Evropa duhet të rizbulojë shpirtin e saj të krishterë, thirrja e ipeshkvijve të kontinentit
R.Sh. Vatikan
“Po jetojmë në një botë të copëtuar dhe të polarizuar nga lufta dhe dhuna. Shumë nga bashkëqytetarët tanë janë të shqetësuar dhe të çoroditur. Rendi ndërkombëtar është nën kërcënim. Në këtë situatë, Evropa duhet të rizbulojë shpirtin e saj për t'i ofruar të gjithë botës kontributin e saj të domosdoshëm për të mirën e përbashkët”. Këto janë disa nga fjalët e deklaratës së përbashkët të kryetarëve të konferencave ipeshkvnore të Evropës, botuar sot, më 13 shkurt.
"Është bukur të bëhesh shtegtar i shpresës. Dhe është bukur qëndrojmë kështu, së bashku!" Këto fjalë të Papës Leonit XIV, të thëna në përfundim të Jubileut të Shpresës, përbëjnë themelin e thirrjes së nënshkruar nga kryetarët e konferencave ipeshkvnore të Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë. Dokumenti me titullin "Të krishterët për Evropën. Fuqia e Shpresës", bën thirrje për nevojën e ngutshme që besimtarët të përtërijnë përgjegjësinë e tyre për të ardhmen e kontinentit tonë. "Ne jetojmë në një botë të copëtuar dhe të polarizuar nga lufta dhe dhuna", shkruajnë ipeshkvijtë: "Shumë nga bashkëqytetarët tanë janë të shqetësuar dhe të çoroditur. Rendi ndërkombëtar është nën kërcënim." Përballë këtij skenari, Evropa është e thirrur të "rizbulojë shpirtin e saj" për të dhënë "kontributin e saj të domosdoshëm për të mirën e përbashkët". Thirrja është nënshkruar nga kardinali Jean-Marc Aveline, kryeipeshkëv i Marsejës dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore franceze; nga kardinali Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve italianë; imzot Georg Bätzing, ipeshkëv i Limburgut dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve gjermanë; si edhe nga imzot Tadeusz Wojda /Tadeush Uojda/, kryeipeshkëv i Gdanskut dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve polakë.
Etërit që themeluan Evropën e Bashkuar dhe përgjegjësia e krishterë
Robert Schuman, Konrad Adenauer dhe Alcide De Gasperi ishin ndër protagonistët e rindërtimit evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Duke ardhur nga traditat katolike të rrënjosura thellë të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë, ata e konceptuan integrimin e kontinentit jo si projekt ideologjik, por si zgjedhje politike të frymëzuar nga pajtimi, solidariteti dhe vënia në qendër e njeriut. Vizioni i tyre kontribuoi në lindjen e institucioneve të para mbikombëtare, duke hedhur themelet e Bashkimit Evropian të sotëm.
Rrënjat e krishtera, etërit themelues dhe Deklarata e Schuman-it
Dokumenti gjurmon rrënjët e krishtera të projektit evropian, duke kujtuar se "pas qytetërimeve helenistike dhe romake, krishterimi ka qenë një nga gurët themelorë të kontinentit tonë" dhe "i ka dhënë trajtë fytyrës së Evropës humaniste, Evropës solidare dhe të hapur ndaj botës".
"Të frymëzuar nga besimi i tyre i krishterë, etërit themelues nuk ishin ëndërrimtarë naivë, por arkitektët e një ndërtese madhështore, ndonëse të brishtë" – lexohet në thirrjen e ipeshkvijve evropianë.
Më tej, prelatët e lartë theksojnë, duke cituar Shën Gjon Pali II, se "meqenëse e donin Krishtin, e donin edhe njerëzimin, kështu, këta burra shteti punuan për ta bashkuar atë".
Në këtë letër të ipeshkvijve evropianë ushtojnë fjalët e Deklaratës që në vitin 1950, e cila çoi në krijimin e Bashkimit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, (BEQÇ). Ky qe hapi i parë drejt Bashkimit Evropian: "Evropa nuk do të bëhet menjëherë, as përmes një ndërtimi të përbashkët; ajo do të bëhet përmes arritjeve konkrete, duke krijuar, mbi të gjitha, një solidaritet de facto." – thuhej në atë deklaratë.
Gjithashtu, në këtë thirrje të ipeshkvijve evropianë zë vend kryesor paralajmërimi kundër nacionalizmit. Këtu, citohen fjalët e De Gasperit: "Nacionalizmi dashakeqës është një formë idhujtarie: ai e vendos kombin në vendin e Zotit dhe kundër njerëzimit." "Evropa e Bashkuar nuk lindi kundër atdheve, por kundër nacionalizmave që i shkatërruan ata", u pat shprehur kryeministri italian Alcide De Gasperi. Ipeshkvijtë paralajmërojnë rishtas se "Evropa nuk mund të tkurret vetëm në një treg ekonomik dhe financiar, duke e tradhtuar vizionin fillestar të etërve të saj themelues."
Angazhimi i të krishterëve për vëllazërinë e përbotshme
Teksti e shikon të tashmen me realizëm: "Një kornizë ndërkombëtare po vdes dhe një e re ende nuk ka lindur." Evropa, "duke respektuar sundimin e ligjit dhe duke hedhur poshtë logjikën ekskluziviste të izolacionizmit dhe dhunës", duhet të bëjë "zgjidhjen e organeve mbikombëtare për kapërcimin e konflikteve" dhe të mbetet "gjithmonë e gatshme të rifillojë dialogun, edhe në raste konflikti, dhe të punojë për pajtimin dhe paqen". Ipeshkvijtë i bëjnë jehonë fjalëve të Papë Françeskut mbi "ndryshimin epokal" që po ndodh, duke cituar fjalimin e tij me rastin e dhënies së çmimit «Karli i Madh» në vitin 2016: "Hiri i rrënojave nuk mundi ta shuante shpresën dhe punën për të tjerët. Këto ideale banonin në zemrat e etërve themelues të projektit evropian". Papë Françesku pati përshkruar me atë rast edhe rolin e Kishës:
“Kisha mund dhe duhet të kontribuojë në rilindjen e një Evrope të lodhur, por ende të pasur me energji dhe potencial”, nëpërmjet “shpalljes së Ungjillit, i cili sot më shumë se kurrë përkthehet në shtrirjen e dorës drejt varrëve të njerëzimit, për të sjellë praninë e fortë dhe të thjeshtë të Jezusit”.
Thirrja e ipeshkvijve të katër vendeve evropiane mbyllet me grishjen për angazhim konkret: “Bota ka nevojë për Evropën”, shkruajnë kryetarët e konferencave ipeshkvnore, dhe përsërisin fjalët e Robert Schuman: “Kur përjetohet si angazhim vetëmohues në shërbim të qytetit, në shërbim të njerëzimit, politika mund të bëhet angazhim dashurie ndaj tjetrit”.
Në emër të besimit të tyre, përfundojnë prelatët e Kishës Katolike, “të krishterët janë të thirrur të çojnë shpresën e tyre për vëllazëri të përbotshme tek të gjithë banorët e kontinentit evropian”.