Sindona e Torinos: Hipoteza e basorelievit mesjetar rrëzohet me fakte shkencore

Revista "Archaeometry", e cila pati botuar hipotezën e studiuesit brazilian Moraes, publikon një përgjigje nga specialistët Casabianca, Marinelli dhe Piana.

R.Sh. Vatikan

Verën e kaluar, u bë publik një lajm që tërhoqi menjëherë vëmendjen e «Vatican News». Studiuesi brazilian Cicero Moraes propozoi një rindërtim dixhital të imazhit të Sindonës – çarçafit në të cilin u pat mbështjellë Jezu Krishti pas vdekjes mbi Kryq – që mbështeste hipotezën e një basorelievit mesjetar. Një koment i botuar së fundmi në «Archaeometry» e rrëzon këtë hipotezë të Moraes pikë për pikë.

Tre specialistë të Sindonës së Torinos  – Tristan Casabianca, Emanuela Marinelli dhe Alessandro Piana – e kritikuan këtë studim, për të cilin ata mendojnë se bazohet në objektiva të paqarta, se ka të meta metodologjike dhe prihet nga një arsyetim i gabuar. Në këtë mënyrë, tre shkencëtarët pohojnë kritikën e shprehur tashmë verën që shkoi nga kryeipeshkvi i Torinos dhe Kujdestari i Sindonës, kardinali Roberto Repole, dhe Qendra Ndërkombëtare për Studime mbi Sindonën e Torinos (CISS). Gjithsesi, ia vlen të përmendet – dhe ky është lajmi më i fundit – rëndësia e botimit të kritikës së tyre në të njëjtën revistë shkencore ku u botua edhe artikulli i Cicero Moraes-it.

Debati

Debati mbi vërtetësinë e Sindonës vazhdon të jetë i gjallë qysh kur u shkrep fotografia e parë në vitin 1898 nga fotografi Secondo Pia. Sot, polemika vazhdon, veçanërisht në revistat akademike ndërkombëtare. Në vitin 2019, përcaktimi i famshëm me karbon-14, i cili thoshte se pëlhura i përket viteve 1260-1390 pas Krishtit, i botuar në revistën «Nature» në vitin 1989, u vu në pikëpyetje nga një analizë tjetër e të dhënave të papërpunuara, të botuara pikërisht tek «Archaeometry», revistë e lidhur me laboratorin e Oksfordit, i cili pati marrë pjesë në përcaktimin e datës në fillim fare.

Verën që shkoi, siç thamë, në të njëjtën revistë, braziliani Cicero Moraes botoi një artikull që mbështeste teorinë e falsifikimit mesjetar. Sipas tij, një basoreliev prodhon një kontakt që duket se korrespondon më mirë me konturet e dukshme në Sindonë sesa me vëllimin e një trupi njerëzor. Prej këndej ai doli me idenë se kemi të bëjmë me një vepër arti mesjetare, jo më shumë. Megjithatë, që kur u botua, artikulli i Moraes ka ngritur shqetësime të shumta më mesin e specialistëve. Në deklaratën e tij, kardinali Repole kritikoi studimin duke shprehur "shqetësim rreth cektësisë së disa përfundimeve, të cilat shpesh nuk qëndrojnë në këmbë kur i shqyrton nga afër".

Të metat e analizës së Moraes-it

Tashti që kishte kaluar buja e madhe e lajmit të Moraes-it, studimi i botuar këto ditë në faqet e revistës «Archaeometry» nga Tristan Casabianca, Emanuela Marinelli dhe Alessandro Piana konfirmon plotësisht se kritika që i është bërë shkencëtarit brazilian është e përligjur. Autorët nxjerrin në pah të metat e shumta në analizën e Moraes si: modelimi anatomikisht i mangët, pasi riprodhon vetëm imazhin ballore, përmbys pozicionin majtas-djathtas të këmbëve dhe duarve dhe zgjedh arbitrarisht një lartësi (180 cm) që është jashtë konsensusit të pranuar (173-177 cm); përdorimi i përsëritur i skajeve të paqarta për të vërtetuar ngjashmëri pa përcjellur kurrë matje të sakta; zgjedhja e vetëm një imazhi, atij të vitit 1931, në një kohë që ekzistojnë shumë më të reja. Për më tepër, modelimi u provua jo në një pëlhurë liri, por pambuku.

Edhe më shqetësuese është fakti se modelimi në 3D i Moraesit i anashkalon tiparet kryesore të Sindonës: cekëtinë e skajshme të imazhit (një thellësi prej një të pestës së një të mijës së milimetrit) dhe konfirmimet e shumëfishta të pavarura të pranisë së gjakut, të cilat janë në kundërshtim me çdo praktikë artistike mesjetare. Prandaj, tre autorët Casabianca, Marinelli dhe Piana vënë në dyshim interesin e vërtetë të një modelimi që nuk riprodhon me besnikëri tiparet anatomike të Njeriut të Sindonës dhe anashkalon vetitë më të rëndësishme fizike dhe kimike. Studimi i Moraes nuk merr parasyh faktin se disa variante të hipotezës së relievit ishin studiuar dhe refuzuar tashmë në revistat akademike në fillim të viteve 1980. Ai gjithashtu injoron faktin se çështja e deformimit anatomik të një trupi nga një pëlhurë ishte shqyrtuar plotësisht që në vitin 1902 nga shkencëtari francez Paul Vignon.

Baza historike të brishta

Sipas komentuesve, edhe themelet historike të studimit të Moraes-it shfaqen të brishta. Shkencëtari brazilian shqyrton periudha kohore dhe vende të palidhura për të shpjeguar se si një artist ose falsifikues mund ta ketë konceptuar intelektualisht dhe realizuar praktikisht atë imazh unik të një Krishti lakuriq, ballore dhe prapa, në një skenë pas kryqëzimit. Por, siç theksojnë Casabianca, Marinelli dhe Piana, ky është sofizëm kompozicional, një metodë shpjeguese që, nëse do të përgjithësohej, do të minonte vetë themelet e historisë së artit. Imazhi është aq larg nga korniza tradicionale artistike saqë historiani kryesor mbi të cilin mbështetet Moraes, William S. A. Dale, ishte i bindur se nuk mund të ishte krijuar në Francën e shekullit të 14-të, por përkundrazi në epokën bizantine, për të mos përmendur faktin se u krijua në shekullin e 15-të.

11 shkurt 2026, 08:42