyre dhe të drejtat e tjerëve". Kardinali Pierbattista Pizzaballa iu drejtua të rinjve të Rondine Cittadella della Pace, të cilët i takoi pak para se të fliste në takimin publik, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Arezzo.
Dinjiteti i atij që ka humbur gjithçka
I intervistuar nga i dërguari i së përditshmes italiane Avvenire, Giacomo Gambassi, Kardinali Pizzaballa trajtoi çështjen e arritjes së paqes në Gaza dhe në mbarë Tokën Shenjte, që vijon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar. Duke komentuar situatën në Rripin e Gazës, theksoi pamundësinë e të parashikuarit të ardhmërisë së rindërtimit, pa pasur parasysh dhimbjen, aspiratat dhe dinjitetin e dy milionë palestinezëve, që jetojnë në ato vise. "Nuk do të ketë vendpushime luksoze në Gaza" - tha ai në përgjigje të një pyetjeje lidhur me planet e rindërtimit të administratës amerikane.
Lufta në Gaza nuk ka mbaruar
Në Gaza, njerëzit vazhdojnë të vdesin, pavarësisht nga armëpushimi. "Sigurisht, nuk ka më bombardime" - vuri në dukje Patriarku Latin i Jeruzalemit - "por ka ekzekutime të paramenduara. 96% e qendrave të popullsisë u rrafshuan me tokën, shkollat u mbyllën për tre vjet e ilaçet mungojnë, kështu që njerëzit po vdesin nga të ftohtit, infeksionet dhe mungesa e trajtimit". Vetëm në bashkësinë katolike të Kishës së Familjes Shenjte, 23 vetë vdiqën nga zjarri i drejtpërdrejtë, kujtoi Kardinali Pizzaballa, dhe po aq vdiqën nga uria e të ftohtit.
Pa besim, nuk ka paqe
Asgjë nuk do të jetë më njësoj në atë vend, "e as nuk e dimë se si do të jenë pasojat", theksoi Kardinali Pizzaballa kur u pyet për procesin e paqes.
"Të flasësh për paqen tani nuk ka shumë kuptim. Paqja kërkon kulturë, themele, politikë dhe një sasi të vogël besimi, ndërsa besimi ishte viktima e parë e kësaj lufte". Lidhur me rëndësinë e pranisë së krishterë në Gaza, përsëriti se zgjedhja për të qëndruar atje nuk është çështje e politikës, por më tepër e "besnikërisë ndaj më të ligshtëve, që nuk mund të lëvizin, e qëndrueshmërisë dhe e solidaritetit. "Të krishterët janë palestinezë si të gjithë të tjerët", deklaroi Pizzaballa.
Kaq shumë solidaritet në vuajtje
Kardinali Pizzaballa kujtoi edhe shenjat e shumta të solidaritetit dhe të shqetësimit, që merr nga e gjithë bota, "madje edhe nga dioqeza të vogla dhe shumë të varfra". Këto shenja nuk të bëjnë të ndihesh vetëm, pavarësisht nga nevoja për gjithçka dhe nga situata, që mbetet jashtëzakonisht problematike. Tani për tani, shqetësimi më i madh, kujtoi Patriarku, është Bregu Perëndimor, ku situata po keqësohet vazhdimisht dhe ku gjithçka po shkon drejt "një fshirjeje të ngadaltë e progresive të të drejtave palestineze". Kemi 23 famulli në Bregun Perëndimor dhe çdo ditë arrijnë kërkesa ndihme për abuzimin e dhunën që kemi vuajtur, por nuk dimë kujt t'i drejtohemi.
Të sigurosh paqen është punë e vështirë.
Parë në këndvështrim politik e social, situata nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti. Ndërtimi i paqes kërkon vizion të ri politik. "Kjo nuk është kohë për gjeste të mëdha. Përkundrazi, është kohë për të përgatitur terrenin, për të krijuar rrjet, për të identifikuar ata që duan paqe, sepse në të ardhmen, ata do të na duhen për ta rindërtuar". E, duke folur për angazhimin e përbashkët, ai shpjegon se "dëshira për paqe duhet të bëhet kulturë, e lindur në shkolla, familje, media. Është punë e lodhshme, që kërkon kohë dhe energji, por që duhet bërë".
Kontributi i botës së krishterë
Një rast për të riafirmuar rolin e feve në ndërtimin e shtigjeve drejt paqes, do të jetë sigurisht Jubileu i Shëlbimit në vitin 2033, në Jerusalem, "vend ku kjo dëshirë për paqe ushqehet, por edhe kërcënohet". "Është gjithmonë e vështirë të jesh i krishterë", përsërit Kardinali: "besimi ynë është i ndërlikuar, por fakti që këto vështirësi ekzistojnë, do të thotë se dëshmia e krishterë është ende e gjallë. E feja, kur është e lirë, të bezdisë, sepse liria jonë është e lidhur me dikë, që dha jetën e tij për dashuri e nuk është shprehje e fuqisë njerëzore".