Kërko

Në lutje Në lutje

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 5-të ‘A’: : Jezusi, s’erdha ta shlyej Ligjin, por ta përkryej

Fjala jote, o Zot,/është si çekani që bën copë-copë/shkëmbinjtë masivë e plot thepa/të normave tona të hartuara mirë e të sigurta. /I shkatërron muret tona prej farisenjsh/për t’i bërë vend kopshtit/të vëllazërimit e të dashurisë.../ Ti, o Jezus, dëshiron që ne, /me besnikëri e sinqeritet, /të udhëhiqemi jo nga metri, as nga peshorja, /por nga dashuria pa masë/që gjithçka fal, /gjithka duron, /gjithçka kapërcen, /e, pikërisht për këtë, /gjithnjë fiton...

R.SH. – Vatikan

Pjesa e Ungjillit të kësaj së Diele të VI gjatë vitit kishtar, ciklit të parë 'A' nga Mateu (5,17-37),  na kujton se dashuria për Zotin dhe për të afërmin, janë dy shtyllat mbi të cilat përkryhet Ligji i Krishtit. Ideali i hebrenjve ishte respektimi i Ligjit (Torah), përmes të cilit realizohej vullneti i Zotit. Ndërsa Jezu Krishti është plotësia e Ligjit, sepse Ai është fjala përfundimtare e Atit Qiellor. Në faqen e Ungjillit nga Mateu, Jezusi shpall Ligjin e Ri dhe sqaron se Ai nuk erdhi ndërmjet njerëzve për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përkryer atë. Duke iu drejtuar dishepujve të vet, Jezusi shton: “Në se drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farizejve, nuk do hyni në Mbretërinë e qiellit", po ta dëgjojmë një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele marr nga Mateu

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat.

Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë nerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.” E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.

Keni dëgjuar se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.

Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej qoftëlargut.”

Të lutemi së bashku

 

Ti na kërkon vendosmëri, o Jezus,

por jo kundrejt të tjerëve,

për gabimet e tyre,

ligështitë e tyre

për mungesën e besnikërisë së tyre.

 

Ti na kërkon të jemi të vendosur

Kundër së ligës që hedh rrënjë

Në zemrën tonë dhe rrezikon

Të na shkatërrojë jetën.

 

Jo, nuk mund të pajtohemi

Duhet t’i presim pa ngurrim

Gjithë veprat dhe fjalët

Që janë fryt i së keqes sonë,

i xhelozisë, i hakmarrjes

i ashpërsisë dhe i egoizmit.

 

Duhet të dëbojmë prej nesh

Atë çka i bën duart tona të dhunshme,

Atë që e ndragë shikimin tonë

Atë çka i bën fjalët tona me thepa

Vetëm atëherë, vetëm kur

Të jemi çliruar përnjëmend

Nga gjithçka që kundërshton Ungjillin,

Nga çdo padrejtësi, çdo tinëzi,

Çdo padrejtësi, dhe çdo shpagim,

Mund ta quajmë veten dishepujt të tu.

 

Nëse, përkundrazi

Jemi të gatshëm t’i lëshojmë pe

Së keqes që bën fole

Në planet dhe në veprimet tona,

Fati ynë është i paracaktuar:

Do të na përpijë, ditë pas dite,

Një vorbull e thellë, nga ku nuk dilet më.

 Amen!

14 shkurt 2026, 09:46