Siri, flet frati Ielpo: të krishterët e Idlibit, shenjë e madhe paqeje dhe shprese
R.SH. Vatikan
Ato hapa nëpër rrugicat dhe ullishtat e Knayeh-it ishin një ngjarje historike. Ndoshta më shumë: një rilindje e vërtetë. Sepse njerëzit e atij fshati në provincën siriane të Idlibit nuk kishin parë një Kujdestar të Tokës së Shenjtë të kalonte nëpër krahinën e tyre tash 14 vjet, pasi konflikti jo vetëm që kishte shkaktuar gjakderdhje dhe dëshpërim, por edhe kishte penguar edhe lëvizjet më të vogla. Tani që frati Francesco Ielpo mundi të kthehej solemnisht si Kujdestar i Tokës së Shenjtë, nga 9 deri më 13 shkurt, me një vizitë të planifikuar për Kapitullin e fretërve françeskanë që shërbejnë në Siri, ajo lidhje që dukej se ishte këputur, është ndrequr dhe është bërë më e fortë se kurrë.
Takimi me familjet
Fra Ielpo jo vetëm që u takua me fretërit e bashkësive të ndryshme misionare të Alepit, Damaskut, Latakisë dhe të Jakubies, por pati edhe mundësinë të vizitonte disa familje: "Arrita të pija kafe me disa prej tyre", u shpreh ai për mediat e Vatikanit. "Tragjedia më e madhe që ata thonë se kanë përjetuar është dëbimi me forcë i të rinjve pas mbërritjes së xhihadistëve. Të moshuarit që mbetën më treguan: «Ishim të bindur se do të vdisnim pa i parë më fëmijët tanë. Por tashti që janë kthyer është një gëzim i papërshkrueshëm.» Në sytë e atyre njerëzve të lodhur dhe të rraskapitur, fra Ielpo thotë se sheh një vendosmëri për të mos u dorëzuar, një dëshirë për të punuar shumë për të ardhmen. "Por mbi të gjitha, vura re solidaritetin e madh midis tyre: atë pak që kanë e ndajnë me dashuri. E ndihmojnë njëri-tjetrin me dinjitet të madh." – u shpreh ai.
Jeta e Kishave
Ndonëse gjendja në të gjithë këtë shtet të Lindjes së Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe e pasigurt, Kujdestari i Tokës së Shenjtë nuk e fsheh faktin se një shkëndijë shprese, normaliteti, vërehet në horizont: "Shumë dyqane janë rihapur dhe shohim gjithnjë e më shumë njerëz në rrugë." Dhe pastaj janë kishat, gjithnjë e më të mbushura: "Ato janë të mbushura veçanërisht me të rinj, me skautë. Ka edhe fëmijë në katekizëm që duan të fillojnë nga e para. Shkurt, nga njëra anë, ekziston një krizë që është edhe ekonomike, me koston e ushqimeve që është rritur ndjeshëm, dhe nga ana tjetër, ekziston ndjesia se ka një ringjallje, me të gjitha pasiguritë që kjo sjell".
Familjet po kthehen
Në ditën e parë të vizitës së fra Ielpos në Siri, ai përqafoi një për një të gjithë fretërit e pranishëm. Kjo gjë, e vetme, fshiu menjëherë dhimbjen e kaq shumë viteve izolim të detyruar. "Në emër të të gjithë Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, doja t'i jepja një shenjë të gjithë popullsisë së krishterë. Një shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e besimit gjatë këtyre viteve të vështira." Shihet se në dy bashkësitë e vogla të krishtera që mbetën në Jakubije, familjet po kthehen pasi i kanë marrë prap tokat dhe shtëpitë e tyre, dhe se rrugët e atyre fshatrave po mbushen përsëri me fëmijë. Kjo gjë, sipas fra Francesco Ielpo-s, Kujdestar i Tokës së Shenjtë, përfaqëson një mesazh paqeje të bardhë: "Kjo gjë është veçanërisht e dobishme për secilin prej nesh."